Këshilltarët shqiptarë braktisën seancën në Butel, kundërshuan mbylljen e paraleles shqipe në “Penko”
Këshilltarët shqiptarë nga VLEN dhe AKI kanë lëshuar seancën e sotme të Këshillit të Komunës së Butelit, ku u diskutua edhe për mbylljen e paraleles shqipe në shkollën fillore “Petar Zdravkovski-Penko”, transmeton Portalb.mk.
Këshilltarët kundërshtojnë vendimin për mbylljen e paraleles dhe thonë se ekziston bazë ligjore që nxënësit që jetojnë pranë shkollës, edhe pse me adresë janë banorë të Komunës së Çairit, të mund të regjistrohen në këtë shkollë.
Këshilltari i AKI-t, Armend Murseli, akuzoi kryetarin e Komunës së Butelit se nuk po e respekton ligjin.
“Kryetari e ka nda mendjen të mos e respektojë ligjin”, deklaroi Murseli.
Nga ana tjetër, këshilltarët shqiptarë mohuan kategorikisht se kanë votuar për mbylljen e paraleleve shqipe në komunë.
“Dëshiroj ta bëj të qartë se ne si këshilltarë shqiptarë, asnjëherë nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi për mbylljen e asnjë paraleleje”, tha Albesa Ramani nga VLEN, duke shtuar se janë në koordinim me zëvendësministrin e Arsimit për të gjetur një zgjidhje.
Sipas këshilltarit të AKI-t, Linkest Lumani, këshilltarët shqiptarë kishin përgatitur edhe një propozim që paralelja në “Penko” të mos mbyllej dhe mësimi të vazhdonte.
“Vijoi debati, duhej të përpilonim ne si këshilltarë një pikë, në të cilën do të duhej ta vendosnim në rend të ditës dhe ta votonim që paralelja në ‘Penko’ të mos mbyllet dhe të vazhdojë me mësim. Ne e përpiluam atë propozim… Përgjigjja ishte decidive se nuk mundet të vazhdojë ajo paralele dhe se është, në fakt, e kryer. E nxorëm në votim, normalisht na mbivotuan dhe na rrëzuan poshtë si pikë të rendit të ditës”, u shpreh Lumani.
Këshilltarët shqiptarë kërkojnë që çështja të rishqyrtohet dhe që nxënësve që jetojnë në afërsi të shkollës t’u mundësohet ndjekja e mësimit në gjuhën shqipe.
Në shkollën fillore Petar Zdravkovski- Penko në komunës e Butelit është mbyllur një paralele me mësim në gjuhën shqipe për klasën e parë. Arsyetimi është se nuk ka mjaftueshëm nxënës për regjistrim. Edhe përkundër interesimit të lartë për regjistrim të nxënësve shqiptarë, udhëheqja e shkollës ka vendosur që këtë vit shkollor të mos pranojë fëmijë shqiptarë që jetojnë në rrugë që janë në kufi të komunës së Butelit, por adresat figurojnë në komunën e Çairit. Mbyllja e paraleles me mësim në gjuhën shqipe ka shkaktuar revoltë te mësimdhënësit, të cilët kanë kundërshtuar këtë vendim.
Drejtoresha e Penkos, Mevlide Kryeziu pranon mbylljen e një paraleleje më mësim në gjuhën shqipe, me arsyetimin e mungesës së nxënësve.
“Për shkak të numrit të pamjaftueshëm të nxënësve që i përkasin territorit të Komunës së Butelit dhe zonës së shkollës sonë, jemi detyruar të bëjmë riorganizimin e një prej paraleleve të klasës së parë. Ky vendim është marrë në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për organizimin e procesit mësimor dhe kalimin e shkollës në mësim në një ndërrim. Dëshirojmë të theksojmë se ky riorganizim nuk nënkupton mbylljen përfundimtare të mundësisë për hapjen e paraleleve të reja”, deklaroi për Alsat Mevlide Kyreziu, Drejtore e “Petar Zdravkovski- Penko”.
Vendimi i drejtoreshës së shkollës fillore Petar Zdravkovski Penko, Mevlide Kryeziu për mbylljen e paraleles me mësim në gjuhën shqipe vjen në kohën kur numri i nxënësve shqiptarë në komunën e Butelit vazhdon të shënojë rritje. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave për vitin e kaluar shkollor 2024-2025 në komunën e Butelit gjithsej ka 5 276 nxënës, prej të cilëve më së shumti shqiptarë, edhe atë 2 971, pastaj maqedonas 1 741, turq, 230, Boshnjakë 165, romë 100, Serbë 18 dhe të tjerë.
Shkolla Fillore “Penko” numëron mbi 1,700 nxënës, prej tyre 90% janë shqiptarë.