Komuna e Tetovës ndër të vetmet që gjeneron të ardhura nga dhënia në përdorim e objekteve sportive, tregoi hulumtimi i QKC-së

Komuna e Tetovës është një nga komunat e rralla e cila gjeneron të ardhura nga dhënia në përdorim të objekteve për sport. Mirëpo, në procesin e dhënies në përdorim, komuna nuk disponon me akt intern me të cilin, do të ishte e rregulluar procedura për përzgjedhjen e shfrytëzuesve/qiramarrësve të objekteve për sport, e as nuk ekziston praktikë për shpallje publike të thirrjeve për dhënien në përdorim të objekteve për sport me kushte dhe kritere të qarta. Kjo është gjendja në Tetovë sipas hulumtimit të kryer nga Qendra për Komunikime Civile (QKC), transmeton Portalb.mk.

Sipas hulumtimit, numri i objekteve për sport në territorin e Komunës së Tetovës është shtatë. Bëhet fjalë për stadiumin kryesor të qytetit dhe stadiumin plotësues në afërsi të stadiumit të qytetit, për stadiumin me bar artificial në Qendrën sportive Tetovë, për pishinën e qytetit si dhe terrenet sportive në lagjet Teqe, Reçica e Madhe dhe Saraqinë.

Aty theksohet se stadiumi kryesor i qytetit dhe stadiumi plotësues në afërsi të stadiumit të qytetit i janë dhënë me koncesion firmës “Ekolog”.

Sipas hulumtimit, nga objektet me të cilat de fakto menaxhon komuna e Tetovës, në përdorim jepet vetëm stadiumi futbollit me bar artificial te qendra sportive. Stadiumi u jepet në përdorim në nivel vjetor tre klubeve të futbollit: “Shkendija”, “Teteksi” dhe “Ljuboten” dhe për secilin prej tyre komuna lëshon faturë.

“Komuna e Tetovës me klubin e futbollit “Shkendija” ka marrëveshje me të cilën klubi e përdor stadiumin me bar artificial në termine saktë të përcaktuara dhe paguan kompensim për përdorim në shumë prej 12.000 euro në vit. Klubet e futbollit “Teteks” dhe “Ljuboten” e përdorin stadiumin me bar artificial te Qendra sportive për futboll dhe kanë marrëveshje aktive për gjithë vitin 2023, për të cilin paguajnë kompensim në pajtim me vendimin për dhënie të terminëve dhe sipas listës së çmimeve të miratuar nga ana e Komunës së Tetovës si dhe 18 % TVSH. Në pajtim me vendimin të cilin e ka miratuar Këshilli i Komunës së Tetovës për dhënie në përdorim të stadiumit, për 1 orë stërvitje paguhet 750 denarë, nëse stërvitja është me ndriçim 1.200 denarë, për ndeshje zyrtare dhe miqësore nga 3.000 denarë, por nëse për mirëmbajtjen e tyre nevojitet ndriçim, atëherë çmimi është 5.000 denarë për ndeshje. Me terrenet e sportit në lagjet Teqe, Reçica e Madhe dhe Saraqinë, siç thonë nga Komuna e Tetovës, disponon popullata lokale”, thuhet në hulumtim.

Në Komunën e Tetovës ka gjithsej 20 shkolla (13 shkolla fillore dhe 7 shkolla të mesme) të cilat disponojnë me gjithsej 11 salla sportive. Nga gjithsej 10 shkolla të cilat kanë objekte për sport, vetëm pesë prej tyre i japin në përdorim sallat sportive. Gjatë hulumtimit, janë lidhur gjithsej 9 marrëveshje me klube sportive dhe me një person fizik.

“Një shkollë nuk arkëton mjete, mirëpo sipas marrëveshjes, shfrytëzuesi duhet ta pajisë kabinetin për terapi fizikale me mjete të dukshme në lartësi prej 80.000 denarë. Shkollat tjera i japin në përdorim sallat me çmim nga 900 denarë deri 1.200 denarë për një orë stërvitje dhe arkëtojnë prej 1.000 denarë deri 2.000 denarë për ndeshje. Personave fizik u arkëtojnë nga 4.000 denarë në nivel mujor, ndërsa klubeve sportive prej 3.500 denarë e deri 12.000 denarë, varësisht nga shkolla. Shkollat të cilat i japin në përdorim sallat i kanë rregulloret e tyre dhe listat e çmimeve, mirëpo nuk shpallin thirrje për dhënien e sallave të tyre për përdorim. Në Komunën e Tetovës, prej 13 shkollave të cilat kanë objekte sportive, vetëm 5 prej tyre ua japin personave juridikë dhe personave fizik të jashtëm. Janë vërejtur dallime të mëdha në çmimet për dhënie të këtyre objekteve në përdorim, si dhe mungesë e transparencës së procesit”, thuhet në hulumtim.

Kur jemi te objektet sportive, Komuna e Tetovës do ta japë me partneritet publiko-privat për 15 vjet pishinën e mbyllur të qytetit për të ndërtuar Akuapark në atë vend. Në këmbim, kompania e përzgjedhur me thirrje publike për të ndërtuar Akuaparkun, do të merr tokë prej rreth 4.500 metra katrorë.

Ndryshe, sipas hulumtimit të QKC-së i cili është kryer edhe në Çair, Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Negotinë, Strumicë, dhe Shtip, objektet për sport jepen në përdorim në mënyrë jotransparente, pjesë e madhe e këtyre objekteve janë me status të pazgjidhur, nuk përdoren mjaftueshëm nga ana e popullatës lokale për sport dhe rekreacion si dhe jepen në përdorim pa kompensim me çka nuk gjenerohen të ardhura të cilat më pas mund të investohen për mirëmbajtjen dhe modernizimin e rregullt të tyre.

Hulumtimi tregon se komunat dhe shkollat i japin në përdorim objektet për sport pa shpallur paraprakisht thirrje publike me kushte, kritere e çmime të saktësuara. Në vend të kësaj, objektet jepen në përdorim në bazë të kërkesave të dërguara nga klubet sportive, nga shoqatat e qytetarëve dhe nga qytetarë të interesuar. Kjo praktikë, siç thonë nga QKC-ja, lë hapësirë për veprim në mënyrë vullnetare dhe mundësi për përdorim të parregulluar dhe joadekuat të objekteve për sport.

Gjetjet e tyre tregojnë se objektet për sport në mjediset lokale, nuk përdoren mjaftueshëm për aktivitete sportive.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni KËTU.