Agjencia për Rini dhe Sport e RMV-së bën thirrje për anëtarësim në Këshillin Rinor

Agjencia për Rini dhe Sport në Maqedoninë e Veriut u bën thirrje organizatave rinore për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Rinor si organ këshillëdhënës të Agjencisë për Rini dhe Sport. Organizatat rinore do të mund të aplikojnë deri më 21 janar, shkruan Portalb.mk.

Sipas Ligjit për pjesëmarrjen e të rinjve në politika rinor, përpos komunave që duhet të formojnë këshillat rinor lokal, Agjencia për Rini dhe Sport duhet gjithashtu të krijojë një Trup Kombëtar Këshillimor për Politikat Rinore, gjegjësisht një Këshill Rinor i cili do të jetë përgjegjës për të komunikuar me Këshillat lokal dhe me organet shtetërore.

“Agjencia për Rini dhe Sport u bën thirrje organizatave rinore, organizatave për të rinj dhe organizatave ombrellë rinore që janë të regjistruara në pajtueshmëri me Ligjin për shoqata dhe fondacione dhe Ligjin për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore, të emërojnë përfaqësues për anëtarë të Këshillit Rinor në Agjencinë për Rini dhe Sport”, thuhet në shpalljen e Agjencisë për Rini dhe Sport.

Ky këshill, si organ këshillëdhënës së drejtorisë së Agjencisë për Rini dhe Sport do të përbëhet nga gjithsej nëntë anëtarë, gjashtë nga organizatat rinore dhe organizatat për të rinj dhe tre nga nëpunësit civil administrativ dhe do të synojë rritjen e përfshirjes së të rinjve në krijimin e politikave rinore.

Përgjegjësit e Këshillit Rinor të Agjencisë për Rini dhe Sport do të jenë të japë iniciativa, propozime dhe mendime te drejtori i Agjencisë, të monitorojë situata që lidhen me politikat rinore dhe tendencat shoqërore dhe propozon zgjidhje për përmirësimin e tyre, krijon kritere për mbështetjen e organizatave rinore dhe organizatave për të rinjtë, shqyrton kërkesa nga organizatat, përgatisë analiza, informacione dhe materiale tjera.

Dokumentet e nevojshme për aplikim janë:

  • Vendim për regjistrim në Regjistrin e organizatave rinore, organizatave për të rinj dhe organizatave ombrellë për të rinj,
  • Vendim për regjistrim në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga organizata që propozon përfaqësuesin e saj, me të cilin vërtetohet se organizata është themeluar së paku para një viti, Statusi aktual nga Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, jo më i vjetër se gjashtë muaj, nga organizata që propozon përfaqësuesin e saj, e cila dëshmon statusin aktiv të organizatës;
  • Statuti i organizatës;
  • Biografia e personit të propozuar si anëtar i Këshillit Rinor me të dhëna kontakti të specifikuara (pozicioni, numri i telefonit, adresa e emailit)
  • Letër motivuese për pjesëmarrje në punën e Këshillit Rinor, nga personi i emëruar.

Më tepër informata për mënyrën e aplikimit mund të gjeni në këtë link.

Përndryshe, Ligji për pjesëmarrjen e të rinjve në politika rinore është paraparë që të rinjve tu mundësohet të kyçen në vendim marrjen në çështje të cilat ndikojnë në jetën e tyre dhe komunat kanë afat deri në vitin 2025 të kenë të hapur të paktën një Qendër rinore. Nga komunat me shumicë shqiptare të cilat kanë një këshill rinor funksional janë komuna e Tetovës dhe Gostivari,  komuna e Kërçovës dhe Dibrës janë në proces të formimit të bordit iniciues, ndërsa komuna e Çairit dhe Strugës ende nuk kanë filluar me procedurën e krijimit të Këshillit Rinor.

Ndërkaq, që e vonon zbatimin e këtij ligji është edhe krijimi i Këshillit Rinor të Agjencisë për Rini dhe Sport. Ky këshill do të jetë Trupi Kombëtar Këshillimor për Politikat Rinore dhe do të shërbejë  si mekanizëm i cili duhet t’u mundësojë përfaqësuesve të të rinjve të komunikojnë me organet shtetërore për çështje dhe problematika që i shqetësojnë ata.