V-DEM: DEMOKRACIA 2024 (II)

Numri i demokracive liberale në vitet 2007-2012 ka qenë 43, kurse më 2023, 32. Nga ana tjetër, numri i autokracive të mbyllura është rritur nga 22 në vitin 2012, në 33 në vitin 2022-2023. Sipas këtij raporti në kategorinë e autokracive elektorale përfshihen vende si India, Bangladeshi, Rusia, Filipinet etj. (V-Dem, 13) Përqindja më e madhe e autokracive të mbyllura është në Azinë Lindore dhe në Paqësor (68%), pastaj në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore (45%). Në këtë kategori më së keqi qëndrojnë Kuvajti, Turkmenistani dhe Uzbekistani, shqoëruar nga Kina e cila është në vendin  e tetë. Demokracia e mirëfilltë është më e përhapur në Europën Perëndimore dhe në Amerikën Veriore (96 %). Danimarka ka indeksin më të lartë të demokracisë (0.88), kurse më të ulëtin e kanë Korea e Veriut dhe Eritrea.

Globalisht magnitudën më të keqe të zhvillimit të demokracisë e kanë Hungaria (-0.444), Polonia, Nikaragua, India, Serbia (-0.276), Mauruciusi, Greqia, Afganistani, Ishujt Komore dhe Hong Kongu (-0.186). Pra alarm i kuq për ne shqiptarët, meqë kemi dy fqinj që po zhdemokratizohen. Indeksin më të lartë të dezinformimit qeveritar të brendshëm (3.0-4.0) e kanë vendet si Nikaragua, Mjanmar, Afganistan, Serbia, Filipinet etj., kurse i jashtmi më së tepërmi është prezent në Armeni dhe Mal të Zi. Në pjesën “Dritaret e së ardhmes” thuhet se 25 shtete janë “buzë” (near misses) autokratizimit, 9 “buzë” demokratizimit, pra pika potenciale të ndritura.

Demokracia shënon rënie në vendet e Europës Lindore, duke shkuar në shkallët e viteve 1990, para rënies së Bashkimit Sovjetik. Bjellorusia dhe Rusia janë shembuj të konsolidimit post-sovjetik të autokracisë në rajon. Ky trend shënohet në Hungari, Rusi dhe Serbi që cilësohen si autokraci elektorale, dhe viteve të fundit në Bullgari, Kroaci dhe Rumani, që emërtohen si demokraci elektorale. Çekia, Estonia dhe Latvia janë vende tipike liberal-demokratike të këtij rajoni. pra 66 % jeton në autokraci elektorale, 29% në demokraci elektorale, dhe 5% në demokraci liberale. Rënia ka qenë më e dukshme mes viteve 2010 dhe 2018, dhe ka nisur të stabilizohet më pas deri më sot. Përmirësime të dukshme janë shënuar në vendet më pak të populluara si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Sllovenia është vendi i vetëm që ka shënuar përkeqësim demokratik, pra ka kalur nga demokracia liberale në demokraci elektorale. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë kaluar nga zona gri e demokracisë elektorale në statusin e demokracisë elektorale joambige. Në vendet me demokraci në përparim është edhe Kosova, e cila në vitin 2017 ka nisur proceset demokratike, që tani shënon përmirësim, përthellim dhe rritje të cilësisë së institucioneve demokratike. Sipas V-Dem 2024 Kosova është në mesin e vendeve të pakta në botë ku demokracia vazhdimisht përmirësohet, ndër 9 vendet me progres më të shpejtë në botë për sa iu përket parametrave të demokracisë. Ajo është e pozicionuar në vendin 62, Mali i Zi në vendin 67, Shqipëria në vendin 82, Maqedonia e Veriut radhitet e 89-ta, Bosnjë dhe Hercegovina e 92-ta, kurse Serbia e 106-a në mesin e 179 vendeve të analizuara.  Indeksi i Kosovës i demokracisë liberale është 0.49, i Malit të Zi 0.47. i Shqipërisë 0.4, i Maqedonisë 0.36, i Bosnjës 0.35, kurse i Serbisë 0.25. Indeksi i lirisë akademike në Kosovë është 0.82, në Shqipëri 0.68, në Maqedoni 0.78, kurse në Serbi 0.76. Edhe për sa i përket indeksit të pjesëmarrjes të demokracisë elektorale (0.67 vs 0.36), të shoqërisë civile (0.66 vs 0.52), indeksit të llogaridhënies  (1 vs 0.19), të lirive qytetare (1 vs 0.19) dhe vetëcensurimit medial Kosova qëndron më mirë se Serbia (1.33 vs 069) (https://v-dem.net/data_analysis/CountryGraph/)

Serbia është një rast i prapashkuarjes së zgjatur dhe në rritje tipike për “valën e tretë”. Procesi që ka filluar në vitin 2009, në vitin 2014 rrëshqiti në autokracinë elektorale: shkallët e demokracisë kanë shënuar përkeqësim (keqtrajtimi i opozitës, parregullsi zgjedhore, shtypja e lirisë elektorale). Në këtë vend tre-katër vitet e fundit është shënuar stabilizim autoritar. Zgjedhjet e 2023 përfshinin frikësimin e kandidatëve të opozitës dhe mashtrimin zgjedhor që çuan në një fitore të re të qeverisë aktuale të krahut të djathtë të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Vuçeviq dhe koalicioni i tij SNS (Partia Përparimtare Serbe).

Zgjedhjet janë “ngjarje kritike” që ose shtytin demokratizimin, mundësojnë autokratizmin ose mbështesin stabilizimin e regjimeve autokratike. Maqedonia e Veriut ka përvojë të demokracisë iliberale në kohën e gruevizmit, 2006-2017 dhe pas inkuadrimit në NATO synon UE-në, gjë që mes tjerash varet edhe nga standardet e demokracisë. Nga gjashtëdhjetë vende ku do të mbahen zgjedhjenë vitin 2024, tridhjetë e një janë në prirje dekadente, kurse vetëm tre janë demokratizese, të gjitha në proces “U-turn”: Maqedonia e Veriut, Maldivet dhe Tunizia. Vendi ynë (RMV), sipas këtij raporti tregon disa shenja brengosëse të një demokracie reversale si pasojë e polarizimit politik në rritje. Zgjedhjet e këtij viti mund të jenë vendimtare nëse RMV do të vazhdojë në rrugën e avancimit demokratik ose jo. Kritike janë edhe në segmentin e bllokut politik shqiptar ku më tepër se dy dekada qëndron një parti politike që pasuksesshëm sfidohet nga rivalët e saj. Ndryshimi është një nga shtyllat e demokracisë. Pyetja është nëse do të vijë  ai ose do të ruhet status quo-ja? Nëse blloku politik shqiptar do të binarizohet apo do vazhdohet me ballkanizimin politik të tij?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.