Këlni mirëpret edicionin e parë të “Albanian Film Festival”, hapet me filmin “Krejt e thirrin Rexhën”

Kinematografia shqiptare do të jetë në qendër të vëmendjes në Këln të Gjermanisë, ku nga 26 deri më 29 shtator do të mbahet edicioni i parë i “Albanian Film Festival Këln”. Gjatë katër ditëve, publiku do të ketë mundësi të ndjekë 15 filma të regjisorëve shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa programi do të pasurohet edhe me muzikë live, art pamor dhe bashkëbisedime me kineastë e artistë, shkruan Portalb.mk.

Festivali, i organizuar me iniciativën e anëtarëve të “ABC Book Club Këln”, do të zhvillohet në Filmhaus Këln dhe synon të krijojë një hapësirë të re për promovimin e filmit dhe kulturës shqiptare në Gjermani.

Edicioni i parë do të hapet më 26 shtator, në orën 18:45, me filmin nga Maqedonia e Veriut “Krejt e thirrin Rexhën”, nën regji të Ibër Dearit.

Atmosferën e mbrëmjes hapëse do ta pasurojë edhe muzikantja shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Hava Bekteshi, e cila jeton në Hamburg dhe njihet për interpretimet e saj me çifteli. Bekteshi ka arritur ta sjellë këtë instrument tradicional në skena të ndryshme evropiane, duke thyer njëkohësisht edhe traditën e gjatë të dominimit të burrave në interpretimin e tij.

Në program është përfshirë edhe një bashkëbisedim me artistin vizual Serhat Emrulai. Me origjinë nga Maqedonia e Veriut, i shkolluar në Akademinë e Arteve të Bukura në Venedik dhe aktualisht me veprimtari në Dyseldorf, Emrulai në krijimtarinë e tij trajton tema psikologjike, sociale dhe politike. Ai së fundmi është prezantuar edhe me ekspozitën personale “We are moving to a new location” në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup.

Një pjesë e rëndësishme e festivalit do të jenë edhe takimet e drejtpërdrejta të publikut me kineastët.

Regjisorja, skenaristja dhe producentja gjermano-kosovare Kristine Nrecaj do të prezantojë dokumentarin “WO/MEN”, i cili përmes historive të gjashtë burrneshave trajton rolet gjinore, identitetin dhe të drejtën e grave për vetëvendosje. Pas shfaqjes, Nrecaj do të zhvillojë një bashkëbisedim me publikun.

Në Këln do të jetë i pranishëm edhe regjisori Visar Morina, filmat e të cilit janë prezantuar në festivale të njohura ndërkombëtare, përfshirë Berlinalen, Sundance, Locarno dhe Karlovy Vary. Morina do të takohet me publikun pas shfaqjes së filmit të tij “Shame and Money”.

Në mesin e filmave të përzgjedhur është edhe “Zgjoi”-“Hive”, një nga filmat shqiptarë më të suksesshëm dhe më të vlerësuar ndërkombëtarisht në vitet e fundit.

Festivali do të mbyllet më 29 shtator nën tingujt e pianistit, kompozitorit dhe producentit Gert Kapo. I lindur në Tiranë dhe prej vitesh me banim në Këln, Kapo njihet për ndërthurjen e traditës muzikore shqiptare dhe ballkanike me xhezin.

Të 15 filmat e përzgjedhur, të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë, trajtojnë tema që lidhen me identitetin, migrimin dhe sfidat e shoqërisë bashkëkohore. Filmat do të shfaqen në gjuhën origjinale me titra në anglisht.

“Albanian Film Festival Këln” synon që përmes filmit, muzikës dhe artit pamor të krijojë një pikëtakim të ri të kulturës shqiptare me publikun gjerman dhe ndërkombëtar në zemër të Këlnit.

Programi i festivalit “Albanian Film Festival Këln”. Foto: Organizatorët e festivalit
Programi i festivalit “Albanian Film Festival Këln”. Foto: Organizatorët e festivalit