Mazneva ka edhe dy ditë afat të sqarojë para Inspektoratit pse i ka përjashtuar 32 punëtorë të Higjienës Komunale në mënyrë të paligjshme

Higjiena Komunale Shkup ka afat edhe dy ditë që të dorëzojë ankesë ndaj masës inspektuese të Inspektoratit të Punës, gjegjësisht paralajmërimit që drejtoresha Kosana Nikoliq Mazneva, të miratojë akt të shkruar me të cilin do t’i shfuqizojë vendimet për largimin e 32 punëtorëve nga puna, për shkak se vendimet e Higjienës Komunale Shkup nuk janë të ligjshme, shkruan Portalb.mk dhe Meta.mk.

Higjiena Komunale ka afat prej tetë ditësh të japë vërejte ndaj procesverbalit tonë, në të cilin për 32 të punësuar u konstatua se nuk janë sqaruar arsyet për largim nga puna, dhe nuk është respektuar afati i largimit nga puna. Prej këtyre tetë ditëve kanë kaluar gjashtë, që do të thotë se mbeten edhe dy, deri më 28 korrik ndërmarrja duhet të përgatitë vërejtje, pas [ka do të përgatiten vendimet. Pastaj, vijon paralajmërimi deri te Higjiena Komunale dhe ndërmarrjes do t’i jepet afat prej 3 ditësh të veprojë ndaj të njëjtës, gjegjësisht t’i kthejë punëtorët në vendet e punës”, thonë nga Inspektorati i Punës.

Nëse NP Higjiena komunale nuk vepron ndaj afatit prej 3 ditësh, përgatitet vendim-urdhër, për të cilin gjithashtu ndërmarrja do të ketë afat prej 3 ditësh që të veprojë ndaj të njëjtës.

Nëse ndërmarrja nuk vepron as ndaj kësaj, atëherë vijon urdhërpagesë – gjobë, në lartësi e cila varet prej shumë faktorëve, duke filluar nga mundësia e pagesës së ndërmarrjes, numri i të punësuarve e kështu me radhë.

Këtu, mbaron detyrua e Inspektoratit. Pas kësaj, palët mund të shkojnë në gjykatë.

Sipas informatave të Portalb.mk dhe Meta.mk, punëtorët do ta padisin Higjienën Komunale, nëse nuk rikthehen në punë.

Portalb.mk dhe Meta.mk qëndrim nga drejtoresha e Higjienës Komunale Kosana Nikoliq Mazneva, nëse do t’i respektojë udhëzimet e Inspektoratit, për t’i kthyer punëtorët në punë, megjithatë, ajo nuk iu përgjigj thirrjeve tona telefonike.

Procedurë tjetër para Bordit Drejtues të Higjienës Komunale

Nëpër media, dje u shkrua se Bordi Drejtues i Higjienës Komunale dje është mbledhur dhe ka diskutuar në lidhje me njoftimin e Inspektoratit Shtetëror për largimin e paligjshëm të punëtorëve të Higjienës Komunale Shkup. Sot, diskutuam me kryetaren e Bordit Drejtues, Juliana Spirovska, e cila tha se dje nuk kanë diskutuar për njoftimin e Inspektoratit, por për ankesat e punëtorëve të larguar nga puna, të cilët paraprakisht i kanë dorëzuar deri tek ata.

“Me njoftimin e Inspektoratit, nuk obligohet Bordi Drejtues, por drejtori i Higjienës Komunale të veprojë sipas vërejtjeve që Inspektorati i ka dhënë. Kështu, ne si Ndërmarrje Publike nuk i kemi vërejtjet e Inspektoratit, kemi vetëm njoftim se Inspektorati ka vepruar dhe ka dhënë udhëzime të caktuara ndaj Higjienës Komunale Shkup”, thotë Spirovska.

