Përfundoi takimi i liderëve pa marrëveshje, Mickoski: Jo ndryshimeve kushtetuese nën diktatin e Bullgarisë

Përfundoi takimi i dy liderëve të partive më të mëdha maqedonase Dimitar Kovaçevski dhe Hristijan Mickoski. Në takim nuk është arritur asnjë marrëveshje. Gjatë konferencës për media, pas takimit, Miskoski tha se VMRO-ja mbetet me qëndrimin e njëjtë, nuk ka ndryshime kushtetuese nën diktatin e Bullgarisë edhe nëse kjo i kushton vendit bllokimin e rrugës eurointegruese, transmeton Portalb.mk.

Kovaçevski ka propozuar të votohen ndryshimet kushtetuese, pastaj të formohej Qeveri, në të cilat nga 10 resore që aktualisht i menaxhon LSDM 5 t’i jepeshin VMRO-së dhe kjo Qeveri t’i përgatisë zgjedhjet parlamentare. Të njëjtin propozim, tha Mickoski do ta pranonte por pa BDI-në.

“VMRO-DPMNE është e gatshme të marrë pjesë në një Qeveri të tillë, ku zgjedhjet do të përgatiten nga një qeveri teknike njëqind ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, dhe ndryshimet e mundshme kushtetuese të fillojnë të hyjnë në fuqi ditën kur do të fillojë ratifikimi i Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në kuadër të BE-së nga parlamentet e 27 vendeve anëtare”, tha Mickoski.

Përveç kësaj, Mickoski kërkoi nga institucionet evropiane që të garantojnë identitetin maqedonas, të përgatisin një paketë ekonomike për qytetarët dhe bizneset maqedonase, si dhe garanci se Bullgaria do t’i zbatojë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e maqedonasve në Bullgari.

Kovaçevski, tha Mickoski, e ka refuzuar një propozim të tillë dhe e ka interpretuar si shkelje të kornizës së negociatave.

“Pastaj i sugjerova që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që do të mbahen në tri data në vjeshtë, për të formuar qeveri të unitetit të gjerë kombëtar në të cilën BDI-ja nuk do të jetë pjesë, dhe pasi asnjë shtet anëtar i BE-së nuk ka asgjë kundër identitetit shekullor maqedonas, traditës, kulturës, zakoneve, gjuhës maqedonase, atëherë ja ku jam gati të bisedoj me disa kryeministra në mbledhjen e radhës të Këshillit Evropian për të votuar një konfirmim apo garanci për të gjitha këto që po themi, ndaj të shohim nëse është ashtu siç na thonë, duke pasur parasysh se dhe Bullgaria ka një qeveri legjitime dhe me atë dokument le t’u tregojmë qytetarëve maqedonas se Evropa qëndron pas identitetit shekullor maqedonas”, tha Mickoski.

Kreu i VMRO-DPMNE-së theksoi se 44 deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit qëndrojnë së bashku në qëndrimin se nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese në këtë mënyrë.

Në prag të takimit, kryeministri Dimitar Kovaçevski në disa raste tha se pret që VMRO-DPMNE t’i tejkalojë dhe t’i pranojë amendamentet kushtetuese dhe, siç thotë ai, “të paktën një herë në këto 32 vjet Maqedonia e pavarur do të mbështesë një vendim me të cilin shteti do të integrohet dhe në BE”.

Në prag të takimit të liderëve, Komiteti Ekzekutiv i partisë mbajti mbledhje pas së cilës njoftoi se në takim e kishte autorizuar Mickoskin që të afirmojë dhe mbrojë qëndrimet kundër ndryshimeve kushtetuese.

Në një intervistë për “360 gradë”, Mickoski ka përsëritur se është për zgjedhje të parakohshme që do të formonin një qeveri të gjerë të unitetit kombëtar.

Pavarësisht nga rezultati i takimit mes liderëve të qeverisë dhe opozitës, siç tha dje ministri i Jashtëm Bujar Osmani, propozim-amendamenti kushtetues do të dorëzohet në Kuvend sepse është kusht për rrugën e mëtejshme evropiane të vendit, por edhe, siç tha ai, konfirmimi më i mirë formal i qëndrimit tonë në lidhje me marrëdhëniet me komunitetin bullgar në vend në raport me komunitetet e tjera.

Ai tha se propozimi është ende në tavolinë, nëse opozita miraton ndryshimet kushtetuese, që në të njëjtën ditë të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Grupi punues në seancën e mbajtur para dhjetë ditësh ka miratuar propozim-iniciativën për nevojën e ndryshimit të Kushtetutës me udhëzime për ndryshim dhe plotësim.

Ndryshimet në pjesën e Preambulës janë në shtimin e disa kombeve. Në preambulë, pas “…popullit boshnjak”, shtohen fjalët “populli bullgar, populli kroat, populli malazez, populli slloven, populli hebre, populli egjiptian”, tha kryetarja e grupit punues, Margarita Caca Nikollovska. Ndryshimi i dytë, siç shtoi ajo, është në pjesën për diasporën dhe në amendamentin 34, i cili zëvendësohet me nenin 49 dhe amendamentin 2. Në këtë amandament të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili zëvendësohet me nenin 49 dhe Amendamenti 2, pastaj “… populli boshnjak” shtohen gjithashtu fjalët “popull bullgar, popull kroat, malazez, popull slloven, popull hebre, popull egjiptian”.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.