RMV, u mbajt seanca e parë konstituive e grupit punues, do të vendosen masa dhe ligj i ri për pensionin minimal

Grupi punues për shqyrtimin e propozimeve për çështjen e pensionit minimal në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe pakon e masave për ndihmë dhe përkrahje të pensionistëve, mbajti sot seancën e parë konstituive. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, anëtarëve të grupit punues u uroi punë të frytshme dhe sjelljen e zgjidhjeve solide të propozuara, të cilat do t’i prezantohen Qeverisë dhe do të jepen për miratim në Kuvend, njofton Portalb.mk.

“Është shumë e rëndësishme kur propozohen masat dhe zgjidhja ligjore për sigurimin pensional apo ndryshimet e tij, të merret parasysh stabiliteti i sistemit pensional dhe të vazhdohet me pagesën e pensioneve në kohë dhe në mënyrë të rregullt”, tha Trençevska.

Ministrja nënvizoi gjithashtu se fokusi i punës së grupit punues do të jenë pensionistët me pensione të ulëta, veçanërisht ata me pension minimal. Njëkohësisht, ai theksoi se do të përdoren analizat dhe informacionet e përgatitura nga palët e përfshira në grupin punues, të cilat do të diskutohen dhe se do të shqyrtohen të gjitha propozimet e pranuara.

Kryetarja e grupit punues theksoi se grupi punues do të punojë intensivisht, me takime deri në dy herë në javë, me qëllim që sa më shpejt të propozohen masat dhe zgjidhjet ligjore.

Grupi i punës ra dakord që fillimisht do të punohet për marrjen e masave të duhura sociale për pensionistët me pensione të ulëta dhe më pas do të trajtohet një zgjidhje e re ligjore për pensionin minimal ose ndryshimi i atij ekzistues.

Ndryshe, golgota e pensionistëve është një histori e gjatë në Maqedoni. Është po aq e vjetër sa edhe vetë vendi. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, në vend numërohen 333.882 pensionistë. Prej tyre, 94.117 në muajin prill kanë marrë pension deri në 13.300 denarë, pothuajse po aq kanë marrë mbi 22.000 denarë, 78.627 pensionistë kanë marrë pension nga 16.000 deri në 22.000 denarë, dhe 67.013 pensionistë kanë marrë 13.300 denarë deri në16.000 denarë. Pensioni më i lartë në vend është rreth 70.000 denarë dhe e marrin vetëm 74 pensionistë.