Mariçiq: Jemi gati për fazën tjetër të negociatave, për të cilën na mbetet t’i miratojmë ndryshimet kushtetuese

“Ne jemi të gatshëm për fazën e ardhshme të negociatave, për të cilën është e nevojshme të plotësohen obligimet nga Korniza negociuese për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, të cilën e miratuam më 19 korrik të vitit të kaluar. Përveç dy udhërrëfyesve, Udhërrëfyesit për Sundimin e Ligjit dhe Udhërrëfyesit për Reformën e Administratës Publike dhe Planit të Veprimit për Mbrojtjen e Pjesëtarëve të Komuniteteve Joshumicë, të cilat do t’i dërgojmë sot Bashkimit Evropian, ne duhet të kryejmë edhe një obligim kyç, ndryshimet kushtetuese”, tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq në konferencën e sotme për media, transmeton Portalb.mk.

Ai shtoi se është tërësisht përgjegjësi e jona e brendshme, e secilit prej nesh dhe veçanërisht e çdo deputeti në Kuvend.

Siç shpjegoi zëvendëskryeministri Mariçiq nga Presidenca spanjolle me KOREPER, në emër të Presidencës së BE-së, Maqedonia e Veriut ka marrë një letër me kushtet sipas të cilave mund të hapë negociatat për Klaszerin 1 – Vlerat Themelore.

“Në letër thuhet se pas përfundimit të skriningu për Klasterit 1, Bashkimi Evropian konsideron se hapja e këtij klasteri mund të parashikohet pasi të përfundojë faza e negociatave të anëtarësimit, në të cilën do të përgatiten dhe miratohen dy dispozita kryesore: Udhërrëfyesi për Reformat e Administratës Publike dhe Udhërrëfyesi për kapitujt mbi sundimin e ligjit shoqëruar me një Plan veprimi”, tha Mariçiq.

Zëvendëskryeministri shtoi se tashmë në qershor SÇE ka filluar aktivitetet për përgatitjen e këtyre dokumenteve dhe tashmë janë përgatitur, konsultuar me KE, Parlamentin, organizatat e shoqërisë civile, komunitetin akademik dhe sot do t’i dorëzohen Komisionit Evropian.

“Detyrimi ynë ka përfunduar, institucionet i kanë bërë detyrat me punë të përkushtuar dhe serioze. Ky është një moment historik për Maqedoninë e Veriut, për Ballkanin Perëndimor dhe për Bashkimin Evropian. Ajo që mungon është obligimi i fundit për të ecur përpara, e ky është ndryshimi i kushtetutës”, përfundoi Mariçiq.

Kujtojmë se më 14 dhjetor, krerët e shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së dje gjatë Samitit të BE-së në kuadër të debatit për zgjerimin e BE-së miratuan konkluzionet për procesin për vendin tonë, duke treguar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të përfundojë fazën e hapjes së negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, sapo vendi të ketë zbatuar zotimin e tij për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, në përputhje me procedurat e saj të brendshme, siç thuhet në vendimet e Këshillit të BE-së të datës 18 korrik 2022.

Ndryshe, procesi i skriningut mbaroi më 7 dhjetor, me skriningun bilateral për Kapitullin 31 – “Politika e jashtme e sigurisë dhe mbrojtjes” si pjesë e klasterit 6 – Marrëdhëniet e jashtme”.

Sekretariati për Çështje Evropiane theksoi që në këtë kapitull, Maqedonia e Veriut ka 100 % harmonizim të legjislacionit me BE-në për shkak se është anëtar i NATO-s.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.