Rrugëtimi i RMV-së në BE: Karrige e zbrazët, hesape dhe sundim i së drejtës

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Ballkani Perëndimor pas vendimit politik për fillimin e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë

Vendimet e Këshillit Evropian për të filluar negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë dhe për t’i dhënë Gjeorgjisë statusin e kandidatit nuk janë befasi. Megjithatë, në shtetet e Ballkanit Perëndimor mbizotëron rezignimi. Nuk ka pothuajse asnjë reagim publik ose të paktën reagime më të zëshme. Ato i gjejmë më së shumti në rrjetet sociale. Përfaqësuesit zyrtarë nga rajoni, por edhe ekspertët e pavarur, janë si në grackë: nga njëra anë ata nuk duan të jenë jokorrekt ndaj Ukrainës, por nga ana tjetër – këtë vendim e ndjejnë si të padrejtë ndaj tyre. Pas një pritjeje disa dekadëshe ato kanë ngecur plotësisht – me veto të vjetra e të reja, ndërsa kandidatët e rinj lindorë u “katapultuan” me procedurë ekspres.

Po shqyrtojmë tre pika kryesore që e kanë tërhequr vëmendjen nga vendimet e takimit të dhjetorit të kryetarëve të shteteve apo qeverive të BE-së lidhur me zgjerimin:

  1. Fenomeni “karrige e zbrazët”

Pasi vendimet për zgjerimin Këshilli Evropian i miratoi me karrigen e zbrazët të Orbanit, përfundimi i parë e shumë i dukshëm është – pra, mund të bëheshka edhe me abstenim. Megjithatë, ka reagime të ndryshme. Portali i njohur Euraktiv konstaton se një gjë e këtillë nuk është aplikuar deri më tani në historinë e BE-së , por e rekomandon si një modus për më tutje. Ka edhe mendime të kundërta – si për shembull ai i Qipros, zëdhënësi i qeverisë së së cilës shpreh shqetësim për metodën e tillë.

  1. Hesapi

Që Olafit t’i “vinte ndërmend”, e që Orbani të largohej nga salla me qetësi, sigurisht që kontribuoi edhe hesapi. Lëshimi i 10 miliardë eurove të fondeve të bllokuara të BE-së për Hungarinë për shkak të mospërputhjes në sundimin e së drejtës pak para Samitit duhet të ketë ndihmuar për zbrazjen e karriges– dhe rrjedhimisht edhe për vendimin për fillimin e negociatave.

Pas kësaj vijon bërja e hesapit për 50 miliardë euro për Ukrainën, të cilat Hungaria përsëri i bllokoi. Por përfaqësuesit zyrtarë të Unionit sigurojnë se edhe për këtë do të gjejnë zgjidhje – që në muajin janar.

Mësimi nga e gjithë kjo mbase do të ishte: “Nëse ka vullnet politik dhe/ose nëse ka hesap ka edhe zgjidhje”.

Problemi është se ky lloj mësimi nuk na shpie atje ku, të paktën në mënyrë deklarative, do të donim të shkonim edhe ne edhe Bashkimi Evropian. Dhe kjo sigurisht që është një shoqëri në të cilën sundon drejtësia dhe barazia, ose ajo që tani është një nga frazat kryesore në zgjerim – sundimi i së drejtës.

Viktor Orban. Foto nga profili i tij në Twitter
Viktor Orban. Foto nga profili i tij në Twitter
  1. Prandaj pika e tretë është efekti i mënyrës në të cilën u morën vendimet për fillimin e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë dhe statusin e kandidatit për Gjeorgjinë – jo vetëm i fundit, por i gjithë procesi që nga dorëzimi i aplikimit për anëtarësim e deri më

Fakti që procedura u përshpejtua nuk do të ishte një mëkat i madh, nëse kandidatët e rinj do të trajtoheshin njësoj si kandidatët e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, është e pamohueshme që u tejkaluan  disa procedura, dhe ajo që është më e rëndësishmja – kushtet që u vendosën për kandidatët lindorë për përparimin në proces ishin shumë më pak dhe shumë më të lehta se sa ato për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, ato në përgjithësi lidhen me standardet ose të paktën me praktikat më të mira të BE-së në sundimin e e së drejtës. Edhe me kushte kaq më të lehta, u mbyllën sytë para mosplotësimit të disa prej tyre.

Me gjithë këtë gjeopolitika dhe interesat e shteteve anëtare u vendosën mbi parimin e sundimit të së drejtës. Efekti predominant është – rezignimi tek shumica e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe mosbesimi si ndaj BE-së ashtu edhe ndaj institucioneve të tyre.

Fatkeqësisht, rezignimi është ajo për çka kanë më së paku nevojë qytetarët e të gjitha shteteve të rajonit tonë, tashmë të rraskapitur në dhomën e pritjes para BE-së. Përkundër kësaj, nevojitet një presion i fortë ndaj vendeve anëtare të BE-së për t’i ndryshuar tërësisht politikat ndaj rajonit, për çka tashmë ka propozime, por jo edhe vullnet për t’iu qasur.