Kryeministri

Para disa ditësh, me 28 janar të këtij viti, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u zgjodh qeveria kalimtare, që ndryshe njihet si qeveria e Përzhinës, e cila do të funksionojë deri në krijimin e qeverisë së re që pritet të krijohet pas zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në maj. Kryeministër në këtë qeveri u zgjodh Talat Xhaferi, kryetari i gjertanishëm i Kuvendit të RMV. Edhe pse RMV karakterizohet si demokraci parlamentare, ku Kuvendi duhet të jetë pushteti më i fuqishëm (e ku Talat Xhaferi gjer tani ushtronte për vite me radhë detyrën si kryetar i Kuvendit), ka qenë gjithmonë e qartë që pozita më e fuqishme politike ka qenë gjithmonë ajo e kryeministrit. 28 janari ishte ditë e veçantë dhe me të drejtë konsiderohet arritje e madhe, në kuptimin e asaj që nuk ka pozita të pushtetit të cilat janë të rezervuara për një etnitet. Në qoftë se shihet evolucioni i gjertanishëm i këtij shteti deri në ditët e sotme, të gjithë njerëzit me gjykim të shëndoshë do të pajtohen që kjo është arritje e madhe, sado që disa mundohen ta relativizojnë këtë ngjarje.

Le të kujtohemi tek atmosfera që mbisundonte në shtet jo shumë kohë më parë. Në vitet e nëntëdhjetta, në kohën kur unë kam qenë nxënëse e shkollës fillore dhe të mesme, e mbaj mend shumë mirë si qëndronin punët në këtë vend. Afër shtëpisë sime në atë kohë ishte ndërtesa e Rektoratit të Universitetit të Tetovës, nga ku pashë nga afër se si forcat speciale të armatosura deri në dhëmbë e arrestuan rektorin e atëhershëm Fadil Sulejmanin, në atë kohë, kur Abdylselam Emini u vra sepse protestoi për të drejtën e popullit të vet që të ketë arsim sipëror në gjuhën amtare. Tani ka tre universitet në gjuhën tonë amtare, në njërin nga të cilët punoj edhe unë, e i cili është themeluar me inicijativë të Komesarit të Lartë të OSBE-së, si proces paqësor për të mundësuar pikërisht të drejtën e një populli për arsim në gjuhën amtare. Në ato vite të zymta, kryetarët e komunave të Tetovës dhe Gostivarit u burgosën sepse guxuan ta ngrisin flamurin shqiptar. Ishin situata tmerrësisht dramatike, me shumë viktima dhe me shumë tensione të cilat kanë mbetur të shënuara në memorjen tonë kolektive.

Ishin ato kohëra kur Antonio Milloshovski, në atë kohë student, e tani deputet i opozitës dhe ish ministër i punëve të jashtme, me eksperiencë të gjatë në politikë, bashkë me shokët e vetë bënte grevë urie kundër inicijativës që në Akademinë Pedagogjike në Shkup të krijohen paralele në gjuhën shqipe. Të dielën, me 28 janar të vitit 2024, ai njeri që bënte greve urie kundër të drejtës së dikujt që të arsimohet në gjuhën e vet amtare, u shpreh se me faktin që Talat Xhaferi sot është kryeministër në këtë shtet, LSDM i ka bërë maqedonasit qiraxhinj në shtëpinë e vet. Kur ta kemi parasysh karierën e gjertanishme politike të Milloshovskit dhe pikëpamjet e tija të shprehura në kontinuitet që nga vitet e tija të rinisë, është më se e qartë që faktin se një shqiptar është bërë kryeministër i shtetit ai e përjeton si një dështim aq të madh që e ka bërë të ndjehen qiraxhi në tokën e vetë. Sepse sipas tij qiraxhinj në këtë shtet mund të jenë vetëm shqiptarët. Ata duhet të jenë gjithmonë qytetarë të rendit të dytë, jeta, prona dhe vota e të cilëve vlen më pak se vota e maqedonasve. Kjo është pikëpamja e tij që ai nuk e fsheh por e promovon në të gjitha paraqitjet e tij publike.

