Akuzat për “mafiozë”, Mazneva dhe Arsovska nuk i kanë paraqitur në Polici dhe Prokurori: Disa punëtorë ndiqen pse kanë protestuar

Drejtoresha Kosana Nikoliq Mazneva dhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska në lidhje me trazirat në Higjienën Komunale Shkup, akuzuan se struktura mafioze e kanë bllokuar këtë ndërmarrje, ka persona që marrin rrogë dhe nuk shkojnë në punë, por edhe se vidhet naftë dhe pjesë të automjeteve. Megjithatë, për asnjërën prej këtyre veprave nuk kanë dorëzuar paraqitje në Polici apo Prokurori, shkruan Portalb.mk.

Mazneva dhe Arsovska akuzuan se “strukturat mafioze” e kanë bllokuar Ndërmarrjen Publike Higjiena Komunale, por të njëjtat nuk kanë dorëzuar në Polici edhe Prokurori padi përkatëse, e cila më pas do të duhej të procesuohet dhe në fund të kishte një epilog gjyqësor, për të vërtetuar ose hedhur poshtë pretendimet e tyre.

“Në lidhje me kërkesën tuaj për dorëzimin e padi penale deri te MPB nga ana e Higjienës Komunale në dy muajt e fundit, ju njoftojmë se në periudhën e kaluar nga ana e Higjienës Komunale deri te PTHP Shkup më 08.07.2023 është dorëzuar padi penale në të cilën janë sublimuar vepra penale sipas nenit 384 “Pjesëmarrje në turmë që do ta pengojë personin zyrtar në kryerjen e veprimeve zyrtare”, nenit 139 “Detyrim”paragrafi1, paragrafi 3 dhe neni 230 “Rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me materie të rrezikshme” paragrafi 1 në lidhje me paragrafin 4 nga Kodi Penal, kopja e tyre është dorëzuar edhe deri te SPB Shkup

Më 10.07.2023, SPB Shkup deri te Prokuroria Themelore Publike Shkup ka dorëzuar padi penale kundër tre personave për veprat penale “Dhunë” sipas nenit 386 të Kodit Penal, në lidhje me rastin e paraqitur nga ana e një të punësuarit në Higjienën Komunale, i cili është sulmuar fizikisht nga kolegët e tij gjatë kryerjes së detyrave të punës, i cili menjëherë është pastruar”, thonë nga MPB.

Edhe në Prokurori, nuk ka asnjëfarë padi penale për akuzat e Maznevës dhe Arsovskës për persona që “marrin rrogë dhe nuk shkojnë në punë”.

Drejtoresha Kosana Mazneva në konferencë për shtyp tha se ka pasur persona që kanë qenë jashtë vendit dhe kanë marrë para nga Higjiena Komunale si të ishin në punë.

“Deri në këtë moment, deri te Prokuroria Themelore Publike Shkup, nuk është dorëzuar paraqitje me përmbajtje të tillë konkrete. Janë dorëzuar disa paraqitje lidhur me ndodhitë në ndërmarrjen publike dhe të njëjtat po verifikohen. Prokuroria Themelore publike i nxit institucionet kompetente për zbulimin e veprave penale të kryejnë verifikime dhe të dorëzojnë parashtresa përkatëse për të gjitha veprat penale që do tí zbulojnë. Gjithashtu, edhe vetë ndërmarrjet, nëse konstatojnë paligjshmëri në punë janë të detyruara që ta paraqesin në organet kompetente”, thonë nga Prokuroria.

Disa prej të punësuarve të larguar nga puna në Higjienën Komunale Shkup, u deklaruan për Portalb.mk, se e vetmja arsye pse janë larguar nga puna është pse janë ngritur në revoltë për t’i kërkuar të drejtat e tyre të mohuara dhe jo për shkak se nuk kanë shkuar në punë apo kanë kryer ndonjë vepër tjetër penale.

Ata na treguan dhe vendimet e largimit nga puna në të cilat, arsye kryesore theksohen pjesëmarrja e tyre në revoltin e punëtorëve.

Arsyet që numërohen në dokumentin e nënshkruar nga Mazneva janë:

  • Pengim të një ose më shumë punëtorëve në punë;
  • Gjatë punës ose në lidhje me punën ma kryer veprime në të cilat ka shenja të veprës penale;
  • Nuk u është përmbajtur dispozitave për mbrojtje shëndetësore, mbrojtje gjatë punës, zjarrit, shpërthimit, veprimit të dëmshëm të helmeve dhe materieve tjera të rrezikshme dhe i ka shkelur dispozitat për mjedis shëndetësor.

