Qyteti i Shkupit do të rrënojë shkollat e mesme në Gjorçe Petrov dhe Draçevë dhe do të ndërtojë të reja me 2 milionë euro
Objektet e shkollave të mesme „Koço Racin“ në Gjorçe Petrov dhe „Vëllezërit Milladinovci“ në Draçevë do të rrënohen dhe në vend të tyre do të ndërtohen shkolla të reja. Në seancën e fundit të Këshillit të Qytetit të Shkupit, përmes rishikimit të buxhetit janë siguruar dy milionë euro për ndërtimin e objekteve të reja shkollore, shkruan SDK.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, tha se këto shkolla janë në gjendje të keqe dhe se për këtë arsye projekti ishte pjesë e programit të tij zgjedhor.
“Për një kohë tepër të gjatë, nxënësit në këto shkolla janë arsimuar në kushte krejtësisht të papërshtatshme. Për një kohë tepër të gjatë, mësimdhënësit kanë përcjellë dijen në hapësira që nuk u përgjigjen nevojave të arsimit bashkëkohor. Prandaj marrim përsipër obligimin për të ndërtuar shkolla krejtësisht të reja, të denja për fëmijët tanë dhe mësimdhënësit e tyre”, tha Gjorgjievski.
Këshilltari i LSDM-së, Goran Simovski, kritikoi këtë vendim të kryetarit të Shkupit, duke thënë se shkolla në Gjorçe Petrov është rinovuar para pesë vitesh, për çka atëherë nga buxheti i Qytetit ishin ndarë 54 milionë denarë.
“Si banor i Gjorçe Petrovit, prioritet nuk është objekti i ri për shkollën e mesme, por ndërtimi i një shkolle fillore dhe një kopshti për fëmijë në lagjen e re Aleksandria. Atje janë ndërtuar ndërtesa banimi dhe çdo ditë po ndërtohet nga një e re, por fëmijët nuk kanë ku të mësojnë dhe të shkojnë në kopsht. Në vend që të shpenzohen një milion euro për një shkollë të mesme ku këtë vit do të diplomojnë vetëm 40 nxënës, prej të cilëve 21 në drejtimin gjimnaz, 14 në drejtimin ekonomik dhe 4 në drejtimin tekstil, paratë mund të ishin dedikuar për ndërtimin e një shkolle fillore në Aleksandria përmes bashkëpunimit ndërkomunal. Për më tepër, në shkollën ‘Koço Racin’, gjatë rinovimit para disa vitesh, janë zëvendësuar muret e jashtme dhe të brendshme, është vendosur çati dhe dysheme e re, janë ndërruar instalimet elektrike dhe të ujësjellësit, si dhe janë vendosur nyje sanitare dhe fasadë e re. Para katër vitesh kemi investuar një milion euro dhe tani në të njëjtin vend do të ndërtojmë shkollë të re“, tha këshilltari Simovski.
Këtë vit shkollor ka 433 paralele më pak se vitin e kaluar, prej të cilave 222 në arsimin fillor dhe 211 në arsimin e mesëm, pasi Ministria e Arsimit dhe Shkencës vendosi që paralelet e vogla të bashkohen në një paralele më të madhe. Numri i përgjithshëm i objekteve shkollore të braktisura në vend, kryesisht në zonat rurale, është 148.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për ta informuar opinionin se, nëse vazhdojmë kështu, vazhdimisht do të mbyllim shkolla. Para tre vitesh kemi përgatitur një libër ilustrues për klasën e parë, të dytë dhe të tretë, me titull ‘Unë, mami, babi, motra dhe vëllai’. Prandaj, një mesazh për nxënësit e klasës së parë: përveç kërkesës për të fituar dije, ndoshta duhet të kërkojnë edhe një vëlla ose motër, në mënyrë që këto shkolla të mbyllura përkohësisht të mund t’i hapim përsëri në të ardhmen“, deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, më 1 shtator në shkollën “Aco Shopov” në Komunën e Butelit.
Në tetor të vitit 2024, ajo deklaroi se në Maqedoni ka 3.000 mësimdhënës më shumë se sa nevojiten, të cilët punojnë në paralele me 9, 12 ose 17 nxënës. Për këtë arsye, sipas saj, është i domosdoshëm kalimi në mësim me një ndërrim dhe mësim gjatë gjithë ditës.