Mexhiti: Duhet hetim i plotë dhe i paanshëm në Klinikën e Onkologjisë, askush nuk guxon të manipulojë hetimin

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, tha ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti në konferencën e sotme për media të thirrur për këtë rast. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se askush në sistemin shëndetësor nuk duhet të mbrojë personat e përfshirë në këto vepra kriminale dhe se do të jenë vigjilentë për të mos lejuar që individët t’i manipulojnë hetimet.

“Më ka prekur dhe zemëruar thellësisht rasti i Klinikës së Onkologjisë, për të cilin Prokuroria Publike ka nisur hetimet për vepër të kryer penale. Klinika e Onkologjisë, siç e dimë të gjithë, është institucion që duhet të shërbejë si fener shprese për pacientët tanë. Ky rast duhet të zbardhet tërësisht në një kohë të shkurtër”, tha Mexhiti.

Mexhiti u bëri thirrje të gjitha shoqatave të pacientëve, individëve apo grupeve që kanë informacion për këtë rast që të kontaktojnë Ministrinë e Shëndetësisë apo organet e rendit për të ndihmuar në mbylljen sa më të shpejtë të këtij rasti.

“E kuptoj zemërimin dhe zhgënjimin që ka shkaktuar ky rast ende i pahetuar tek qytetarët tanë, veçanërisht tek ata që janë të prekur drejtpërdrejt. Do të bëj gjithçka për zbardhjen e këtij rasti, për të vendosur dhe sanksionuar përgjegjësinë e kujtdo që vërtetohet se ka pjesë në këtë lloj krimi. Do të krijoj kushte që të mos ndodhë më”, tha Mexhiti.

Ai shtoi se është mbajtur një takim me drejtorët e Onkologjisë, do të bëhet revizion i pacientëve dhe ka theksuar se tash e disa muaj është formuar një kolegjium ekspertësh për të vendosur se cili pacient, cilën terapi do ta marrë.

“Do të kërkoj nga drejtorët çdo muaj një raport për çdo rast. Do t’i kërkoj llogari të gjithë stafin. Kërkoj të mos stigmatizohet gjithë stafi… vlerësojmë shqetësimin për qytetarët, por kërkoj që të mos bëhet gjueti për të gjithë, por të zbardhet çështja sa më shpejt. Autorët e krimeve kanë emër dhe mbiemër dhe në procesin e zbulimit duhet të mbrojmë mjekët që i kanë ndihmuar dhe kanë trajtuar pacientët atje”, tha ministri dhe shtoi se ata nuk mund të ndërhyjnë në procedurat paraprake, kjo është përgjegjësi e prokurorisë. Ai gjithashtu tha se nuk mund të ndajnë informacione që duhet t’i ndajë Prokuroria.

Apel për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit të manipulimit të barnave kërkoi edhe ushtruesja e detyrës Violeta Klisarovska, drejtore e Klinikës së Onkologjisë, e cili theksoi se si ekip organizativ ishin plotësisht në dispozicion të organeve hetimore.

“I bëj apel autoriteteve, nuk mund të hetojmë, por kërkojmë nëse ka fajtorë të emërohen sa më shpejt. Kjo është e rëndësishme për ne, për të refuzuar fajin kolektiv që i imponohet të gjithë ekipit, i cili shkatërron besimin pacient-mjek dhe reflekton në shëndetin e pacientëve tanë. Në emër të kolegjiumit të ekspertëve publik dhe mua si pjesë e tij. Dënojmë të gjitha veprimet e pakujdesshme dhe joprofesionale, me kërkesë që problemi të mos përgjithësohet në të gjithë ekipin. Si mjek specialist, që nga nëntori i vitit 2022, i siguroj të gjithë, se çdo pacient merr terapinë e përshkruar, dozën, llojin e barit, sipas asaj që kanë përshkruar mjekët. Pa asnjë manipulim. Nga nëntori i vitit 2022, që kur jam në këtë pozitë, kolegjiumi i ekspertëve punon në mënyrë shumë profesionale”, theksoi Klisarovska.

Ajo sqaroi se me ardhjen u prezantuan mbledhjet e mëngjesit, u formua një këshill onkologjik, në të cilin marrin pjesë shumica e drejtuesve me përvojë të çdo departamenti.

“Unë marr pjesë në çdo kolegjium dhe kemi procesverbale nga të gjitha takimet, të cilat i referohen çdo pacienti që duhet të fillojë terapinë. Protokollet klinike janë përditësuar. Rruga e ilaçit nënkupton monitorim nga hyrja në spital, deri te pacientët. Pas futjes së asaj rruge, personi mjeksor ka guxuar sërish të zgjasë dotën te barnat, pas së cilës është larguar nga shërbimet profesionale dhe më pas ka marrë njoftim nga institucioni ynë dhe është shkarkuar nga klinika me vendim për ndërprerje. Unë nuk i jap asnjë shans atij që i ka vjedhur ilaçet, nuk mund të flas në emër të paraardhësve”, tha Klisarovska.

Sikurse ministri Mexhiti, edhe Prokuroria bëri thirrje që të gjithë ata që kanë informacion në lidhje me këtë çështje t’i raportojnë organeve kompetente.

Lidhur me rastin ka pasur reagime të shumta këtyre ditëve. Presidenti i vendit Stevo Pendarovski, sot përmes një kumtese për media tha se ka ardhur koha që të t’i jepet fund kulturës së mosndëshkimit, pasi kjo situatë ka vënë në pikëpyetje cilësinë e trajtimit të pacientëve.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje e përshëndeti aksionin e MPB-së dhe të prokurorisë, megjithatë ai bëri thirrje që të mos bëhet sensacionalizëm dhe të mos sulmohen të gjithë mjekët dhe infermieret, për shkak të disave.

Për rastin dje reaguan edhe dy partitë më të mëdha maqedonase. Nga LSDM kanë shprehur mbështetje për institucionet për zbardhjen e tërësishme të rastit, duke porositur se, askush nuk do të pasurohet në llogari në shëdetit.

Ndërkaq, nga VMRO – DPMNE-ja opozitare kanë akuzuar se, biznesi me barna në Onkologji është mundësuar vetëm me dijeninë e strukturave të lartë në klinikë dhe në pushtet.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në një prononcim për emisionin “Click Plus” në Tv 21 e cilësoi rastin si “krim”.

“Nuk ka asnjë fjalë që mund të përshkruajë atë që po ndodh. Dimensioni njerëzor ka humbur dhe këto janë situata që kanë zgjatur në vazhdimësi për një kohë të gjatë”, tha ministri Spasovski.

Ai shtoi se një ekip i posaçëm i policisë është duke punuar në koordinim me prokurorinë, është bërë një plan i plotë dhe po punohet intensivisht për mbledhjen e informacioneve në këtë fushë. Spasovski shtoi se numri i personave në hetim është më i madh dhe se nuk do të ketë tolerancë.

Për sot në ora 18:00 para Qeverisë është caktuar protestë për rastin e Klinikës së Onkologjisë.

Kujtojmë se më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup.

Madje janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës.

Ky aksion vjen pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë  në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.