NJERIU NJËDIMENSIONAL

Filozofi dhe sociologu Herbert Marcuse (1898 – 1979), nëpërmjet librit Njeriu njëdimensional (1964), e përshkroi shoqërinë industriale si një sistem kontrolli ku elitat politike, mediet dhe teknologjia e mbytin debatin dhe e eliminojnë mendimin kritik.

Njeriu njëdimensional, i cili nuk ka mendim kritik, jeton në demokraci false, pa e ditur se i nënshtrohet sistemit. Ai e sheh vetëm botën që i projektohet nga sistemi konsumator, i cili njeriun e trajton si mall dhe si skllav.

Në këtë sistem nuk ka dallim ndërmjet partive në pushtet dhe në opozitë. Ato, ndonëse duken të ndryshme, në thelb janë të njëjta. Protestat duhet të orientohen vetëm kundër qeverisë, por jo edhe kundër sistemit, i cili njeriut njëdimensional i lejon liri të vogla me qëllim që të ndjehet rehat dhe të mos rebelohet kundër të njëjtit sistem.

Në shoqëritë industriale, sipas Marcuse-së, “individët e identifikojnë vetveten me ekzistencën që u është imponuar”. Aty mbizotëron “një robëri e rehatshme, e butë, e arsyeshme, demokratike” (Citatet sipas përkthimit të Gaqo Karakashit, Plejad, Tiranë, 2006).

Në shoqëritë njëdimensionale kontrollohet edhe gjuha. Ajo shfrytëzohet si instrument mbizotërimi. Gjuha e mbyllur autoritare nuk shpjegon, nuk analizon, por shpall vendime dhe urdhra. Ajo dënon, stigmatizon, i trazon emocionet dhe e shmang arsyen…

Njeriu njëdimensional kontrollohet edhe nga teknologjia moderne, e cila, sipas autorit, ua mundësoi sundimtarëve ta kontrollin njerëzimin duke ia imponuar “robërinë e arsyeshme”.

Në shoqërinë njëdimensionale kemi edhe kulturë njëdimensionale – kulturën e argëtimit masiv. Të gjithë duhet t’i shikojnë të njëjtët filma, t’i shijojnë të njëjtat mallra konsumi dhe të mendojnë se njerëzit janë njësoj. Nëpërmjet kulturës njëdimensionale krijohet vetëdija se “gjërat ecin mirë”.

Pasi njeriu njëdimensional nuk arrin ta perceptojnë realitetin ashtu siç është, ai e quan realitet vetëm atë që i paraqitet nëpërmjet teknologjisë. Kështu “iluzioni shndërrohet në realitet dhe trillimi artistik në vërtetësi”. Pasi hapësira private, në këtë sistem, “është pushtuar dhe e zvogëluar nga realiteti teknologjik”, njeriu njëdimensional identifikohet me personazhet publike dhe e jeton jetën e tyre private…

Marcuse nuk ishte i pashpresë. Ndryshimi i këtij sistemi mund të bëhej nga të margjinalizuarit që kanë mendim kritik. Këtë ndryshim mund ta bëjë njeriu dydimensional, i cili është kundër çdo totalitarizmi që e dënon mosbindjen…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.