Lloga: Këtë verë do të kemi ndryshime kushtetuese, në VMRO – DPMNE po flitet për këtë temë

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga tha se ka informacione se, në VMRO – DPMNE po flitet për ndryshimet kushtetuese. Gjatë një interviste për TV Sitel, Lloga deklaroi se, deri në fund të dhjetë ditëve të ardhshme, ndryshimet kushtetuese do t’i dorëzohen Kuvendit dhe do të votohen, transmeton Portalb.mk.

“Besoj thellësisht se këtë verë do të kemi ndryshime kushteutese. Propozimi nga ana jonë është në procedurë qeveritare më shumë se dy – tre javë. Kryeministri së bashku me Mickovski u ulën dhe kishte njëfarë marrëveshje deri diku për mbështetje, por fitohej kohë që ndryshimet kushtetuese të shkojnë në Kuvend në mënyrë konsensuale. Mbeten edhe disa ditë. Besoj se, deri në fund të këtyre dhjetë ditëve do të procesohen dhe do të dorëzohen në Kuvend. Procesi nuk është i lehtë, kërkon konsensus të gjerë dhe dy të tretat në Kuvend, të cilat besoj se do të sigurohen. Besoj, sepse kam informacione se në VMRO – DPMNE bisedohet për një proces të atillë dhe se, nëse ata nuk janë për mbështetje të ndryshimeve kushtetuese, do të gjenden njerëz të tjerë”, theksoi Lloga.

Sa i përket amendamenteve, ministri tha se, nuk ka asgjë të re nga ajo që veç më është publikuar në opinion.

“Bëhet fjalë për preambulën ku shtohet etnitete të tjera dhe për pjesën e komitetit”, tha ministri i Drejtësisë.

Ndërkohë, koordinatori i grupit parlamentar të VMRO – DPMNE-së, Nikolla Micevski, tha për TV Alfa se, momentalisht as deputetët e pushtetit nuk e dinë se çfarë përmbajnë propozimet për ndryshimet kushtetutese, ndërsa pushteti e zvarrit procesin pasi nuk ka shumicë.

“Ky proces po zvarritet nga viti i kaluar kur e miratuan propozimin francez. Qeveria atëherë paralajmëronte se ka 80 deputetë dhe se, ndryshimet kushtetuese do të hyjnë shpejtë në procedurë parlamentare. Më pas u tha se do të vazhdohet në dhjetor, më pas në shkurt, maj, erdhëm në korrik dhe sërish përmenden termine”, deklaroi Miceski.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

VMRO-ja opozitare vazhdon të bllokojë procesin e ndryshimeve kushtetuese. Pasi fillimisht i pëlqeu ideja të formohet Qeveri kalimtare me VMRO-në e pa BDI-në, dhe të votohen ndryshimet kushtetuese, së fundmi, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ndryshoi mendje duke thënë se nuk do të flasë me Qeverinë për asgjë që është e lidhur me ndryshimet kushtetuese, por vetëm për zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare.

Përkundër bllokadës së VMRO-së, partitë në pushtet janë optimiste. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se ndryshimet kushtetuese do t’i dorëzohen Kuvendit për shkurt kohë.