Mickoski: I ndërpresim të gjitha takimet me Qeverinë për amendamentet kushtetuese

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha sot se nga ky moment nuk do të flasë më asgjë që është e lidhur me ndryshimet kushtetuese, por e vetmja gjë që do të jetë temë është të ulemi në tryezë dhe të diskutojmë për zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare këtë vjeshtë, transmeton Portalb.mk.

Komiteti ekzekutiv i partisë më të madhe opozitare, tha Mickoski, njëzëri vendosi të ndërpresë të gjitha takimet me qeverinë.

“Kemi një vit që presim ndryshimet kushtetuese, sepse nëse ju kujtohet nga viti i kaluar në korrik, filloi kjo dramë për ndryshimet kushtetuese, duhej vjeshta, pastaj dimri 2022, pastaj e kaluan në shkurt, jo shkurti por maji, pastaj qershori dhe korriku këtu erdhi që ne vazhdimisht të kemi një proces të shtyrjes, dhe procesi i shtyrjes do të thotë se ata nuk e kanë mbështetjen që e kanë pranuar pa u konsultuar me opozitën dhe pa u konsultuar me popullin maqedonas”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës së sotme në Komunën e Shtipit.

Ai tha se ka pasur shumë mundësi për konsensus kombëtar dhe për të dalë nga kjo situatë.

“Pas një viti mund t’i them Kovaçevskit, Osmanit, Mariçiqit dhe të tjerëve se nuk ka më asgjë në tavolinë. Ka vetëm një gjë për të bërë, ajo është të ulemi dhe të biem dakord për zgjedhjet. Kur do të jenë zgjedhjet, si do të jenë zgjedhjet, në çfarë mënyre me Qeveri teknike, pa Qeveri teknike apo gjithçka që lidhet me zgjedhjet”, tha Mickoski.

Më 7 qershor të këtij viti, kryetarët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Dimitar Kovaçevski dhe Hristijan Mickoski, në takim liderësh kanë diskutuar për ndryshimet kushtetuese, por kanë thënë se do t’i shqyrtojnë opsionet për zbatimin e tyre. Kjo u pasua nga një sërë deklaratash dhe informacione të ndryshme se si dy liderët dhe të dyja palët i interpretuan bisedimet. Autoritetet vazhdimisht pretendonin se VMRO-DPMNE i pranoi amendamentet kushtetuese, ndërsa partia opozitare siguroi se nuk ishte kështu dhe se nuk do të pranonin amendamentet kushtetuese nën diktimin bullgar dhe në kushte të tilla.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje bëri të ditur se ndryshimet kushtetuese megjithatë do të kalojnë në Kuvend.

“Amendamentet kushtetuese do t’i dorëzohen Kuvendit gjatë dy javëve të ardhshme dhe do të fillojë procesi i diskutimit sipas procedurës për të njëjtat në Kuvend ku e ka vendin”, tha Kovaçevski.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila deri në realizimin e takimit të liderëve kishte qëndrim të betonizuar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.