Është pikërisht kjo pikëpamje që nxit euforinë kur ndodh një ngjarje e tillë si kjo me Talat Xhaferin kryeministër. Sikur të jetonim në një shtet normal, ku njerëzit çmohen dhe vlerësohen për atë që janë dhe jo për atë se kush janë e çfarë etniteti përfaqësojnë, atëherë zgjedhja e kryeministrit të tashëm  do të ishte një punë normale dhe nuk do të ngriste eufori të veçantë. Por kur dihet evolucioni i një vendi, ku shqiptarët kanë qenë në kontinuitet të diskriminuar, është e qartë që euforia do t’i kaplojë të gjithë. Pra arsyeja e një euforie të tillë ka qenë gjendja e deritashme ku një popull ka dashur që popullin tjetër autokton në shtet ta shohë si qeraxhi në shtëpinë e vet, dhe në momentin kur ky i fundit ka arritur të tregojë se nuk është qiraxhi por është zot në shtëpinë e vet, atëherë populli shumicë ka filluar të ndihet si qiraxhi. Kjo është gjithmonë pasojë e asaj që të drjetat e njeriut në këtë shtet vazhdojnë të kuptohen si tortë e cila zvogëlohet sa herë që dikush nga familjarët mer një pjesë. Kur dikush fiton më shumë të drejta që edhe ashtu i takojnë, kjo nuk do të thotë se të drejtat e dikujt tjetër shterren, sepse të drejtat e njeriut nuk funksionojnë në atë mënyrë. Por këtë assesi ta kuptojnë Milloshovski dhe VMRO-DPMNE të cilët ishin në gjendje që edhe ministrat e vetë të mos i votojnë vetëm e vetëm sespe kjo votë do të ishte përkrahje edhe për Talat Xhaferin, atë që pikërisht kjo parti, kur ishte në pushtet, e kishte caktuar ministër të mbrojtes. Por atëherë ishte ndryshe dhe vlenin rregulla tjera. Atëherë ata ishin “patriotë”, e këta të tanishmit janë “tradhtarë”.

E gjithë kjo situatë me refuzimin e VMRO-DPMNEsë që t’ii votojë ministrat e vetë në qeverinë e Talat Xhaferit, ma kujtoi një epizod nga rinia ime, kur në fund të studimeve të mia në Fakultetin Juridik në Universitetin “Kirili dhe Metodi” në Shkup u shpalla studente e gjeneratës me suksesin më të lartë dhe në ceremoninë e diplomimit m’u nda shpërblimi Justiniani i Artë. Ishte moment shumë emocional për mua dhe gjithë familjarët e shoqërinë time. Por vërejta që dy studentët tjerë, të cilët duhej ti merrnin shpërblimet Justiniani i Argjendtë dhe i Bronztë nuk dolën pas meje t’i merrnin shpërblimet e tyre. Atëherë më erdhi shumë çudi, por sot kur shoh një subjekt të tërë politik të mos i votojë ministrat e vetë vetëm për shkak se në krye të tyre do të qëndrojë një kryeministër shqiptar, e kuptoj shumë mirë atë që ndodhi gjatë ceremonisë së diplomimit njëzet vjet më parë, në vitin 2004. Edhe tani, njëzet vjet më vonë, VMRO-DPMNE llogarit në votat e atyre qytetarëve, që në kohën time nuk dolën të marrin shpërblimet e tyre vetëm se ishin radhitur të dytët dhe të tretët pas një shqiptareje.

Fatkeqësia e këtij shteti qëndron në mënyrën e tillë të të menduarit që e kanë njerëz të caktuar dhe në përkrahjen, stimulimin dhe kultivimin e kësaj mënyre të të menduarit nga disa nga subjektet më të mëdha politike në vend.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.