BORXHI

Jemi kah shëtisim në çarshinë e Shkupit me një shok të shkollës që rreth tre dekada punon jashtë vendit dhe përderisa hyjmë e dalim në tema të ndryshme, herë me shaka e herë me seriozitet, arrijmë te një problem i kohërave të krizës dhe ngushticave nëpër të cilat kalon njeriu: borxhi. Ekonomik, financiar. Borxhoi zakonisht kërkohet nga ata që janë siklet prej atyre që kanë komoditet. Disa prej njerëzve huazojnë për të kthyer, por ka edhe të atillë që marrin borxh me “ishalla e kthej”, por edhe të tillë huazojnë lekë a naturë për të mos i kthyer kurrë. Gjithçka varet nga ndërgjegjja. Njeriu i ndërgjegjshëm që bëhet debitor zakonisht jeton nën psikologjinë e idesë së kreditori është duke e vëzhguar dhe pret që t’ia kthejë të huazuarën.

Ndërkohë do shënuar se ka edhe borxhdhënës të atillë që borxhlinjve ua pijnë gjakun me pambuk, japin borxh me interes, fitim ky që i bën ata të pangopshëm, i kriminalizon. “Eh” – tha A. – “një mik imi i jetës më ka dhënë një porosi shumë interesante, që më bën që të kem dilema për të ndihmuar këndej nga ne, në vendlindje: ‘Jep borxh ose jep mall me pritje atje ku njerëzit hanë dhe dëfrehen në mënyrë modeste. Jepju borxh përkatësve të kombeve që hanë thjeshtë, që konsumojnë ‘kartofell’ (patate), që martohen në mënyrë modeste, jo atyre që tërë ditën rrijnë nëpër kafene, që duan t’i shijojnë të gjitha të mirat në tavolinën e tyre të shtëpisë e në veçanti në restorant, që bëjnë dasma më 500 e sa mysafirë.” “Të parët, gjermanët, kanadezët, belgët, po të huazuan diç, objektivin prioritar e kanë kthimin e detyrimit, e pastaj ndonjë mini-luks, kurse shqiptari, popujt e Lindjes së Mesme e të Afrikës, do të bëjnë njëmijë e një lake për të ta vonuar atë që ta ka marrë.” “Andaj unë nuk u jap mall me pritje pagese lindorëve, një pjesë të myslimanëve tanë, as portugezëve, spanjollëve, italianëve që kanë rutina lindore, u jap hua vetëm has (origjinal) perëndimorëve.” Tezën e tij e vërteton edhe R.E. Nisbett në veprën e tij, Gjeografia e mendimit ku thotë se tek katolikët, afrikano-amerikanët dhe hispanikët shënohen zhvendosje drejt modeleve lindore.

Afaristi në fjalë na shtiu të mendojmë thellë për këtë fenomen dhe të dëshpërohemi  për “kulturën tonë të huazimit” dhe “borxhkthimit”. Shqiptari s’ha kompira po ha ramstek-biftek e koc-levrek, e nuk mendon shumë për kursimin weberian. Mirë është që shoku ka marrë tipare nga vendi ku jeton: thotë se 30 vite ushqimin e merr nga shtëpia dhe e ha në vendin e punës, bashkë me punëtorët ndonëse është shef-pronar-CEO. Gjermanët e “kartofell”-it, të iniciativës dhe punës dikur për shkurt kohë arritën ta rindërtojnë vendin e tyre të shkatërruar gjatë LDB-së, të rikuperohen dhe të ritkthehen në të gjitha sferat dhe  sot janë ekonomia numër 1 e Europës, komb gjigant. Kurse ne si shqiptarë bëjmë sefa, i kënaqemi jetës dhe të vyeshmit dhe punëtorët tanë i quajmë ‘lolo’. Pijmë kafe me borxh, bëjmë gëzime familjare  grandioze me borxh, shkojmë në pushim me borxh. Shumë gabim!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.