Simpoziumi Ndërkombëtar i Strugës me buxhet qesharak

Nga data 13 korrik, pra nga dje ka filluar një simpozium i artit pamor në Strugë, gjegjësisht atij figurativ i cili është me karakter ndërkombëtar. Për të parë se cilët artistë marrin pjesë e keni afishen e bashkangjitur si ilustrim të këtij shkrimi në Portalb.

Vetvetiu më kapi e qeshura kur Burhan Ahmeti më tha se pjesëmarrësit paguajnë biletë deri më 2000 euro që të marrin pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar të Strugës të artit figurativ për të cilin Ministria e Kulturës sivjet ka ndarë buxhet prej 53.000 denarësh.

Afishe e simpoziumit
Afishe e simpoziumit

Më doli një e qeshur sarkastike e pakontrolluar, sa që kisha frikë mos keqkuptohem se pse më erdhi.

Një reagim i tillë do të vinte nga çdokush që e kupton ironinë e kësaj situate. Çka tregon kjo?

Flet shumë për qasjen tonë që kemi ndaj artit dhe për qasjen e artistëve pjesëmarrës që veç nisja u kushton shumë më shumë se buxheti total i kësaj ngjarjeje.

Pas kësaj ngjarjeje me rëndësi qëndrojnë artistët, si ; Burham Ahmeti, Verim Zendeli, Teuta Imeri, Akime Nasufi Rexhepi, Jëlldëz Asani , pra profesorë, piktorë, grafistë, kritike arti.

Emra të njohur e të dëshmuar që mezi e presin këtë simpozium, i cili sivjet mbahet për të tetën herë dhe përveç se i kushtojnë shumë kohë e përkujdes, herë pas here ndajnë dhe pagat e tyre kur duhet të mbulojnë harxhime që dalin jo jashtë shumës qesharake që ndanë ministria, po shumës që sponsorë të ndryshëm ndajnë për artistët dhe aktivitetet e tyre.

Sivjet, numri i artistëve pjesëmarrës është më i vogël, diku gjashtëmbëdhjetë piktorë që vinë rajoni dhe bota.

Burhani dhe Verimi thanë se shumë herë janë ankuar, por arsyeja pse nuk hasin në mirëkuptim, është jo gatishmëria e organizatorëve për të “bërë pazare” , siç disa artistë të ngratë detyrohen t’i bëjnë që të fitojnë një shumë pak më të dinjitetshme.

Ministria e Kulturës duhet të paktën t’i lexoj projektet dhe të shoh programin dhe në përputhje me atë të lëshoj mjete, ose të mos fyej duke ndarë një buxhet sa për sy e faqe.

Artistët nga India dhe Dubai Dubai
Artistët nga India dhe Dubai

Parimi për të gjithë nga pak dhe për askënd sa duhet, është i gabuar ( përfshijmë këtu edhe ata që shënohen me buxhete marramendëse, por marrin më pak sepse duhen kënaqur apetitet e atyre që përfitojnë në sajë të kësaj ministrie)

Më mirë është të financohen më pak projekte por me buxhet të leverdishëm e siç duhet, duke krijuar një rend sipas të cilit askush nuk do të anashkalohet. Ndodhitë serioze të cilat do të klasifikohen nga një juri shumë profesioniste të kenë një buxhet të çdo- vitshëm,

Pazaret në art dhe kulturë janë të patolerueshme dhe të dëmshme si për komunitetin edhe për artistin i cili fillon e mendon se ato para janë të atyre që ndajnë kulaçin dhe jo para të popullit që paguajnë për kulturë.  Në një reagim publik para dy vitesh Burhani shkroi:

‘’Ministria e Kulturës në kohën e VMRO-së kishte një “të mirë” sepse që në fillim i refuzonte projektet shqiptare me arsyetimin se nuk i “plotësoni kriteret”.

Këto tjerët (me nder me thënë) LSDM-ja, ta kalojnë projektin sa për tu arsyetuar se ju kemi lëshuar mjete. Kur e sheh shumën që e kanë planifikuar, s’di a të qeshësh apo të qash.

Artistët nga Azerbejxhani
Artistët nga Azerbejxhani

T’ia kthejmë prapë më mirë ministreshës paratë, ndoshta ajo mund ta organizojë më mirë simpozium arti ndërkombëtar me 100.000 denarë (-11% diku tatimi, d.m.th. i bie 89.000 denar).

Sivjet do bëjmë fizkulturë, meqë s’ka para për kulturë!’’- kështu përmbyllej reagimi i cili nuk ishte i fundit, por siç duket hasi në vesh të shurdhër.

Sivjet është përgjysmuar ky buxhet, në 53. 000 denarë, hiq këtu dhe tatimin diku 40. 000 denarë , ndoshta veç një drekë të vobektë e hanë bashkë me këtë buxhet.

Ka të drejtë Burhani kur thotë: “Artistët në Maqedoninë e Veriut gati se aspak nuk reagojnë në situata të ndryshme, apo nuk e përdorin artin e tyre për t’iu rezistuar institucioneve shtetërore apo politikës së gabuar, nuk i dalin para “nënës”.

Ato edhe pse shpesh përfshihen në politikë por prapëseprapë nuk arrijnë që t’i ndryshojnë gjërat parësore në favor të tyre apo të komunitetit të artistëve. ”

Dëshira e madhe dhe dashuria për gjërat i mban artistët në vertikale dhe të plotësuar. Ndaj, simpoziumi do të mbahet, siç e kanë mbajtur gjithnjë. Edhe buxheti më i lartë kurrë nuk e ka tejkaluar shumën që përmendëm për biletën lart. Qasja jonë për kulturën duhet të ndryshojë, por nga t’ia nisim?!