“Kthehet me lot nga shkolla”, nxënësi shqiptar nuk e kupton maqedonishten, MASH e mohon kërkesën

Nxënësi shqiptar S.L. i vitit të parë në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Pançe Karagjozov” në Shkup po e ndjek mësimin në gjuhën maqedonase, pasi paralelet në gjuhën shqipe janë plotësuar. Familja e tij thotë se nxënësi nuk e kupton mjaftueshëm maqedonishten dhe për këtë arsye po has vështirësi në mësim. Prindërit kanë kërkuar transferimin e tij në paralele në gjuhën shqipe, por kjo kërkesë nuk është pranuar. Ministria arsyetohet se nuk është e njoftuar me rastin, por dokumenti i siguruar nga Portalb.mk e demanton.

Nga fillimi i vitit shkollor, për shkak numrit të plotësuar të nxënësve në paralelet shqipe, ai është vendosur në paralele në gjuhën maqedonase, ndonëse, sipas prindit, ai nuk e kupton gjuhën në nivelin e nevojshëm për të ndjekur mësimin.

Për këtë arsye, prindërit kanë kërkuar që ai të transferohet në një paralele ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

“Fëmija ka disa ditë që shkon dhe kthehet me lot nga shkolla, pasi nuk e kupton gjuhën maqedonase dhe ka vështirësi në nxënien e mësimit”, thotë prindi për Portalb.mk.

Familja i është drejtuar zyrtarisht shkollës për të gjetur një zgjidhje. Ata kërkojnë që nxënësi të transferohet në një paralele në gjuhën shqipe, duke iu referuar të drejtës kushtetuese për arsim në gjuhën amtare.

Sipas prindit, shkolla i është drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), por kërkesa është refuzuar.

Familja pretendon se rasti nuk është i izoluar. Sipas tyre, rreth 20 nxënës të tjerë ndodhen në të njëjtën situatë dhe kërkojnë të ndjekin mësimin në gjuhën shqipe.

“Ne bëjmë thirrje që shkolla, MASH dhe Qyteti i Shkupit të gjejnë zgjidhje si për fëmijën tonë, ashtu edhe për të tjerët”, thotë prindi.

Sipas informatave të Portalb.mk, paralelet e vitit të parë në shqip kanë numër të lartë nxënësish, ndërsa në paralelet në maqedonisht ka edhe nxënës shqiptarë që duan të transferohen në mësimin në shqip.

MASH thotë se nuk ka pranuar kërkesë, por dokumenti e demanton

Të pyetur për këtë rast, nga Ministria e Arsimit për Portalb.mk e mohuan se kanë pranuar kërkesë për transferimin e nxënësit nga paralelja në gjuhën maqedonase në atë në gjuhën shqipe.

Nga ministria thonë se kanë pranuar disa kërkesa për transferim të nxënësve nga shkolla të tjera në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Pançe Karagjozov”, por jo për transferim brenda kësaj shkolle.

Megjithatë, Portalb.mk ka siguruar kopje të kërkesës zyrtare të shkollës drejtuar MASH-it, për transferimin e nxënësit nga paralelja në gjuhën maqedonase në atë në gjuhën shqipe. Kërkesa mban edhe numër arkivor nga Ministria e Arsimit.

Foto nga kërkesa për transferimin e nëxnësit nga paralelja në gjuhën maqedonase në paralelen në gjuhën shqipe. Foto e siguruar nga Portalb.mk.
Foto nga kërkesa për transferimin e nëxnësit nga paralelja në gjuhën maqedonase në paralelen në gjuhën shqipe. Foto e siguruar nga Portalb.mk.

Portalb.mk kërkoi përgjigje edhe nga Qyteti i Shkupit për rastin dhe mundësinë e hapjes së një paraleleje të re në gjuhën shqipe.

Megjithatë, në përgjigjen e tyre, Qyteti i Shkupit foli për kërkesat e nxënësve nga shkolla të tjera për t’u transferuar në “Pançe Karagjozov”, dhe jo për rastin e nxënësve shqiptarë që tashmë janë në këtë shkollë.

Kujtojmë se ky vit shkollor filloi me probleme etnike edhe në arsim. Për shembull, në shkollën fillore Petar Zdravkovski- Penko të Komunës e Butelit është mbyllurnjë paralele me mësim në gjuhën shqipe për klasën e parë.

Gjithashtu nxënësit shqiptarë në Idrizovë të Shkupit detyrohen të zgjedhin mes gjuhës amtare dhe largimit nga vendbanimi pasi mësimi në shqip në SHFK “Njegosh” mësohet vetëm deri në klasën e pestë.