Osmani: Ndryshimet kushtetuese do t’i dorëzohen Kuvendit për shkurt kohë

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani thotë se,  po bëhen përgatitjet e fundit të ndryshimeve kushtetuese dhe se, sipas pritjeve të tij, ato do t’i dorëzohen Kuvendit për shkurt kohë, me çka përfundimisht në opinion, por edhe në shtëpinë ligjvënëse, mund të fillojë debati thelbësor në lidhje me përmbajtjen e amendamenteve, transmeton Portalb.mk.

“Po bëhen përgatitjet e fundit. Unë pres që të jetë shpejtë. Po caktohet termini të jetë i përshtatshëm, përkatësisht ta ndihmojë debatin dhe diskutimin”, tha Osmani.

Ai gjatë një interviste për Kanal 5, tha se është shumë i rëndësishëm momenti kur Qeveria do t’i dërgojë amendamentet dhe do të filojë debati, duke thënë se, atëherë opinioni do të mund të jap mendim të tij dhe të vendosë në mënyrë “fer” nëse ato janë formulime të këqija apo të mira.

“Ne duhet dalëngadalë t’i heqim ato shtresa të propagandës që të arrijmë në thelbin e ndryshimeve kushtetuese”, tha Osmani.

Sipas tij, ajo që  tani flitet për ndryshimet është vetëm politikë partiake, ndërsa qytetarët nuk e din thelbin e tekstit, përkatësisht, njerëzit do të befasohen kur do të përballen me tekstin, sepse ai është plotësisht i ndryshëm nga ajo që ofrohet në hapësirën mediatike.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila deri në realizimin e takimit të liderëve kishte qëndrim të betonizuar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.