Takimi Mickoski-Taravari, VLEN: Është caktuar agjenda për bashkëqeverisje

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski sot ka vizituar shtabin qendror të VLEN-it në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, përcjell TV21. Mickoski është takuar me njërin prej liderëve të VLEN-it, Arben Taravarin. TV21 pyeti VLEN-in se për çfarë është biseduar në takim, dhe pse nuk kanë qenë prezent liderët e tjerë, nga atje na thanë:

“Është caktuar agjenda për bashkëqeverisje, kryesisht synimi për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Të gjithë liderët janë në koordinim të plotë për takimin, por kishin aktivitete në teren meqenëse janë bartës liste nëpër zona”, thonë nga VLEN për TV21.

Paraprakisht edhe Arben Taravari shkroi: “Ka ardhur koha për Ndryshim, bile jemi vonuar shumë!”

Kujtojmë se në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale 2024 nga numri i përgjithshëm i votuesve 1.1814.317 votuan 867.000 qytetarë apo 49,94%, prej të cilëve numri i votave të vlefshme ishte 881.272 ndërsa vota të pavlefshme dolën 24.562. Në bazë të rezultateve të fundit, dallimi mes Bujar Osmanit dhe Arben Taravarit ishte mbi 37 mijë vota, ndërsa mes Siljana Davkovës dhe Stevo Pendarovskit ishte mbi 182 mijë vota.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet me 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.