Mexhiti me Kolegiumin profesional të onkologjisë: Terapia është e përshtatshme, nuk ka abuzime me barnat

Sot në mëngjes, në Klinikën Universitare të Radioterapisë dhe Onkologjisë (KURO), Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti mori pjesë në kolegiumin profesional të onkologjisë, e cila mbahet një herë në javë, pra çdo të mërkurë të muajit. Ministri Mexhiti diskutoi me mjekët për sistemin e vendosur të funksionimit në Klinikë, mënyrën e kontrollit të terapisë, terapinë e duhur dhe në kohë për secilin pacient, si dhe për mekanizmat për eliminimin e çdo abuzimi me terapitë, transmeton Portalb.mk.

Klinika e Onkologjisë ka prezantuar një mënyrë të re të punës që nga nëntori i vitit të kaluar, ku një konsilium prej 12 drejtuesish të departamenteve, rishikojnë historitë e pacientëve të cilëve u tregohet të aplikojnë terapi biologjike dhe së bashku vendoset nëse ka bazë që pacienti të marrë terapinë e caktuar. Në këtë mënyrë përjashtohet mundësia e abuzimeve të mundshme ose vendimmarrjes individuale në lidhje me terapinë biologjike.

“Për aplikimin e terapisë së caktuar, ka një procesverbal të rregullt në ditarin ambulator që mbahet në spitalin ditor. Në Klinikë mbahen gjithashtu regjistra elektronikë për të kontrolluar çdo ilaç që hyn në Onkologji. Në regjistrat elektronikë të KURO për çdo ilaç ka një “kartelë artikulli” që përmban të dhënat e mëposhtme: emrin dhe mbiemrin e pacientit, numrin e ekzaminimit të regjistruar, datën e ekzaminimit, datën e aplikimit të ilaçit, sasinë e ilaçit. Në takim, Ministri apeloi për angazhim maksimal të mjekëve ndaj pacientëve, duke pasur parasysh zhvillimet që lidhen me Onkologjinë, të cilat edhe pse kanë ndodhur në të kaluarën, gjithsesi shqetësimi i pacientëve dhe familjarëve të tyre është i justifikueshëm. Mjekët në takim kërkuan të mbrohen nga përgjithësimi i përgjegjësisë dhe nga linçimi publik, sepse ata punojnë profesionalisht dhe me përkushtim, gjë që tregon për shumë pacientë të shëruar dhe jetë të shpëtuara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Pas takimit me kolegiumin profesional, ministri Mexhiti në Klinikë pati një takim me disa pacientë me të cilët bisedoi se nuk duhet të dyshojnë në cilësinë e terapisë dhe profesionalizmin e mjekëve të Onkologjisë.

Takimi i ministrit me kolegiumin erdhi pas skandalit që ndodhi një javë më parë me kepërdorimin e barnave në këtë klinikë.

Kuvendi në seancën e djeshme ka pranuar propozimin e VMRO-DPMNE-së për formimin e komisionit anketues për përcaktimin e përgjegjësisë për zyrtarët politikë dhe shëndetësorë pas skandalit të krimit të zbardhur në Klinikën e Onkologjisë dhe Radioterapisë.

Më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Ky rast nxiti reagime të shumta.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.

Apel për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit të manipulimit të barnave kërkoi edhe ushtruesja e detyrës Violeta Klisarovska, drejtore e Klinikës së Onkologjisë, e cili theksoi se si ekip organizativ ishin plotësisht në dispozicion të organeve hetimore.

Edhe Prokuroria bëri thirrje që të gjithë ata që kanë informacion në lidhje me këtë çështje t’i raportojnë organeve kompetente.

Presidenti i vendit Stevo Pendarovski, tha se ka ardhur koha që të t’i jepet fund kulturës së mosndëshkimit, pasi kjo situatë ka vënë në pikëpyetje cilësinë e trajtimit të pacientëve.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski e përshëndeti aksionin e MPB-së dhe të prokurorisë, megjithatë ai bëri thirrje që të mos bëhet sensacionalizëm dhe të mos sulmohen të gjithë mjekët dhe infermieret, për shkak të disave.

Reaguan edhe dy partitë më të mëdha maqedonase.

Nga LSDM kanë shprehur mbështetje për institucionet për zbardhjen e tërësishme të rastit, duke porositur se, askush nuk do të pasurohet në llogari në shëdetit.

Ndërkaq, nga VMRO – DPMNE-ja opozitare kanë akuzuar se, biznesi me barna në Onkologji është mundësuar vetëm me dijeninë e strukturave të lartë në klinikë dhe në pushtet.

Reagime pati edhe nga partitë shqiptare.

Lëvizja Besa kërkoi që përgjegjësit e këtyre akteve barbare e monstruoze të marrin dënimin maksimal me burg, ndërkaq nga ministri aktual i Shëndetësisë kërkuan të dëshmojë se nuk e ka prioritet pozitën, por qytetarin, këtë duke vendosur në shprehje aktin moral të dorëheqjes.

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkoi që institucionet kompetente, në veçanti prokuroria, urgjentisht dhe detajisht të hetojnë të gjitha pretendimet për keqpërdorime të rënda mbi jetën dhe shëndetin e pacientëve.

Nga Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari shkroi se për skandalin në Klinikën e onkologjisë, Aleanca për Shqiptarët ka alarmuar qysh në dhjetor të 2022. Por, askush nuk reagoi dhe u llogarit si një reagim koti.

Lëvizja Demokratike theksoi se në shtete normale për raste të këtilla si skandali i onkologjisë, dorëhiqen qeveritë. Sipas tyre, aksioni policor në Klinikën e Onkologjisë, sipas të gjithë treguesve, në sipërfaqe do të nxjerrë një skandal me përmasa tragjike

Alternativa bëri thirrje që ky rast të mos përfundojë nga Prokuroria Publike njësoj si cinizmi i saj me spitalin modular në Tetovë, ndërsa kërkon mbështetje dhe mbikëqyrje nga ndërkombëtarët që ta vëzhgojnë këtë lëndë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në një prononcim për emisionin “Click Plus” në Tv 21 e cilësoi rastin si “krim”.