Prokuroria: Inkurajojmë këdo që ka njohuri për rastin e Onkologjisë t’i denoncojë

Për rastin e Onkologjisë sot janë prononcuar nga Prokuroria Publike Shkup, prej ku thonë se në vazhdimësi lëshohen urdhra dhe sigurohen prova për të verifikuar vërtetësinë e pretendimeve të bëra në investigimet gazetareske të publikuara javët e fundit. “Udhëheqësia e Klinikës së Onkologjisë, si dhe stafi tjetër mjekësor, bashkëpunojnë dhe ndihmojnë plotësisht në këtë”. Nga Prokuroria inkurajojnë që të gjithë ata që kanë informacion në lidhje me këtë çështje t’i raportojnë organeve kompetente, transmeton Portalb.mk.

“Prokuroria Publike siguron opinionin se të gjitha akuzat do të hetohen plotësisht dhe të gjithë autorët e mundshëm të krimeve do të ndiqen penalisht në përputhje me rrethanat. E gjithë procedura që në momentin e parë zhvillohet në mënyrë sa më transparente dhe në përputhje me të gjitha procedurat ligjore”, thonë nga Prokuroria.

Nga Prokuroria shtojnë se tashmë janë lëshuar urdhrat përkatës për analizimin e kompjuterëve dhe të dhënave kompjuterike të sekuestruara gjatë kontrolleve. Autoritetet hetimore marrin në pyetje të gjithë personat që kanë dijeni për veprime të paligjshme. Prokuroria Themelore Publike Shkup do të formojë një ekip ekspertësh të cilët do të analizojnë dokumentacionin mjekësor për menaxhimin e pacientit dhe administrimin e terapisë. Ministria e Punëve të Brendshme, si organ për zbulimin e autorëve të krimeve, ndërmerr veprime të tjera që për momentin nuk mund të ndahen me publikun, por me synim të drejtpërdrejtë – arritjen e së vërtetës dhe përgjegjësisë së mundshme penale.

“Në të njëjtin moment kur për një person të caktuar sigurohen prova të mjaftueshme për dyshimin e bazuar se ka kryer një krim, prokuroria do të informojë opinionin. Të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e kësaj teme për një numër të madh të qytetarëve të shqetësuar, apelojmë që të përmbahen nga paragjykimi i parakohshëm i rrjedhës së procedurës dhe përgjegjësisë së çdo personi”, thonë nga Prokuroria.

Përhapja e informacionit të paverifikuar dhe shkelja e prezumimit të pafajësisë, thonë nga Prokuroria, mund të dëmtojë seriozisht procedurën dhe të pengojë dëshmitarët të bashkëpunojnë.

“Prokuroria Publike inkurajon të gjithë ata që kanë informacion në lidhje me këtë çështje që t’i raportojnë organeve kompetente. Prokuroria Themelore Publike Shkup tashmë ka zhvilluar tri procedura për raste të izoluara të tentativës për vjedhje të drogës dhe ryshfet në lidhje me Klinikën e Onkologjisë, njëra prej të cilave tashmë është në procedurë gjyqësore. Pretendimet e fundit do të kontrollohen në detaje dhe publiku do të njoftohet menjëherë për të gjitha rezultatet e veprimeve të ndërmarra”, tha Prokuroria.

Lidhur me rastin ka pasur reagime të shumta këtyre ditëve. Presidenti i vendit Stevo Pendarovski, sot përmes një kumtese për media tha se ka ardhur koha që të t’i jepet fund kulturës së mosndëshkimit, pasi kjo situatë ka vënë në pikëpyetje cilësinë e trajtimit të pacientëve.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje e përshëndeti aksionin e MPB-së dhe të prokurorisë, megjithatë ai bëri thirrje që të mos bëhet sensacionalizëm dhe të mos sulmohen të gjithë mjekët dhe infermieret, për shkak të disave.

Për rastin dje reaguan edhe dy partitë më të mëdha maqedonase. Nga LSDM kanë shprehur mbështetje për institucionet për zbardhjen e tërësishme të rastit, duke porositur se, askush nuk do të pasurohet në llogari në shëdetit.

Ndërkaq, nga VMRO – DPMNE-ja opozitare kanë akuzuar se, biznesi me barna në Onkologji është mundësuar vetëm me dijeninë e strukturave të lartë në klinikë dhe në pushtet.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në një prononcim për emisionin “Click Plus” në Tv 21 e cilësoi rastin si “krim”.

“Nuk ka asnjë fjalë që mund të përshkruajë atë që po ndodh. Dimensioni njerëzor ka humbur dhe këto janë situata që kanë zgjatur në vazhdimësi për një kohë të gjatë”, tha ministri Spasovski.

Ai shtoi se një ekip i posaçëm i policisë është duke punuar në koordinim me prokurorinë, është bërë një plan i plotë dhe po punohet intensivisht për mbledhjen e informacioneve në këtë fushë. Spasovski shtoi se numri i personave në hetim është më i madh dhe se nuk do të ketë tolerancë.

Për sot në ora 18:00 para Qeverisë është caktuar protestë për rastin e Klinikës së Onkologjisë.

Kujtojmë se më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup.

Madje janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës.

Ky aksion vjen pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë  në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.