Jo vetëm nga Bosnja, mashtrimi zgjedhor në Beograd është bërë edhe me votues nga Mali i Zi

Pretendimet e një funksionari të lartë të SNS-së së Aleksandar Vuçiqit se partia e tij solli votues nga Beogradi për të votuar në zgjedhjet lokale në Nikshiq dhe Budva në Mal të Zi në mënyrë efektive do të thotë se presidenti serb posedon një masë kritike prej të paktën 40,000 votuesish të dyfishtë, të cilët mund të ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve lokale në Mal të Zi, por edhe në Beograd, ku opozita konteston rezultatet e zgjedhjeve, shkruan gazeta malazeze Pobjeda.

Gazeta shkruan se vetëm pas zgjedhjeve të organizuara në Serbi më 17 dhjetor u bë e qartë heshtja e Ministrisë së Brendshme të Serbisë për shumicën e pyetjeve të dërguara nga policia malazeze për votuesit e dyfishtë, pasi këta persona me sa duket janë përdorur për inxhinierig zgjedhor si në Mal të Zi ashtu edhe në Serbi.

Zyrtari i lartë i SNS, Vladimir Gjukanoviç, konfirmoi se partia e tij organizoi sjelljen e votuesve nga Beogradi në zgjedhjet lokale në Mal të Zi. Ai, për Tanjug, është përgjigjur pozitivisht në pyetjen nëse kanë sjellë votues në zgjedhjet lokale në Mal të Zi, por edhe në entitetin boshnjak Republika Srpska.

“Sigurisht që sollëm njerëz në Nikshiq dhe…në Republika Srpska, për të gjithë ata që kanë të drejtë vote,” tha Gjukanoviç kur u pyet nëse kjo ishte metoda që ata praktikuan në Mal të Zi, dhe më pas aplikuan në zgjedhjet në Beograd.

Qendra malazeze për Monitorim dhe Kërkim (CEMI) vlerëson se vetëm në Serbi ka midis 50,000 dhe 80,000 votues të dyfishtë. Kjo organizatë ishte e para që zbuloi ekzistencën e votuesve të dyfishtë në zgjedhjet lokale të mbajtura në Mal të Zi dy vjet më parë në Herceg Novi dhe Nikshiq.

Gazeta malazeze Pobjeda shkruan se Ministria e Punëve të Brendshme te këtij vendi ka dëshmi konkrete për ekzistencën e të paktën 3500 votuesve të dyfishtë të regjistruar, por kolegët e tyre nga Serbia nuk iu përgjigjën pozitivisht kërkesave për verifikimin e atyre personave.

E njëjta gjë me Serbinë, Bosnja dhe Hercegovina, duke iu referuar mbrojtjes së të dhënave personale, refuzuan të bashkëpunojnë me Malin e Zi për këtë problem, duke iu referuar udhëzimeve të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Kryetari i Forumit Demokratik Qytetar, Zoran Vuletiq, konfirmon informacionin e gazetës Pobjeda se votuesit e dyfishtë nga Mali i Zi dhe entiteti Republika Srpska kanë ndikuar në zgjedhjet lokale në Beograd dhe pajtohet me tezën se janë ata që manipulojnë zgjedhjet në rajon nëpërmjet turizmit zgjedhor.

“Përderisa kjo lloj politike mbizotëron në Serbi, ne nuk do të jemi në gjendje të luftojmë, pavarësisht se për të gjithë është e qartë se çfarë ka ndodhur, dhe për më tepër, ata nuk e kanë problem atë që po bën qeveria e Vuçiqit në rajon: Bosnjë dhe Hercegovinë, Mali të Zi dhe Kosovë. Politika e Vuçiqit nuk i shqetëson disa nga politikanët në rajon”, thotë Zoran Vuletiq.

Ai shprehet pesimist se së shpejti do të ketë kushte të ndryshme zgjedhore në Serbi, duke shtuar se Serbia sipas regjistrimit të vitit 2022 ka 6.064.449 banorë, ndërsa në zgjedhjet e fundit numri i qytetarëve të regjistruar në listën zgjedhore ishte 6.500.165.

Opozita serbe Vitin e Ri do ta kalojë në rrugë

Iniciativa “ProGlas” mbajti një konferencë për media në Beograd, në të cilën treguan se kërkojnë përsëritje të plotë të zgjedhjeve të mbajtura në Serbi dhe paralajmëruan një protestë të madhe që do të mbahet më 30 dhjetor në kryeqytetin serb, transmeton H1.

Aktorja e njohur Svetlana Bojkoviq ka lexuar deklaratën, me të cilën kjo iniciativë kërkon përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare, lokale dhe provinciale dhe bëri thirrje që të shtunën të mbahet një protestë paqësore.

“Ne kërkojmë që zgjedhje të reja parlamentare, provinciale dhe lokale në të gjithë Serbinë të mbahen brenda gjashtë muajve pas procesit të ndryshimeve thelbësore të kushteve zgjedhore”, tha aktorja Bojkoviq.

“ProGlas” thotë se numri rekord i vëzhguesve të zgjedhjeve ka ndihmuar që në bashkëpunim me vëzhgues vendas dhe të huaj të mblidhen një sasi e madhe e dëshmive për parregullsitë drastike dhe inxhinierinë zgjedhore që ndodhën në Serbi më 17 dhjetor.