Deri më 12 shkurt, pronarët e automjeteve duhet ta kenë shenjën NMK në targa

Pronarëve të automjeteve targat e të cilave janë të shënuara MK u kanë mbetur edhe 10 ditë që deri më 12 shkurt t’i zëvendësojnë targat e vjetra me të reja – NMK, transmeton Portalb.mk.

Ngjitëset me shenjën NMK, siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), do të kushtojnë maksimumi 50 denarë, ndërsa qytetarët do të mund t’i marrin në stacionet për kontroll teknik të automjeteve.

“Sipas Marrëveshjes Kornizë për prokurimin e targave të regjistrimit, me operatorin ekonomik të përzgjedhur është lidhur marrëveshje porosie, për të cilën janë duke ecur afatet ligjore për dorëzimin e afisheve”, njofton MPB.

Detyrimi për përdorimin e kodit NMK në vend të MK në targat e automjeteve në vend ka dalë nga dispozitat e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë.

Kujtojmë se Qeveria në maj të vitit të kaluar vendosi që qytetarët në vend që të blejnë targa të reja me kodin e ri NMK, MPB do të japë ngjitëse.

Tenderin e ka fituar firma “Kvantum” nga Shkupi së bashku me kompaninë gjermane “EHA Hofman internacional”. Për këtë qëllim, MPB-ja do të shpenzojë 2,29 milionë euro (141,6 milionë denarë) në periudhë sa parashikon marrëveshja për furnizim.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë edhe dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Edhe ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.