60 vjetori i tërmetit shkatërrues, Pendarovski dhe delegacionet Qeverisë e Kuvendit vendosën lule para Memorialit për viktimat e tërmetit

Sot e 60 vite më parë – 26 korrik 1963, shkupjanët u zgjuan nga fatkeqësia më e madhe natyrore që i ndodhi qytetit. Në orën 05:17, toka në Shkup u lëkund me magnitudë 6.1 ballë të shkallës Rihter, transmeton Portalb.mk.

Me rastin e kësaj dite presidenti Stevo Pendarovski vendosi lule para Memorialit për viktimat e tërmetit, në varrezat e qytetit Butel në Shkup.

Delegacionet e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nga Qyteti i Shkupit, ambasadorë dhe delegacione nga përfaqësitë diplomatike-konsullore në vend, gjithashtu bënë nderime për të vdekurit në tërmet.

Delegacion i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe zëvendësministri i Arsimit Agim Nuhiu, poashtu vendosën lule të freskëta në Memorialin për viktimat e tërmetit në varrezat e Butelit.

“Në këtë ditë, ne shprehim respektin e duhur për viktimat e tërmetit dhe shprehim mirënjohjen tonë të pamasë për të gjithë nga e gjithë bota që ndihmuan që qyteti të rindërtohet dhe të gjallërohet me një fytyrë të re. Shkupi është bërë qytet solidariteti, i njohur për bashkimin e porosive botërore të ngushëllimeve dhe bashkëndjenja  me dhimbjen dhe humbjen e bashkëqytetarëve tanë. Ngushëllime për njerëzit që vdiqën në tërmet gjithashtu shprehën Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, delegacionet nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nga Qyteti i Shkupit, si dhe ambasadorët dhe delegacionet e misioneve diplomatike-konsullore në Maqedoninë e Veriut. Me rastin e 26 korrikut, ditës së përkujtimit të tërmetit katastrofal, Ministria e Kulturës dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot organizojnë një program multimedial të titulluar simbolikisht “Shkupi në pesë dhe shtatëmbëdhjetë”, me të cilat përmes një sërë ngjarjesh kulturore do të përkujtohen kujtimet e pasojave të tërmetit katastrofal”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Tërmeti la pas rrënoja, mori 1070 jetë dhe plagosi rreth 3000 njerëz. Mbi 200,000 banorë mbetën të pastrehë. Por edhe Shkupin e ktheu në qytet solidariteti – ndihma humanitare për rindërtimin e qytetit mbërriti nga të gjitha anët.

Edhe Kombet e Bashkuara ndërmorën aktivitete për të ndihmuar qytetin e shkatërruar. Më 23 shtator 1963, 35 shtete kërkuan nga Asambleja e Përgjithshme që në rendin e ditës të seancës të vendosë një pikë për marrjen e masave me rastin e tërmetit në Shkup. Më vonë, më 27 shtator, Asambleja e Përgjithshme i dha përparësi aksionit ndërkombëtar për dhënien e ndihmës për Shkupin.

Më 14 tetor, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri Rezolutën për t’i ofruar ndihmë qeverisë jugosllave në rindërtimin e Shkupit, duke shprehur keqardhjen për fatkeqësinë e madhe. Në debatin për dhënien e ndihmës për Shkupin, Asambleja e Përgjithshme dëgjoi prezantimin e përfaqësuesve nga mbi 20 vende nga të gjitha kontinentet. Ajo ditë mbeti në analet e Kombeve të Bashkuara si dita e Shkupit.

Në një intervistë për “Deutsche Welle” (DW), Paul Tange ka folur për babain e tij Kenzo – arkitekt japonez, dhe rolin e tij në restaurimin e Shkupit pas tërmetit shkatërrues 60 vjet më parë.

Për babain tim Shkupi ishte një projekt shumë i rëndësishëm dhe donte të ishte pjesë e rindërtimit të qytetit pas tërmetit shkatërrues. Pas Hiroshimës, kjo ishte përvoja e tij e dytë e përballjes me katastrofa të rënda.

“Mbaj mend që mendonte shumë se si mund t’u jepte jetë, shpresë njerëzve, fillimisht si njeri, e më pas si arkitekt. Mendonte si një profesionist që të krijojë një ide të mençur arkitektonike ose planifikimi për t’u dhënë njerëzve shpresë për të ecur përpara. Kështu, për të, rindërtimi i komunitetit në Shkup ishte shumë i rëndësishëm. Krijimi i një porte të qytetit në qendër të qytetit ku njerëzit mund të mblidhen vërtet dhe të ndjejnë se komuniteti ekziston përsëri. Sheshi i bashkuar ka të njëjtin funksion për të. Përsëri, një vend ku njerëzit mund të mblidhen. Jemi bashkë, pa dallim nëse jemi në njërën anë të lumit apo në tjetrën. Ai donte që njerëzit të ndjenin se ishin bashkë. Pra, për të ajo hapësirë ​​komunitare, krijimi i një qendre ku njerëzit mund të bashkohen ishte shumë e rëndësishme. Çfarëdo që kishte mbetur, ai u përpoq ta ruante në mënyrë që njerëzit të kuptonin se si ishte më parë dhe çfarë më pas”, thotë Paul Tange.

Sot 60 vjetori i tërmetit në kryeqytet do të shënohet me një sërë aktivitetesh në disa lokacione anembanë Shkupit.

Me rastin e 60 vjetorit të tërmetit katastrofal në Shkup të vitit 1963, një delegacion qeveritar i kryesuar nga zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq,i shoqëruar nga ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe zëvendësministri i Arsimit Agim Nuhiu do të vendosin lule të freskëta para memorialit për viktimat e tërmetit në varrezat e Butelit.