Një pjesë e shërbimeve kadastrale në RMV u shtrenjtuan për 300 përqind

Disa nga shërbimet kadastrale janë trefishuar në çmim. Me rastin e blerjes së banesës së re dhe regjistrimit në Kadastër, në vend të 1.250 denarë, qytetarët do të duhet të paguajnë së paku 3.750 denarë për fletë pronësie, transmeton Portalb.mk nga Sitell.

Deri më tani, gjatë ndryshimit të pronësisë, përveç sipërfaqes katrore të banesës, në fletë pronësie është regjistruar edhe një pjesë e dhomave të përbashkëta, si dhe një pjesë e truallit nën ndërtesë. Tani do të duhet të paguhet për çdo fletë pronësie veç e veç, që do të thotë se tre listat do t’u kushtojnë qytetarëve 3750 denarë, plus 600 denarë për shërbime noteriale. Nëse blejnë edhe garazh, do të duhet të paguajnë edhe një fletë tjetër pronësie, përkatësisht 1250 denarë shtesë.

Agjencia për Kadastër publikoi tarifën e re, me të cilën u rritën edhe çmimet e gjeodezëve. Qeveria ka dhënë pëlqimin për rritjen e çmimeve më 30 janar dhe tarifa ka hyrë në fuqi më 15 shkurt.

Rritja e çmimit është e konsiderueshme për investitorët e objekteve infrastrukturore. Për paracaktimin e fletë pronësisë në fazën e ndërtimit do të paguhen 5.250 denarë për fletë pronësie . E njëjta shumë është edhe për paracaktimin si kusht për regjistrimin e objekteve të infrastrukturës. Për fshirjen e paracaktimit shërbimi kushton 2625 denarë.

Rritje të ndjeshme ka edhe kostoja e vrojtimit të bërë nga gjeodezët, si dhe për përgatitjen e vetë planit. Për Sitell thonë se tashmë qytetarët do të duhet të marrin kredi për të paguar tarifat e larta. Por se sa janë më të shtrenjta shërbimet në total, nuk mund të thonë me saktësi, pasi nuk i kanë bërë llogaritë e detajuara.

Kreu i Kadastrës për MIA-n tha se rritja ka ardhur për shkak të rritjes së kostove reale (për energji elektrike, karburant, licenca softuerike, mirëmbajtje të pajisjeve, rritje të pagave etj) , të cilat kanë qenë bazë për llogaritjen e kompensimit, dhe i referohen kryerjes së punimeve gjeodezike.

Agjencia e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme informoi se çmimi i fletë pronësisë së lëshuar që ka të bëjë me pronën e qytetarëve, mbetet i pandryshuar dhe është 250 denarë, sikurse deri më tani.

“Çdo manipulim me shuma të tjera paushall është i pavërtetë. Konfuzioni i krijuar nga disa media i referohet regjistrimit të parë të pronave në Kadastër. Kushton 1250 denarë për fletë pronësie. Tarifa aktuale mbetet e pandryshuar, por i referohet një dokumenti pronësie. Kjo tarifë paguhet vetëm në regjistrimin e parë dhe kur ndryshon pronari. Çdo heqje e mëvonshme e fletë pronësisë mbetet me çmim prej 250 denarë.”, thonë nga Kadastra.

Qytetarët e Shkupit kanë problem me nxjerrjen e dokumenteve për shkak të ndërrimit të emrave të rrugëve