Mexhiti: Mbi 61.000 qytetarë të vaksinuar kundër gripit sezonal, vaksinimi masa më e mirë parandaluese

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se nga muaji nëntor, mbi 61 mijë qytetarë janë vaksinuar kundër gripit sezonal. Vaksinimi falas kundër kësaj sëmundje mbulon këto grupe të prirura për rrezik: personat e moshuar (mbi 65 vjeç), personat me sëmundje kronike, punonjësit e shëndetësisë, gratë shtatzëna, fëmijët e moshës 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe personat e vendosur në institucionet e mbrojtjes sociale të të moshuarve dhe personat e punësuar në institucionet sociale për mbrojtjen e të moshuarve, transmeton Portalb.mk.

“Vaksinimi mbron dhe përfaqëson masën më të mirë parandaluese që parandalon shfaqjen e formave më të rënda, komplikacioneve dhe vdekjes, veçanërisht në grupet e prirura për rrezik. “Vaksinat veprojnë, kanë imunogjenitet të dëshmuar dhe efikasitet të mirë”, thotë Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

Kujtojmë se qytetarët e interesuar ende kanë mundësi të regjistrohen për vaksinim falas duke plotësuar aplikacionin në ueb faqen zyrtare: vakcinacija.mk, dhe më pas me SMS marrin informacion për datën, kohën dhe vendin e saktë të vaksinimit.

Njëkohësisht, imunizimi kundër gripit sezonal me vaksina komerciale kryhet në qendrat e shëndetit publik në të gjithë vendin.

Kujtojmë se javën e fundit është rritur numri i të infektuarve me grip në vend, tregojnë të dhënat nga raporti i fundit i Institutit të Shëndetit Publik (IShP). Në tri njësi raportuese që kanë raportuar raste gjatë kësaj jave është regjistruar aktivitet shumë i ulët i virusit të gripit, në tetë ka qenë sezonal, në 12 të mesëm, në Dibër – i lartë dhe në tri njësi raportuese – Resnjë, Kavadar, Kratovë – aktivitet shumë i lartë i virusit.