Ligjet për reforma në administratën publike të RMV-së kaluan në Komision, pritet të votohen në seancë plenare

Propozim ligjet e propozuar nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) për reforma në administratën publike, gjatë ditës së djeshme janë miratuar në Komisionin për Çështje Evropiane, ndërkaq tani pritet që të njëjtat të votohen në seancë plenare, njoftoi ministri Azir Aliu. Ligjet që kanë kaluar janë Ligji për Nëpunësit Administrative, Ligji për të Punësuarit në Sektorin Publik, Ligjin për Sigurinë e Rrjeteve dhe Sistemeve Informative dhe Transformim Digjital dhe Ligji për Përkryerje Profesionale dhe Trajnim të Nëpunësve Administrativ, transmeton Portalb.mk.

“Seanca plenare për votimin nga deputetët do të miratojë ligjet mbi të cilën do reformohet sistemi i administratës për të qenë një administratë më profesionale më efikase dhe më e besueshme për të gjithë qytetarët. Paketën e ligjeve ne nuk e bëmë për individë apo mandate të caktuara por për të riorganizuar institucionet por edhe për procesin eurointegrues të vendit tonë. Sepse reforma e këtyre ligjeve ka në fokus ndryshime në shtetin”, shkruan Aliu.

 

Paraprakisht, Aliu më 23 janar mbajti konferencë për shtyp në të cilën kërkoi që të votohen sa më shpejtë dhe të mos zvarritet procedura.

“Shtyrja e këtyre ligjeve pengon reformën në administratën publike, e cila është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian. Reforma në administratën publike është e nevojshme. I ftoj deputetët të bisedojmë nesër, nuk duhet të presim sepse këto janë ligjet kyçe. Nuk ka kohë për të humbur, reforma tani dhe menjëherë”, tha asokohe Aliu.

Më 15 janar, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu në seancë plenare të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut i prezantoi 5 propozim-ligjet, të cilat paraprakisht u miratuan në Qeveri, gjegjësisht Ligjin për nëpunësit administrative; Ligjin për të punësuarit në sektorin publik; Ligjin për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informative dhe transformim digjital; Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhim elektronik dhe shërbimeve elektronike; dhe Ligjin për përkryerje profesionale dhe trajnim të nëpunësve administrativ.

Pasi ligjet janë me procedurë të shkurtuar leximi i dytë dhe i tretë janë mbajtur në mbledhjen e njëjtë.

Pavarësisht paralajmërimit se janë 5 ligje, Aliu ka njoftuar se janë miratuar 4, gjegjësisht nuk e ka përmendur Ligjin për Menaxhim Elektronik dhe Shërbime Elektronike.

Çfarë parashohin lgijet?

