Kuvendi do të krijojë komision hetimor për skandalin në Klinikën onkologjike

Kuvendi në seancën e djeshme ka pranuar propozimin e VMRO-DPMNE-së për formimin e komisionit anketues për përcaktimin e përgjegjësisë për zyrtarët politikë dhe shëndetësorë pas skandalit të krimit të zbardhur në Klinikën e Onkologjisë dhe Radioterapisë, transmeton Portalb.mk.

Në komisionin anketues do të marrin pjesë 14 deputetë, gjashtë prej të cilëve do të jenë VMRO-DPMNE, pesë nga LSDM, dy nga BDI dhe një nga Aleanca për Shqiptarët.

Komisioni anketues do të duhet t’i dorëzojë Kuvendit një raport përfundimtar brenda një muaji nga përfundimi i punës së tij.

Ngritja e komisionit anketues vjen pasi Prokuroria Publike hapi hetimet për dyshimet për vepra penale të kryera në trajtimin e pacientëve dhe punën e Klinikës së Onkologjisë.

Më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Ky rast nxiti reagime të shumta.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.

Apel për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit të manipulimit të barnave kërkoi edhe ushtruesja e detyrës Violeta Klisarovska, drejtore e Klinikës së Onkologjisë, e cili theksoi se si ekip organizativ ishin plotësisht në dispozicion të organeve hetimore.

Edhe Prokuroria bëri thirrje që të gjithë ata që kanë informacion në lidhje me këtë çështje t’i raportojnë organeve kompetente.

Presidenti i vendit Stevo Pendarovski, tha se ka ardhur koha që të t’i jepet fund kulturës së mosndëshkimit, pasi kjo situatë ka vënë në pikëpyetje cilësinë e trajtimit të pacientëve.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski e përshëndeti aksionin e MPB-së dhe të prokurorisë, megjithatë ai bëri thirrje që të mos bëhet sensacionalizëm dhe të mos sulmohen të gjithë mjekët dhe infermieret, për shkak të disave.

Reaguan edhe dy partitë më të mëdha maqedonase.

Nga LSDM kanë shprehur mbështetje për institucionet për zbardhjen e tërësishme të rastit, duke porositur se, askush nuk do të pasurohet në llogari në shëdetit.

Ndërkaq, nga VMRO – DPMNE-ja opozitare kanë akuzuar se, biznesi me barna në Onkologji është mundësuar vetëm me dijeninë e strukturave të lartë në klinikë dhe në pushtet.

Reagime pati edhe nga partitë shqiptare.

Lëvizja Besa kërkoi që përgjegjësit e këtyre akteve barbare e monstruoze të marrin dënimin maksimal me burg, ndërkaq nga ministri aktual i Shëndetësisë kërkuan të dëshmojë se nuk e ka prioritet pozitën, por qytetarin, këtë duke vendosur në shprehje aktin moral të dorëheqjes.

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkoi që institucionet kompetente, në veçanti prokuroria, urgjentisht dhe detajisht të hetojnë të gjitha pretendimet për keqpërdorime të rënda mbi jetën dhe shëndetin e pacientëve.

Nga Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari shkroi se për skandalin në Klinikën e onkologjisë, Aleanca për Shqiptarët ka alarmuar qysh në dhjetor të 2022. Por, askush nuk reagoi dhe u llogarit si një reagim koti.

Lëvizja Demokratike theksoi se në shtete normale për raste të këtilla si skandali i onkologjisë, dorëhiqen qeveritë. Sipas tyre, aksioni policor në Klinikën e Onkologjisë, sipas të gjithë treguesve, në sipërfaqe do të nxjerrë një skandal me përmasa tragjike

Alternativa bëri thirrje që ky rast të mos përfundojë nga Prokuroria Publike njësoj si cinizmi i saj me spitalin modular në Tetovë, ndërsa kërkon mbështetje dhe mbikëqyrje nga ndërkombëtarët që ta vëzhgojnë këtë lëndë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në një prononcim për emisionin “Click Plus” në Tv 21 e cilësoi rastin si “krim”.