Mbi rrezikun e piromanisë bërthamore

Bota është në pragun e shpërthimit të luftës bërthamore, e cila, nëse ndodh njëmend, do t’i japë fund jetës njerëzore. Ky është paralajmërimi dhe alarmi i ditëpërditshëm, që nuk arrin në veshin e piromanëve, në duart e të cilëve është susta e apokalipsit. Sipas medieve të mëdha botërore, mjafton që kryetari rus të përdorë një armë të vetme taktike bërthamore në Ukrainë, për të rënë përgjithmonë perdja e dramës së jetës sonë.

Tani më dihet se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës nuk përfaqëson luftën mes dy shteteve, por betejën për krijimin e një rendi të ri botëror, që thellon gjithnjë e më shumë hullitë ndarëse ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, ndërmjet regjimeve demokratike dhe totalitare, ndërmjet shteteve hegjemoniste e pushtuese dhe shteteve që mbrojnë sonoret, lirinë dhe të drejtat e tyre. Pikërisht kjo po e shtrinë luftën në gjithë kontinentet  e globit dhe po e rrit mundësinë e konflikteve bëthamore mes vendeve anëtare të NATO-s, me në krye SHBA-në dhe fuqive Euroaziatike, boshti kurrizor i së cilës është Rusia dhe Kina.

Aktualisht, hiq vendet e përfshira në luftëra tejet të përgjakshme dhe kriminogjene, më të rrezikuara janë vendet e Ballkanit Perëndimor: Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kroacia. Ata po i shtyjnë pahiri drejt katastrofave Rusia dhe Kina, superfuqitë që e shfrytëzojnë si mashë Serbinë, shtetin e armatosur gjer në dhëmbë, të motivuar për formimin e Serbisë së Madhe në llogari të territoreve të vendeve fqinje. Më e interesuar për ndezjen e zjarreve të luftës në Ballkan gjithsesi është Rusia, që ashiqare nuk ka kapacitete për të realizuar me fund ëndrrat e saj në Ukrainë, për shkak të ndihmës së gjithanshme që kjo e fundit ka nga SHBA dhe BE. Në një situatë të këtillë Putini përpiqet të defokusjë Aleancën Veriatlantike, me marritë e vëllait të vogël serb. Këtë e bën për të kamufluar krimet gjenocidiste ndaj popullit ukrainas, për të zbutur humbjet e qindar mijëra ushtarëve rusë, për të fshehur shkatërrimin e mijëra mjeteve ushtareke, për të mjegulluar varfërimin e shtetit dhe pakënaqësitë e njerëzve që kanë humbur kot së koti bijtë e tyre për aventurat e të sëmurëve për mend dhe të eturve për gjak. Kjo i shkon për hoshafi parisë serbe të dalë nga nënsjetullat e Kasapit famëkeq të Ballkanit, e cila gjithashtu ballafaqohet me konflikte të brendshme e të jashtme dhe rri në pushtet falë parregullsive zgjedhore, përkrahjeve të gjithanshme ruso-kineze dhe premtimeve të tyre për sendërtimin e “Botës Serbe”.
Për çudinë e çudirave, disa fuqi evropiane bëjnë kinse nuk e kuptojnë lojën e dyfishtë të presidentit serb, i cili përfiton njëkohësisht edhe prej BE-së edhe prej armiqëve të saj të përbetuar. Zaten kjo ia ka mundësuar Vuçiqit militarizimin e paparë të Serbisë në të gjitha fushat e jetës dhe gatishmërinë për të nisur luftëra të reja pushtuese aty ku i la mësuesi i tij në vitet e nëntëdhjeta.

Fatmirësisht Republikën e Kosovës e mbron nga krimet serbe fuqia më e madhe ushtareke në botë dhe gatishmëria e bijve të saj për moslejimin e përsëritjes së gjenocideve mbi fëmijët, gratë dhe popullatën civile të Kosovës. Ky fakt është shpresa e ruajtjes së paqes në trojet shqiptare, në Ballkanin Perëndimor dhe ndoshta në gjithë botën, e cila nuk guxon të mbetet në mëshirën e piromanisë bërthamore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.