Kovaçevski u takua me sekretaren e përgjithshëm të OSBE-së

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot në Vjenë ka takuar Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Shmid. Në takim, njoftoi shërbimi për shtyp qeveritar, u përshëndet kryesimi i suksesshëm i Maqedonisë me OSBE-në në vitin 2023, me çka vendi edhe një herë tregoi përkushtimin e saj për multilateralizëm, transmeton Portalb.mk.

Në takim, Kovaçevski dhe Shmid deklaruan se kryesimi i Maqedonisë me OSBE-në ishte një detyrë komplekse, të cilën vendi e përfundoi me sukses në kushtet e krizës më të madhe të sigurisë dhe gjeopolitike në kontinentin evropian pas Luftës së Dytë Botërore.

Sipas njoftimit, kryeministri Kovaçevski në takim theksoi se si anëtare e Treshes, Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i ofrojë të gjithë mbështetjen kryesuese aktuale të Maltës dhe të vazhdojë të kontribuojë në proceset për sigurinë dhe stabilitetin e përgjithshëm evropian.

Në takim u bisedua për proceset e ardhshme zgjedhore në Maqedoni, si dhe për rëndësinë e OSBE-së në këtë drejtim.

Kujtojmë se përzgjedhja e Maltës si kryesues i ardhshëm me OSBE-në u arrit pas disa tentimeve të pasuksesshme që të arrihet konsensus për vendin e vetëm kandidat për kryesim mr Organizatën për vitin 2024 – Estoninë – për shkak të vetove të cilat i mori nga Rusia dhe Bjellorusia.

Në vitin 2025, madje, kryesimin njëvjeçar me OSBE-në do ta marrë Finlanda.

OSBE-ja, selia e të cilës është në Vjenë, është themeluar në vitin 1973 dhe është organizata më e madhe ndërqeveritare e sigurisë në botë me 57 vende-anëtare dhe 11 vende partnere.

Maqedonia e Veriut mori kryesimin e OSBE-së në janar të vitit 2023 dhe ishte në krye të saj deri në dhjetor 2023.