Chollet: SHBA-të gjithmonë do ta mbështesin Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt BE-së, por hapi tjetër përpara varet nga ju

Hapi tjetër përpara drejt Bashkimit Evropian varet nga ju dhe dijeni se Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë me ju. Jam i bindur se përfaqësuesit e popullit do të veprojnë në interesin më të mirë të vendit dhe do ta udhëheqin atë përpara, tha në një deklaratë për MIA-n, këshilltari në Departamentin e Shtetit Amerikan, Derek Chollet, transmeton Portalb.mk.

“Keni arritur shumë në tre dekadat e pavarësisë tuaj dhe këtë e keni arritur pavarësisht zhgënjimeve kur dyert njëra pas tjetrës ju mbyllen para jush. Me kurajo dhe sakrificë hapët derën e NATO-s dhe ne ishim pranë jush kur hytë. Tani u hap një derë tjetër. Siç tha së fundmi ambasadorja Angela Ageler, në thelb të vendimit tuaj janë njerëzit tuaj”, tha Chollet.

Sipas tij, arritjet dhe qëndrueshmëria e Maqedonisë së Veriut janë një frymëzim i vërtetë.

“Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë me Maqedoninë e Veriut pasi i arrin me sukses qëllimet e saj të përbashkëta. Për shumë vite, Maqedonia e Veriut ka qenë partnere e SHBA-së në fushën e sigurisë dhe në vetëm pak vite tashmë është dëshmuar se është një aleate e fortë në NATO. Kryesimi i jashtëzakonshëm i OSBE-së i vendit, si një lider i vërtetë, në këto momente vendimtare është jetik për përpjekjet tona për të kundërshtuar përhapjen e dezinformatave nga Rusia dhe për të mbështetur Ukrainën. Së bashku kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe sigurisë rajonale të energjisë. Ky është vetëm fillimi i një partneriteti të fortë që shkon përtej kufijve të vendeve tona dhe shtrihet në sigurinë rajonale dhe sfidat globale”, thotë Chollet.

Ai thekson se Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut kanë qenë “partnerë të palëkundur” për më shumë se 30 vjet dhe se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të investojnë në vend.

“Marrëdhëniet tona janë më shumë se fraza të thjeshta mbështetjeje dhe inkurajimi. Ne kemi investuar tek ju dhe do të vazhdojmë të investojmë tek ju për një arsye të thjeshtë: dëshirojmë që ju të keni sukses. Investojmë tek ju sepse forca, qëndrueshmëria dhe prosperiteti i vendit tuaj kontribuojnë në përmirësimin e të gjithëve ne. Dhe pikërisht për shkak të lidhjeve tona të qëndrueshme dhe interesave të përbashkëta, ne dëshirojmë që ju të siguroni të ardhmen tuaj si një shtet i fortë evropian. Ky ishte mesazhi im kur vizitova Shkupin në fillim të këtij viti, dhe përsëri muajin e kaluar kur mora pjesë në takimet e Sekretarit të Shtetit Blinken me kryeministrin Kovacevski dhe ministrin e Jashtëm Osmani në Uashington. Dëgjova drejtpërdrejt për përpjekjet që po bën qeveria juaj dhe qytetarët për të arritur qëllimet tuaja për integrimin euroatlantik. Ne i mbështesim fuqishëm këto përpjekje”, tha Chollet për MIA-n.

Këshilltari në Departamentin e Shtetit Amerikan thekson më tej se të dy vendet janë shoqëri të forta multietnike, thellësisht të përkushtuara ndaj vlerave të përbashkëta, duke përfshirë dinjitetin njerëzor dhe prosperitetin për të gjithë qytetarët.

“Si demokraci dinamike, ne zgjedhim përfaqësuesit tanë për të marrë vendime dhe për të bërë zgjedhje të vështira. Megjithëse procesi demokratik shoqërohet gjithmonë me mosmarrëveshje politike dhe poentime, zgjedhja juaj nuk duhet të jetë në kurriz të reformave kyçe dhe të shtetit ligjor. Në fund, jam i bindur se përfaqësuesit e popullit do të veprojnë në interesin më të mirë të vendit dhe do ta çojnë atë përpara”, tha Chollet.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

VMRO-ja opozitare vazhdon të bllokojë procesin e ndryshimeve kushtetuese. Pasi fillimisht i pëlqeu ideja të formohet Qeveri kalimtare me VMRO-në e pa BDI-në, dhe të votohen ndryshimet kushtetuese, së fundmi, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ndryshoi mendje duke thënë se nuk do të flasë me Qeverinë për asgjë që është e lidhur me ndryshimet kushtetuese, por vetëm për zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare.

Përkundër bllokadës së VMRO-së, partitë në pushtet janë optimiste. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se ndryshimet kushtetuese do t’i dorëzohen Kuvendit për shkurt kohë. Këtë informatë, me fjalë të ngjashme e tha edhe ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Kujtojmë se diplomatët e vendeve të BE-së, ministri i MPJ-së Alexander Schallenberg, së bashku me kolegët e tij nga Çekia dhe Sllovakia kërkuan miratimin ndryshimeve kushtetuese që vendi të vazhdojë përpara drejt Bashkimit Evropian.

Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani,  tre krerët e diplomacisë theksuan se “po i përcjellin mesazhet e përfaqësuesit të lartë për punë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, për integrimin evropian të vendit.”

Nëse Maqedonia nuk i miraton amendamentet kushtetuese, ajo përballet me rrezikun të mbetet e izoluar, theksoi Schallenberg dhe e thirri opozitën e vendit të mbajë përgjegjësi politike për interesat kombëtare dhe jo partiake.