Mariçiq: Është koha për të marrë vendime, nëse opozita i voton ndryshimet kushtetuese, mund të ketë zgjedhje të parakohshme

Zgjedhje të parakohshme mund të ketë vetëm nëse opozita pranon të votojë ndryshimet kushtetuese dhe pastaj TË shpallim zgjedhje të parakohshme. Ky është i vetmi opsion që qeveria do ta pranonte. Nuk mendoj se është koha për zgjedhje të parakohshme, por është koha të marrim përgjegjësi dhe të zbatojmë obligimet tona, ka thënë zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, transmeton Portalb.mk.

“Qytetarët do të na jenë mirënjohës nëse e kryejmë obligimin para zgjedhjeve, që të mos rëndohen zgjedhjet, se kush është pro dhe kush kundër ndryshimeve kushtetuese, sepse kjo do të na çojë në një tunel të ri 10-vjeçar, nga të cilat nuk e dimë a do të mund t’i dalim më herët se 10 vjet? Nuk është koha për zgjedhje të parakohshme, është koha për të marrë vendime”, thotë Mariçiq, i cili po viziton Shtetet e Bashkuara.

Ai thotë se mesazhi që ka marrë nga takimi me përfaqësuesin e lartë të Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar, është se ekziston momentum për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, drejt integrimit evropian bashkë me situatën në Ukrainë.

“Nuk duhet ta humbim atë shans, nuk e dimë se kur do të kemi një shans të dytë, nuk do të ketë mundësi të diskutojmë dhe të negociojmë sërish për të njëjtat çështje që zgjidhëm verën e kaluar me Bullgarinë në formën e propozimit francez. Nuk është koha për politikë, për zgjedhje të jashtëzakonshme, nuk është koha për grindje partiake”, shprehet decid Mariçiq.

Lidhur me qëndrimin e VMRO-DPMNE-së se nuk do të lëvizë nga pozitat e saj dhe nëse ka plan “B”, zëvendëskryeministri thotë se kemi mbështetjen e aleatëve, por jo për ndonjë plan “B”.

“Vjen mbështetje nga të gjithë, por vetëm për planin ‘A’. Ky është plani i vetëm që kemi, që është përfundimi i amendamenteve kushtetuese, vazhdimi i negociatave me BE-në dhe anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut deri në vitin 2030. Çdo parti, çdo politikan, që e kundërshton këtë, do të mbajë përgjegjësi historike për dështimin e saj eventual. Jam i sigurt se kemi kohë të mjaftueshme deri në nëntor për të bindur të gjithë grupin parlamentar apo një pjesë të grupit parlamentar të opozitës që të votojnë për këtë propozim, sepse aksionet janë shumë të larta për të humbur këtë shans. Edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së edhe të partia duhet të përgjigjen se pse po punojnë për ta humbur këtë shans, sepse vitin e ardhshëm tashmë do të kemi një kontekst tjetër dhe do të vonojmë shumë. Ne kemi pritur tashmë 17 vjet për të filluar bisedimet, nuk ka as një ditë për të humbur”, tha Mariçiq.

Sipas tij, ekziston një ndjenjë se konsensusi për BE-në është prishur pasi VMRO-DPMNE-ja mori një qëndrim tepër të prerë për të mos përkrahur ndryshimet kushtetuese.

“Nuk mund të jemi vetëm deklarativë për BE-në, duhet ta tregojmë në veprim. Sot janë ndryshimet kushtetuese dhe nesër do të ketë shumë vendime të tjera që do të kërkojnë dy të tretat e shumicës dhe janë të lidhura me politika specifike evropiane, pavarësisht nëse bëhet fjalë për gjyqësorin apo për segmente të tjera”, thotë Mariçiq.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

VMRO-ja opozitare vazhdon të bllokojë procesin e ndryshimeve kushtetuese. Pasi fillimisht i pëlqeu ideja të formohet Qeveri kalimtare me VMRO-në e pa BDI-në, dhe të votohen ndryshimet kushtetuese, së fundmi, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ndryshoi mendje duke thënë se nuk do të flasë me Qeverinë për asgjë që është e lidhur me ndryshimet kushtetuese, por vetëm për zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare.

Përkundër bllokadës së VMRO-së, partitë në pushtet janë optimiste. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se ndryshimet kushtetuese do t’i dorëzohen Kuvendit për shkurt kohë. Këtë informatë, me fjalë të ngjashme e tha edhe ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Kujtojmë se diplomatët e vendeve të BE-së, ministri i MPJ-së Alexander Schallenberg, së bashku me kolegët e tij nga Çekia dhe Sllovakia kërkuan miratimin ndryshimeve kushtetuese që vendi të vazhdojë përpara drejt Bashkimit Evropian.

Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani,  tre krerët e diplomacisë theksuan se “po i përcjellin mesazhet e përfaqësuesit të lartë për punë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, për integrimin evropian të vendit.”

Nëse Maqedonia nuk i miraton amendamentet kushtetuese, ajo përballet me rrezikun të mbetet e izoluar, theksoi Schallenberg dhe e thirri opozitën e vendit të mbajë përgjegjësi politike për interesat kombëtare dhe jo partiake.

Edhe këshilltari në Departamentin e Shtetit Amerikan, Derek Chollet, deklaroi se hapi tjetër përpara drejt Bashkimit Evropian varet nga Maqedonia dhe se Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë krah vendit.