Mbi 900 persona në RMV u infektuan me linë e dhenve në janar

Sëmundja akute infektive më e shpeshtë e regjistruar në muajin janar ishte lija e dhenve (varicela), me gjithsej 903 persona të regjistruar në vend, këtë e tregojnë të dhënat e buletinit mujor për lëvizjen e sëmundjeve akute infektive, të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Pas lisë së dhenve, enterokoliti zë vendin e dytë për nga numri i rasteve të raportuara në muajin janar, me 163 raste të raportuara, transmeton Portalb.mk.

Gjatë muajit janar janë raportuar gjithsej 5716 persona me grip. Prej tyre, numri më i madh i të sëmurëve është regjistruar në Shkup, ndërsa incidenca më e lartë është regjistruar në Dibër. Që nga fillimi i sezonit, në Maqedoni nga java e katërt e vitit 2024 janë raportuar gjithsej 7009 raste të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin. Prej tyre, numri më i madh i të sëmurëve janë të regjistruar në territorin e Shkupit.

ISHP raporton edhe për një rast të helmimit nga ushqimi në muajin janar. Nga Kumanova kanë marrë njoftim për epidemi të intoksikimit ushqimor. Epidemia u raportua më 2 janar 2024 si një epidemi familjare ku u sëmurën 5 nga 14 personat e ekspozuar, të moshës 5-59 vjeç, nga të cilët 3 të shtruar në spital.

Në lidhje me sëmundjet seksualisht të transmetueshme, ISHP raporton se në muajin janar janë raportuar tre raste të konfirmuara me HIV, nga meshkujt, të grupmoshës 20 deri në 59 vjeç.

Të dhënat nga ISHP tregojnë se numri i personave të regjistruar me HIV/AIDS në RMV, për periudhën 1987-2023, është 639, ndërsa kanë vdekur 126 persona, ndërsa me HIV/AIDS jetojnë 513 persona.