Në vendim thuhet se punëtori përjashtohet pasi që ka kryer vepra të parregullta, gjegjësisht prishjen e rendit të punës dhe disiplinës ose mosplotësim të obligimeve të punës të caktuara me ligj.

Punëtori ka të drejtë ta ankimojë vendimin në Bordin Drejtues të ndërmarrjes në afat prej 8 ditëve, ndërkaq ankesa nuk e mban nga zbatimi vendimin për përjashtim.

Në ndërkohë, 34 punëtorët e larguar nga puna, deri tek Inspektorati Shtetëror i Punës kanë dërguar paraqitje-ankesë kërkesë që inspektorët të konstatojnë gjendjen faktike për largimin e tyre nga puna.

“Largimi nga puna është tërësisht i pabazë, procedura është një lloj hajke (fushatë negative) e drejtoreshës kundër nesh pasi kemi shprehur pakënaqësi nga kushtet në të cilat punojmë dhe kërkuam pagimin e K-15, stazhin e beneficuar dhe harmonizimin e pagës me rritjen e pagës minimale. Nga ndërmarrja kërkuam kushte normale, por morëm vendime për anulimin e marrëveshjeve të punës. Në mesin e të përjashtuarve është edhe kryetari i Sindikatës dhe pjesëtari i SUTKOZit, Delija Dardhishta”, thuhet në kërkesën e punëtorëve.

Parashtresa e punëtorëve në Inspektorat
Parashtresa e punëtorëve në Inspektorat

Ata kërkojnë nga Inspektorati që nëse konstatohen parregullsi ose mosrespektim të ligjeve dhe Marrëveshjes Kolektive, ta obligojë Ndërmarrjen Publike Higjiena Komunale Shkup që në mënyrë individuale për çdo punëtor me vendim të veçantë t’i mënjanojë parregullsitë, ndërkaq nëse nuk vepron t’i shqiptohet gjobë punëdhënësit NP “Higjiena Komunale” Shkup.

Nga Inspektorati për Portalb.mk thonë se në lidhje me parashtresën e dorëzuar vijon mbikëqyrja inspektuese.

“Pas konstatimit të gjendjes faktike, duke e pasur parasysh vëllimin e dokumentacionit do të informoheni plotësisht”, thanë për Portalb.mk, nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

Kaosi në Higjienën Komunale Shkup

Ndryshe, dhjetëra punëtorë të Higjienës Komunale Shkup prej mbrëmjes së 7 korrikut (e premte) deri në mesditën e 10 korrik (e hënë) kanë protestuar dhe refuzuar të dalin në terren për t’i kryer detyrat e punës, për katër kërkesa kryesore, gjegjësisht kthimin e 7 punëtorëve të përjashtuar nga puna pa arsye, harmonizimin e rrogave me rrogën minimale, regres të pagës (K-15) dhe stazh të beneficuar. Me anë të forcave të njësive speciale, drejtoresha e ndërmarrjes në natën mes 9 dhe 10 korrik i nxori 4 kamionë nga hapësirat e ndërmarrjes, ndërkaq të nesërmen me rekomandim të Sindikatës punëtorët u rikthyen në terren. Pasdite, drejtoresha shkarkoi edhe 27 të punësuar tjerë.

Drejtoresha, Kosana Mazneva, e përkrahur nga kryetarja e Shkupit Danella Arsovska, në konferencë për shtyp, ashtu sikur edhe paraprakisht, me dhjetëra herë akuzuan se “struktura mafioze” pengojnë funksionimin normal të ndërmarrjes dhe bllokojnë punën. Akuzat, gjithashtu, ishin edhe për persona që siç thanë, marrin rrogë dhe nuk shkojnë në punë, por edhe për vjedhje të naftës, vajit për makina dhe pjesëve të automjeteve.

Portalb.mk, disa herë e pyeti drejtoreshën dhe kryetaren e Shkupit për të shpjeguar se kush janë këto struktura mafioze për të cilët flasin, por edhe për personat që nuk kanë shkuar në punë dhe kanë marrë rrogë, gjegjësisht kërkoi që të nxirren emrat dhe provat, por, megjithatë, edhe drejtoresha, por edhe kryetarja e Shkupit nuk treguan asnjë provë dhe asnjë dëshmi për akuzat.

Portalb.mk ka dërguar kërkesë për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publike për të marrë të dhëna zyrtare për çështjen e akuzave të drejtoreshës dhe kryetares së Shkupit, gjegjësisht për të treguar se kush dhe në çfarë mënyre e ka dëmtuar Higjienën Komunale Shkup. Deri sot, ende nuk kemi përgjigje.