Azir Aliu nuk dha dorëheqje, kërkoi që deputetët të diskutojnë ligjet për reforma në administratë dhe digjitalizim

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu nuk dha dorëheqje sot ashtu siç u paralajmërua për shkak të zvarritjes së procedurës për pesë propozim-ligjet për reforma në administratën publike dhe transformim digjital të cilat janë miratuar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Ai përmes konferencës për shtyp u kërkoi deputetëve që të ulen nesër dhe të diskutojnë për këto ligje, raporton Portalb.mk

“Qytetarët tanë meritojnë ndryshime, ka pasur spekulime se unë do të dorëzohem, do të jap dorëheqje, por këtë angazhim e kam marrë me nder dhe për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të kontribuar në vizionin e për tu bërë vend më i mirë. Ata që më njohin e dinë që nuk dorëzohem. Nëse ka ndonjë arsye që këto ligje të mos miratohen, unë jam gati të paraqes dorëheqjen time fillimisht te partia ime, por deri më tani askush nuk më ka thënë që këto ligje nuk duhen miratuar dhe nuk e kuptoj pse po vonohen”, tha Aliu.

Ai mes tjerash njoftoi se këto ligje do të jenë në seancë plenare të Kuvendit me 30 janar në ora 11:00. 

“Shtyrja e këtyre ligjeve pengon reformën në administratën publike, e cila është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian. Reforma në administratën publike është e nevojshme. I ftoj deputetët të bisedojmë nesër, nuk duhet të presim sepse këto janë ligjet kyçe. Nuk ka kohë për të humbur, reforma tani dhe menjëherë”, tha Aliu.

Sipas burimeve të Portalb.mk nga Kabineti i ministrit, ligjet janë duke i bllokuar deputetët e LSDM-së dhe BDI-së.

Më 15 janar, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu në seancë plenare të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut i prezantoi 5 propozim-ligjet, të cilat paraprakisht u miratuan në Qeveri, gjegjësisht Ligjin për nëpunësit administrative; Ligjin për të punësuarit në sektorin publik; Ligjin për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informative dhe transformim digjital; Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhim elektronik dhe shërbimeve elektronike; dhe Ligjin për përkryerje profesionale dhe trajnim të nëpunësve administrativ.

Pasi ligjet janë me procedurë të shkurtuar leximi i dytë dhe i tretë duhet të mbahen në mbledhjen e njëjtë, me ç’rast menjëherë fillon procedura e përcaktuar për lexim të dytë, ndërsa amendamentet mund të parashtrohen deri në fillim të mbledhjes për lexim të dytë.

Por, pavarësisht paralajmërimeve që javën e kaluar do të fillohet me leximin e dytë, seanca ende nuk është caktuar.

Portalb.mk, kontaktoi kryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, por ai as u përgjigj në thirrjet tona telefona, e as na ktheu përgjigje në pyetjen tonë të dërguar nëpërmjet sms-porosisë.

Javën e kaluar, deputetja Arta Bilalli Zendeli, e cila është nënkryetare e Komisionit për Çështje Evropiane, për Portalb.mk, shkurt informoi se seanca pritet të caktohet për këtë javë.

“Për sot ishte plani, por besoj që prej të hënës do të caktohet seanca”, tha Bilalli Zendeli, më 18 janar.

Në pyetjen nëse ka ndonjë bllokadë në Kuvend për këto ligje, deputetja tha se në dijeninë e saj nuk ka.

Por, seancat ende nuk janë caktuar.

Ligjet në fjalë janë të domosdoshme për reforma në administratën publike, por edhe për procesin eurointegrues të vendit, duke e pasur parasysh se për disa prej tyre, në raportin e progresit të Komisionit Evropian për vitin 2023 është theksuar nevoja urgjente për t’u miratuar.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut vitin e kaluar mori “karton të verdhë” apo notë 3 për fushën e reformave në administratën publike nga Komisioni Evropian. Shumica e ligjeve të shumëpritura me vite për çështjen e digjitalizimit, shërbimeve elektronike, meritokracinë, punësimet, u finalizuan dhe miratuan në qeveri, por nuk janë votuar ende në Kuvendin i cili ka mandat deri në pranverë. Në udhëkryq ka mbetur ligji për drejtorë profesional, i cili do të duhet ta rregulloje procedurën që zgjedhja e udhëheqësve të bëhet sipas kritereve përkatëse dhe jo në bazë të koalicioneve mes partive.

Viti 2024 është vit i zgjedhjeve dhe nuk dihet se cila parti do të udhëheqë me resorin e MSHIA-së. Qasja ndaj reformave në administratës publike, do të varet edhe nga vullneti i partive se në çfarë drejtimi do t’i zhvillojnë ose jo reformat.