Nuk ka asnjë mënyrë të shmanget procesi i ndryshimeve kushtetuese në rrugën eurointegruese, porositën tre ministrat e Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë

Pas takimeve disa orëshe me përfaqësues të pushtetit dhe opozitës në vend, tre ministrat nga Austria, Çekia dhe Sllovakia, potencuan konkluzionin se, Maqedonia e Veriut duhet të shfrytëzojë momentin për zhbllokimin e procesit eurointegrues të vendit. Siç theksuan, janë të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e procesit për ndryshimet kushtetuese, por nuk ekziston mënyrë që të shmanget ajo, deklaruan ministrat gjatë konferencës së pasditës. Ata refuzuan të ndajnë detaje nga bisedimet me VMRO – DPMNE-në opoziatre, e cila kundërshton ndryshimet kushtetuese, me arsyetimin se, do të bëhen pjesë e debatit politik, transmeton Portalb.mk.

“Erdhëm këtu për të fituar përshtypje të dorës së parë dhe patëm porosi që duhej t’i përcillnim. Do t’i njoftojmë partnerët tanë nga BE dhe përfaqësuesin e lartë, nuk jemi këtu për të ndërhy. Nëse e themi çdo detaj do të jetë kontraproduktiv, sepse do të bëhemi pjesë e debatit, ndërsa duam që të jemi pjesë e zgjidhjes”, tha ministri i Jashtëm i Ausitrisë, Alexander Schallenberg.

I pyetur për garancat se, ndryshimet kushtetuese nuk do të jenë kushti i fundit, ministri i jashtëm çek, Jan Lipavski tha se, ai personalisht do të angazhohet që të pengohen kërkesat shtesë në bazë bilaterale.

“Është e qartë se, zgjerimi i BE-së kërkon konsensus nga të gjitha vendet anëtare, kështu që askush nuk mund të përjashtojë ndikimin e politikës vendore. Ky është realitetit. Megjithatë, duhet të kuptojmë se, ka një atmosferë shumë të favorshme në BE kundrejt zgjerimit, ndërsa nuk kishte para dy viteve. Nuk e dimë se çfarë do të sjellë e ardhmja. Për këtë, duhet të shfrytëzojmë mundësinë, duhet të kërkojmë mënyra që të shkojmë përpara. Ndërsa, kjo do të thotë diskutime politike. Unë do të tentoj të bëj gjithçka që të pengohen kërkesat në bazë bilaterale, por nuk ka garancë”, potencoi Lipavski.

Tre përfaqësuesit e BE-së dërguan porosi se, zgjidhja duhet të jetë konsensus nacional. Ata u bën thirrje gjithë deputetëve t’i tejkalojnë interesat partiake.

“Duhet të shfrytëzohet ky moment, të mos lëshohet, sepse nuk ka alternativë që të përparohet në integrim. I theksuam këto çështje gjatë takimeve dhe nëse caktohet zgjedhje të hershme ajo do të jetë kundër-produktive. Të gjithë liderët duhet të arrijnë konsensus për këto çështje”, tha ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Mirosllav Vllahovski.