Portalb.mk, jozyrtarisht mëson se Bordi Drejtues vetëm 6 ankesa të punëtorëve i ka pranuar, megjithatë, kryetarja e Bordit Drejtues nuk dëshiron të flet për atë se si është vendosur, pasi që siç thekson “fillimisht duhet të njoftohen me shkrim të punësuarit dhe se nuk është mirë që ata të informohen nëpërmjet mediave”.

“Emra dhe numra nuk do të ju jap që të mos spekulohet në opinion pasi që procesi është gjithëpërfshirës”, shton Spirovska.

“Absolutisht nuk është vendim i fshehtë, votimi është publik. Mund të merrni informata nga shërbimet e Higjienës Komunale nëse janë dorëzuar njoftimet deri te të punësuarit. Nuk është korrekte që të punësuarit të marrin informata nga mediat. Nuk mund të komentoj informata të cilat nuk e di se kush ua ka dhënë. Unë mund të ju them se është marrë parasysh dokumentacioni konkret e cila është ofruar nga shërbimet e Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale Shkup, është qasur maksimalisht detajisht dhe me kujdes, në pajtueshmëri me Ligjin për Marrëdhënie Pune dhe Marrëveshjen Kolektive të Higjienës Komunale dhe anëtarët e kanë shprehur qëndrimin e tyre ashtu siç është. Ka konkluzion nga seanca, shpresoj që sot dhe nesër shërbimet e Higjienës Komunale do t’i informojnë të punësuarit në mënyrë individuale për rezultatin e votimit nga ana e Bordit Drejtues gjatë ditës së djeshme. Mund të them se procesi ka qenë transparent, gjithëpërfshirës në përputhje me rregullativën ligjore”, thotë Spirovska.

Trazirat në Higjienën Komunale Shkup

Ndryshe, dhjetëra punëtorë të Higjienës Komunale Shkup prej mbrëmjes së 7 korrikut (e premte) deri në mesditën e 10 korrik (e hënë) kanë protestuar dhe refuzuar të dalin në terren për t’i kryer detyrat e punës, për katër kërkesa kryesore, gjegjësisht kthimin e 7 punëtorëve të përjashtuar nga puna pa arsye, harmonizimin e rrogave me rrogën minimale, regres të pagës (K-15) dhe stazh të beneficuar. Me anë të forcave të njësive speciale, drejtoresha e ndërmarrjes në natën mes 9 dhe 10 korrik i nxori 4 kamionë nga hapësirat e ndërmarrjes, ndërkaq të nesërmen me rekomandim të Sindikatës punëtorët u rikthyen në terren. Pasdite, drejtoresha shkarkoi edhe 27 të punësuar tjerë.

Drejtoresha, Kosana Mazneva, e përkrahur nga kryetarja e Shkupit Danella Arsovska, në konferencë për shtyp, ashtu sikur edhe paraprakisht, me dhjetëra herë akuzuan se “struktura mafioze” pengojnë funksionimin normal të ndërmarrjes dhe bllokojnë punën. Akuzat, gjithashtu, ishin edhe për persona që siç thanë, marrin rrogë dhe nuk shkojnë në punë, por edhe për vjedhje të naftës, vajit për makina dhe pjesëve të automjeteve.

Portalb.mk, disa herë e pyeti drejtoreshën dhe kryetaren e Shkupit për të shpjeguar se kush janë këto struktura mafioze për të cilët flasin, por edhe për personat që nuk kanë shkuar në punë dhe kanë marrë rrogë, gjegjësisht kërkoi që të nxirren emrat dhe provat, por, megjithatë, edhe drejtoresha, por edhe kryetarja e Shkupit nuk treguan asnjë provë dhe asnjë dëshmi për akuzat.

Portalb.mk ka dërguar kërkesë për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publike për të marrë të dhëna zyrtare për çështjen e akuzave të drejtoreshës dhe kryetares së Shkupit, gjegjësisht për të treguar se kush dhe në çfarë mënyre e ka dëmtuar Higjienën Komunale Shkup. Deri sot, ende nuk kemi përgjigje.

Autorë: Suad Bajrami dhe Meri Jordanovska