Borrell: Kurti nuk e pranoi propozimin për kompromis, insistoi në njohje

Rundi i ri i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përfundoi pa ndonjë pajtim mes palëve, raporton REL. Nga Bashkimi Evropian thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre për kompromis”.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili bashkë me të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ndërmjetësoi takimin, tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Temë kryesore e takimit ishte zbatimi i Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe “çështjet aktuale”, siç i cilësoi BE-ja.

Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Borrell: Kurti s’e pranoi propozimin e BE-së

Borrell, duke folur për gazetarët, tha se ka nxjerrë në tryezë propozimn e BE-së që Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh të zbatohet nga të dyja palët paralelisht.

Por, fatkeqësisht, tha ai, Kurti “nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit” të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Në vend të kësaj, ai ka insistuar që të formalizohet njohja de facto si hap i parë”, tha Borrell.

“Jemi përpjekur shumë, por, për fat të keq, sot nuk ka qenë e mundur të thyhen dallimet”, tha ai, duke shtuar se Vuçiq e ka pranuar propozimin e BE-së.

“Ky ka qenë kompromisi më i mirë që kemi mundur të ofrojmë”, tha Borrell, duke vënë në dukje se ai mbështetet edhe nga partnerët amerikanë.

Kryediplomati evropian tha, po ashtu, se nuk ka përparim në shtensionimin e situatë në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

“Disa hapa janë ndërmarrë nga Kosova dhe ne i mirëpresim. Disa, por ajo nuk e ka përmbushur kërkesën e bërë për shtensionim të plotë”, tha Borrell.