Mesazhe nga BE: Nëse në Maqedoni nuk ka ndryshime kushtetuese, vendi do të izolohet

Maqedonia e Veriut kaloi një maratonë të vështirë dhe do të ishte turp të pengohej mu në pengesën e fundit, tha ministri austriak i Punëve të Jashtme, Alexander Schallenberg, i cili së bashku me kolegët e tij nga Çekia dhe Sllovakia kërkuan miratimin ndryshimeve kushtetuese që vendi të vazhdojë përpara drejt Bashkimit Evropian, njofton Portalb.mk.

Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani,  tre krerët e diplomacisë theksuan se “po i përcjellin mesazhet e përfaqësuesit të lartë për punë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, për integrimin evropian të vendit.”

Nëse Maqedonia nuk i miraton amendamentet kushtetuese, ajo përballet me rrezikun të mbetet e izoluar, theksoi Schallenberg dhe e thirri opozitën e vendit të mbajë përgjegjësi politike për interesat kombëtare dhe jo partiake.

“Nuk ka kohë për të humbur. Do dëshiroja që të vazhdoni me ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të filluar me negociatat e nevojshme për anëtarësim. Shtyrja e miratimit të amendamenteve nënkupton shtyrjen e anëtarësimit të Maqedonisë në BE. Do të ishte turp që Shkupi pasi që vrapoi një maratonë të vështirë të pengohej në pengesën e fundit. Nëse nuk i pranon ndryshimet kushtetuese dhe nuk vazhdon në rrugën evropiane, Maqedonia përballet me rrezikun të jetë e izoluar. Duhet të jeni politikisht të ndërgjegjshëm dhe të keni në rend të parë interesat kombëtare, jo interesat partiake. Momenti është tani. Ju siguroj se ne nuk ndërhymë në punët e brendshme të vendit, zgjidhja mund të vijë vetëm nga Maqedonia. Tani është koha për të menduar në mënyrë strategjike, ky është edhe një mesazh për miqtë tanë nga Bullgaria, kaloni çështjet dypalëshe, deklaroi Schallenberg.

“Ne jemi këtu për të mbështetur vendin tuaj. Erdhëm për t’i inkurajuar të gjithë aktorët politik që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për hyrjen e vendit në BE. Unë gjithmonë them, NATO garanton sigurinë dhe BE garanton prosperitet. Të njëjtën gjë e dëshiroj edhe për Maqedoninë”, tha ministri çek i Punëve të Jashtme, Jan Lipavski.

Sipas ministrit Osmani, vizita e tre kolegëve evropianë është një mesazh i qartë se ata nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit, por kanë ardhur për të treguar se procesi është i besueshëm dhe e sigurojnë shtetin tonë se sakrificat do të paguhen me anëtarësimin në BE.

“Ose do të kalojnë amendamentet kushtetuese ose do t’i ndërpresim negociatat me BE-në, nuk ka opsion të tretë” tha Osmani.

Në kuadër të vizitës diplomatike, tre ministrat sot pasdite do të takohen me presidentin Stevo Pendarovski, krye-parlamentarin Talat Xhaferi dhe liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ndërsa do të kenë takime të ndara me deputetë të opozitës dhe koalicionit qeverisës.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

VMRO-ja opozitare vazhdon të bllokojë procesin e ndryshimeve kushtetuese. Pasi fillimisht i pëlqeu ideja të formohet Qeveri kalimtare me VMRO-në e pa BDI-në, dhe të votohen ndryshimet kushtetuese, së fundmi, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ndryshoi mendje duke thënë se nuk do të flasë me Qeverinë për asgjë që është e lidhur me ndryshimet kushtetuese, por vetëm për zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare.

Përkundër bllokadës së VMRO-së, partitë në pushtet janë optimiste. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se ndryshimet kushtetuese do t’i dorëzohen Kuvendit për shkurt kohë. Këtë informatë, me fjalë të ngjashme e tha edhe ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.