Inspektorati i Punës miratoi vendim: Mazneva në mënyrë të paligjshme i ka përjashtuar nga puna punëtorët e “Higjienës Komunale” (Dokument)

Janë shkarkuar në mënyrë të kundërligjshme punëtorët e NP “Higjiena Komunale”, për të cilët drejtoresha Kosana Mazneva-Nikoliq tha se nuk kanë shkuar në punë dhe se janë mafioz. Inspektorati i Punës ka bërë një inspektim pas raportimit të të shkarkuarve, i cili ka rezultuar se nuk ka bazë për përjashtimin e tyre, transmeton Portalb.mk.

Sindikata e punëtorëve të hotelierisë, turizmit, ekonomisë komunale dhe zejtarisë së RMV-së (SPHTEKZ) dhe LSM presin që Bordi drejtues i NP Higjiena Komunale Shkup në seancën që do ta mbaj nesër, më 25.07.2023, duke vepruar sipas masës së inspektimit si dhe në bazë të kundërshtimeve të parashtruara nga punëtorët, të marrë vendim me të cilin do të anulohen vendimet për largim nga puna dhe punëtorët të kthehen menjëherë në vendet e tyre të punës.

Vendimi i Inspektoratit Shtetëror të Punës për punëtorët e Higjienës Komunale Shkup
Vendimi i Inspektoratit Shtetëror të Punës për punëtorët e Higjienës Komunale Shkup

 

“Ju informojmë se Inspektorati Shtetëror i Punës, pas ankesës së dorëzuar nga punonjësit e Ndërmarrjes Komunale “Higjiena Komunale” Shkup, të cilët janë përjashtuar nga puna, me ndihmën juridike falas të ofruar nga SUTKOZ dhe LSM, ka miratuar masë inspektuese me të cilën menaxhmenti i NP “Higjiena Komunale” Shkup duhet të nxjerrë aktin me shkrim për shkak se të njëjtat janë kundër ligjit dhe marrëveshjes kolektive”, njoftuan nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

SPHTEKZ dhe LSM në periudhën e kaluar kanë theksuar se menaxhmenti i Higjiena Komunale Shkup duhet të respektojë ligjin dhe marrëveshjet kolektive dhe se veprimet e ndërmarra nuk janë gjë tjetër veçse revanshizëm ndaj punëtorëve për luftën e tyre sindikale.

Ndryshe, dhjetëra punëtorë të Higjienës Komunale Shkup prej mbrëmjes së 7 korrikut (e premte) deri në mesditën e 10 korrik (e hënë) kanë protestuar dhe refuzuar të dalin në terren për t’i kryer detyrat e punës, për katër kërkesa kryesore, gjegjësisht kthimin e 7 punëtorëve të përjashtuar nga puna pa arsye, harmonizimin e rrogave me rrogën minimale, regres të pagës (K-15) dhe stazh të beneficuar. Me anë të forcave të njësive speciale, drejtoresha e ndërmarrjes në natën mes 9 dhe 10 korrik i nxori 4 kamionë nga hapësirat e ndërmarrjes, ndërkaq të nesërmen me rekomandim të Sindikatës punëtorët u rikthyen në terren. Pasdite, drejtoresha shkarkoi edhe 27 të punësuar tjerë.

Drejtoresha, Kosana Mazneva, e përkrahur nga kryetarja e Shkupit Danella Arsovska, në konferencë për shtyp, ashtu sikur edhe paraprakisht, me dhjetëra herë akuzuan se “struktura mafioze” pengojnë funksionimin normal të ndërmarrjes dhe bllokojnë punën. Akuzat, gjithashtu, ishin edhe për persona që siç thanë, marrin rrogë dhe nuk shkojnë në punë, por edhe për vjedhje të naftës, vajit për makina dhe pjesëve të automjeteve.

Portalb.mk, disa herë e pyeti drejtoreshën dhe kryetaren e Shkupit për të shpjeguar se kush janë këto struktura mafioze për të cilët flasin, por edhe për personat që nuk kanë shkuar në punë dhe kanë marrë rrogë, gjegjësisht kërkoi që të nxirren emrat dhe provat, por, megjithatë, edhe drejtoresha, por edhe kryetarja e Shkupit nuk treguan asnjë provë dhe asnjë dëshmi për akuzat.

Portalb.mk ka dërguar kërkesë për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publike për të marrë të dhëna zyrtare për çështjen e akuzave të drejtoreshës dhe kryetares së Shkupit, gjegjësisht për të treguar se kush dhe në çfarë mënyre e ka dëmtuar Higjienën Komunale Shkup. Deri sot, ende nuk kemi përgjigje.