Komuna e Tetovës planifikon të këmbejë tokë prej 4.500 m2 për të ndërtuar Akuapark

Komuna e Tetovës do ta japë me partneritet publiko-privat për 15 vjet pishinën e mbyllur të qytetit për të ndërtuar Akuapark në atë vend. Në këmbim, kompania e përzgjedhur me thirrje publike për të ndërtuar Akuaparkun, do të merr tokë prej rreth 4.500 metra katrorë. Sipas opozitës pas këtij plani fshihet korrupsioni dhe qëllimi i kryetarit të komunës që të krijojë burim financiar për kompani të afërta me Lëvizjen Besa në dëm të qytetarëve të Tetovës, shkruan Portalb.mk.

Sipas vendimit të cilin e miratoi Këshilli Komunal, dhe siç njoftoi kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi, për 15 vite me radhë ndërmarrja që do e merr me koncesion do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet, ndërkaq do të ndërtojë edhe objektet ndihmëse dhe administrative për komunën e Tetovës që janë të nevojshme, si dhe pishina do të jetë në shërbim të nxënësve  prej orës 8 deri ora 4.

Udhëheqësi i Sektorit për Veprimtari Publike, Nazmi Dauti sqaroi se në këtë moment Komuna e Tetovës nuk është në gjendje financiare ku mund të investojë te pishina e mbyllur, pasi siç thonë aty ka ende punë të papërfunduara, dhe për këtë arsye shkohet me partneritet publiko-privat.

“Këtë procedurë do ta bëjmë me partneritet publiko-privat ku kompania private do të jetë e detyruar në krijimin e hapësirave ndihmëse, hapësirave administrative si dhe mirëmbajtjen e pishinës së mbyllur. Po ashtu me këtë studimin fizibiliteti në interes të qytetit të Tetovës është paraparë edhe ndërtimi i një pishine të hapur në afërsi të pishinës së mbyllur ku do të bëhet një kompleks akuapark në qytet, ku qytetarët do të kenë mundësinë e shfrytëzimit të pishinës së hapur dhe pishinës së mbyllur, tha Dauti.

Ai shtoi se në pishinën e brendshme partneri privat do të garantojë që pishina e mbyllur të jetë funksionale dhe kostoja e komunës të jetë zero.

Siç sqaruan nga Komuna, investimi në pishinën e hapur do të kapë shumën mbi 1.2 milionë euro ndërsa investimi në pishinën e mbyllur në vlerë 370 mijë euro.

Komuna investimin nga kompania private, do ta kompensojë këtë investim me dhënien e parcelës që është afër pishinës, e cila është rreth 4.500 metra katror.

Pishina e mbyllur pas 15 viteve do të jetë përsëri në kompetencë të Komunës së Tetovës, ndërsa me pishinën e hapur do të menaxhojë kompania private.

Seanca e 19-të e Këshillit të Komunës të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Seanca e 19-të e Këshillit të Komunës të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Këshilltari nga PDSH, Visar Palloshi tha se kjo nuk është alternative e mirë pasi dëmtohen pronat e Komunës së Tetovës.

Edhe këshilltari nga BDI-ja, Liridon Disha tha se investimet e tilla në të kaluarën kanë qenë dështime.

“Komuna e Tetovës, pishinën e vetme ia jep në shërbim një kompanie private për 15 vjet, me arsyetimin se kjo kompani do të ndërtojë akuapark. Ndërtimet e akuaparqeve në të kaluarën janë dëshmuar si investime të dështuara për shkak të mosaryetueshmërisë financiare. Kjo na çon të dyshojmë se pas kësaj vepre fshihet korrupsioni dhe qëllimi i vetëm i kryetarit të komunës është të krijojë burim financiar për kompaninë e afërt me lëvizjen Besa në dëm të qytetarëve të Tetovës”, tha Disha.

Kryetari i Komunës, Bilall Kasami sqaroi se në këtë rast jepet tokë për investim publik..

“Pra ka një vlerësim bazë mbi të cilin do të shkojnë ofertat publike.. Për zgjidhje afatgjate e kemi parë të nevojshme të shkojmë me studim fizibiliteti me partneritet publiko-privat”, tha Kasami.

Pasi këshilli miratoi studimin e fizibilitetit, Komuna do të bëjë edhe shpalljen publike për fillimin e procedurës për dhënien e kontratës për themelimin e partneritetit publiko-privat për ndërtimin, rikonstruimin dhe menaxhimin me akuaparkun në qendrën rekreative sportive Tetovë.

Ndryshe, me procedurë të ngjashme Komuna e Tetovës përmes partneritetit publiko-privat do të japë tokë ndërtimore në sipërfaqe prej  mbi 3.800 metra katrorë kompanisë e cila do të përzgjidhet për të ndërtuar objektin e ri të administratës afër komunës së Tetovës. Sipas komunës, është shkuar me studim fizibiliteti për këtë projekt për të qenë më transparentë, pasi bëhet fjalë për investim të rëndësishëm për administratën e Tetovës dhe shërbimet që duhet të ofrohen për qytetarët. Opozita e këshillit komunal, vlerësojnë se komuna humb në këtë rast.