SHBA: Mbështesim përpjekjet e Maqedonisë për marrjen në përgjegjësi të atyre që keqpërdorën besimin e publikut për përfitime personale

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mbështesin fuqimisht përpjekjet e Maqedonisë për marrjen në përgjegjësi të atyre që keqpërdorin besimin e publikut për përfitime personale. Ky është qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me iniciativën e autoriteteve maqedonase për sanksionimin e personave dhe subjekteve vendase që janë vendosur në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara, transmeton Portalb.mk.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, Departamenti i Shtetit thotë se ata mirëpresin dhe mbështesin fuqishëm të gjitha përpjekjet për hetimin e aktiviteteve të supozuara kriminale korruptive. Në të njëjtën kohë, ata vlerësojnë se reformat institucionale dhe ligjore që forcojnë luftën kundër korrupsionit dhe rrisin transparencën janë të mirëpritura jo vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, por edhe nga të gjithë qytetarët e vendit.

Pasi “lista e zezë” amerikane u zgjerua vitin e kaluar me disa emra biznesmenësh, ish-funksionarë dhe aktualë nga vendi, tashmë po inicohen ndryshime ligjore, të cilat propozojnë që lista e sanksioneve të SHBA-së, por edhe asaj të Mbretërisë së Bashkuar, të jetë bazë për vendosjen e sanksioneve ndaj personave në vend.

Ndryshimet në Ligjin për Masat Kufizuese, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), së fundi janë harmonizuar nga Qeveria dhe janë dorëzuar në Kuvend.

Kujtojmë se,  ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, më 11 janar  prezantoi ndryshimet në Ligjin për masa kufizuese, të cilat do të zbatohen edhe në Maqedoninë e Veriut për personat që janë në “listën e zezë” të SHBA-së. Personat që do të jenë në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara për korrupsion, krim të organizuar, shpërdorim detyre dhe kërcënime hibride do të përballen me pezullimin e përkohshëm të pozicionit që mbajnë, do t’u ndalohet të marrin pjesë në tenderë deri në aktgjykimin e formës së prerë, ndërsa në lojë mbetet edhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Ndryshe, Koço Angjushev, Orce Kamçev, Ramiz Merko, Sasho Mijalkov, Nikolla Gruevski janë vetëm disa nga personat që janë futur në “listën e zezë” të SHBA-së në periudhën e fundit. Biznesmeni dhe ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev ishte i fundit në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion masiv.

Lista e zezë përbën një mekanizëm të mirë në vendet me korrupsion të lartë. Ky lloj sanksionimi, ndihmon edhe në pastrimin e elitës politike nga dekriminalizimi, çka ndihmon shumë gjithashtu në vetë procesin e reformave në vend, si dhe për rrugën eurointegruese të vendit.