  1. Ligji për Nëpunësit Administrativ i cili nëse miratohet duhet të hyjë në fuqi në vitin 2025, mes tjerash, parasheh dhe mënyrë tjetër të procedurës së punësimit. Gjegjësisht me ligjin e ri, kandidatët për t’u punësuar në administratë do të testohen një herë dhe në pesë vitet e ardhshme do të kenë mundësi që të kandidojnë nëpër konkurse të ndryshme. Megjithatë, sipas paralajmërimeve ky nuk do të jetë testimi i vetëm, në fazën e dytë, do të ketë edhe testime shtesë. Lexo më shumë: Ligji për Nëpunësit Administrativ është miratuar në Qeveri: Parasheh mënyrë të re në procedurën e punësimit në administratën publike.
  2. Nëse miratohet Ligji për të Punëusarit në Sektorin Publik, do të rregullohet procedura e punësimeve në institucionet e sektorit publik, të cilat përfshijnë fushën e arsimit, shëndetësisë, administratës, pushtetit lokal, kulturës, gjyqësorit, punës dhe politikës sociale, transportit dhe një sërë institucionesh tjera. Me këtë ligj, parashihet që prej vitit 2025 nuk do të ketë më punësime të përkohshme nëpërmjet agjencive. Me ligj, do të detyrohen të gjitha institucionet që shpalljet publike për punë, përveç faqes së Agjencisë për Administratë, t’i publikojnë edhe në faqet e tyre. Lexo më shumë: Do të ndalohen punësimet nëpërmjet agjencive për punësim të përkohshëm në sektorin publik
  3. Ligji për Sigurinë e Rrjeteve dhe Sistemeve të Informacionit dhe Transformimit Digjital cili, parasheh themelimin e Agjencisë për Transformim Digjital, i cili pritet të jetë institucion udhëheqës në procesin e digjitalizimit. Nëse miratohet ligji në Kuvend, Agjencia, pritet të fillojë me punë gjatë vitit 2024 dhe për këtë janë siguruar mjete buxhetore. Me këtë ligj paraqitet që të IT-të e punësuar nëpër institucione të kalojnë në këtë Agjenci, gjegjësisht ata vetëm fizikisht do të jenë në institucionet ku punojnë, ndërkaq juridikisht do të jenë të punësuar në Agjencinë për Transformimin Digjital.  Lexo më shumë: Me formimin e Agjencisë Digjitale, rrogat e IT-ve të punësuar në shtet do të llogariten sipas mesatares së rrogave në privat
  4.  Ligji për Përkryerje Profesional dhe Trajnimin e Nëpunësve Administrativ, i cili parashikon formimin e një institucioni të ri, gjegjësisht Qendrës për Aftësim Profesional dhe Trajnim të Nëpunësve Administrativ me fusha tematike, i cili do të jetë ligj krejtësisht i ri. Sipas ligjit, i cili duhet të hyjë në fuqi në vitin 2025, pas punësimit, administratorët do të duhet të ndjekin trajnim dhe më pas të testohen me shkrim dhe gojarisht. Nëse nuk i kalojnë testimet, u ndërpritet marrëdhënia e punës. Testimin do ta kryejë komisioni i trajnuesve, në të cilin obligativisht është i kyçur edhe personi udhëheqës nga sektori ku i punësuari punon. Nëse nuk e kalon testin me shkrim, i punësuari në afat prej tre muajsh ka të drejtë edhe një herë të testohet, ndërkaq nëse edhe për herë të dytë nuk e kalon, atëherë i ndërpritet marrëdhënia e punës. E njëjta e drejtë është edhe për testimin gojarisht, pra nëse njëherë nuk e kalon ka të drejtë të testohet sërish, ndërkaq për së dyti nëse nuk e kalon, atëherë i ndërpritet marrëdhënia e punës dhe nuk mund të jetë pjesë e administratës publike. Lexo më shumë: Do të krijohet institucion i cili do t’i testojë administratorët e ri: Nëse nuk kalojnë testin, përjashtohen nga puna

Në pakon e ligjeve reformuese mungon ligji i shumëpritur dhe shumëkërkuar për Shërbim të Lartë Udhëheqës, gjegjësisht për top-menaxhment apo drejtorë profesionalë. Gjatë vitit 2023 pati ndryshim nga versioni fillestar i cili u kritikua ashpër nga sektori civil.

Ligjet në fjalë janë të domosdoshme për reforma në administratën publike, por edhe për procesin eurointegrues të vendit, duke e pasur parasysh se për disa prej tyre, në raportin e progresit të Komisionit Evropian për vitin 2023 është theksuar nevoja urgjente për t’u miratuar.

Maqedonia e Veriut vitin e kaluar mori “karton të verdhë” apo notë 3 për fushën e reformave në administratën publike nga Komisioni Evropian. Shumica e ligjeve të shumëpritura me vite për çështjen e digjitalizimit, shërbimeve elektronike, meritokracinë, punësimet, u finalizuan dhe miratuan në qeveri, por nuk janë votuar ende në Kuvendin i cili ka mandat deri në pranverë. Në udhëkryq ka mbetur ligji për drejtorë profesional, i cili do të duhet ta rregulloje procedurën që zgjedhja e udhëheqësve të bëhet sipas kritereve përkatëse dhe jo në bazë të koalicioneve mes partive.

Viti 2024 është vit i zgjedhjeve dhe nuk dihet se cila parti do të udhëheqë me resorin e MSHIA-së. Qasja ndaj reformave në administratës publike, do të varet edhe nga vullneti i partive se në çfarë drejtimi do t’i zhvillojnë ose jo reformat.

Plotësisht, në partinë të cilën e përfaqëson Aliu, Aleanca për Shqiptarët, ka mosmarrëveshje për atë se si do të shkojë në zgjedhje kjo parti. Arben Taravari i cili është kryetar i partisë thotë se do të shkojnë në zgjedhje me opozitën shqiptare, ndërkaq Ziadin Sela ish kryetar i partisë thotë se partia do të shkojë vetëm.

Kjo mosmarrëveshje ka shkaktuar dhe probleme në zgjedhjet kadrovike, Aliu në këtë rast është rreshtuar pas Taravarit, për çka krahu i Selës në parti ka kërkuar shkarkimin e tij.

Taravari momentalisht në Kuvend ka mbështetjen e dy deputetëve, ndërkaq Sela ka 6 deputetë. Për këtë, Qeveria ka propozuar që të shkarkohet Aliu bashkë me kolegun e tij të Ministrisë së Shëndetësisë. Në vend të Aliut është propozuar për ministër, Naim Bajrami, kuadër i ASH-së, i cili mbështet Selën.