Komuna e Çairit me katër objekte sportive, për dy s’ka kompetenca, dy të tjerat janë jashtë funksionit

Në Komunën e Çairit ekzistojnë katër objekte për sport, por asnjërin prej tyre nuk mund ta shfrytëzojnë qytetarët, pasi momentalisht dy prej tyre janë jashtë funksionit, ndërkaq dy të tjerat janë duke u përdorur nga subjektet private të cilat kanë kontrata aktive. Kështu është gjendja sipas hulumtimit të kryer nga Qendra për Komunikime Civile (QKC), transmeton Portalb.mk.

Salla sportive “Partizan”, salla sportive “Shaban Tërstena”, stadiumi i futbollit “Çair” dhe objekti i ish pishinës në Çair. Këto janë katër objektet sportive të cilat ndodhen në Çair, por me asnjërin prej tyre nuk menaxhon

“Salla sportive “Partizan” – nuk është në funksion, përndryshe me të menaxhon NP “Shkupi i Vjetër”. Salla sportive “Shaban Tërstena”- nuk është në funksion, përndryshe me të menaxhon NP “Shkupi i Vjetër”. Stadiumi i futbollit “Çair” – i është dhënë komunës në përdorim të përhershëm, por me kontrata rrjedhëse për përdorim nga ana e personave të tjerë juridikë paraprakisht të nënshkruara me Ndërmarrjen Publike për Menaxhim me Objekte Sportive në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Objekti sportiv me dedikimin për pishinë – i është dhënë komunës në përdorim të përhershëm, por me kontrata rrjedhëse për përdorim nga ana e personave të tjerë juridikë paraprakisht të nënshkruara me Ndërmarrjen Publike për Ekonomizim me Objekte Sportive në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në hulumtimin e QKC-së.

Në hulumtim thuhet se Komuna e Çairit ka 11 shkolla (10 shkolla fillore dhe 1 shkollë të mesme). Shkollat në pronësi të tyre kanë 12 objekte për sport, nga të cilët 8 salla sportive, 3 terrene sportive dhe një shkollë në pronësi të saj ka stadium sportiv.

“Nga të gjitha shkollat, vetëm ShFK “Tefejjuz”, përveç për nevojat e nxënësve, sallën shkollore pa kompensim e jep në përdorim për Klubin shkollor të sportit “Tefejjuz SPOR” – Shkup, Çair, me grupet (futboll, basketboll dhe projekte nga sporti shkollor), si dhe për Klubin e mundjes “Tefejjuz”. Me shfrytëzuesit nuk janë nënshkruar marrëveshje. Shkolla nuk shpall thirrje dhe nuk ka procedurë të posaçme, por dhënia e sallës në përdorim bëhet në pajtim me Ligjin për arsim fillor në bashkëpunim me seksionin për arsim në Komunën e Çairit”, thuhet në hulumtim.

Më tej, QKC thekson se në rajonin e Komunës së Çairit, lëndë e dhënies në përdorim është vetëm një objekt për sport në suaza të shkollave, edhe atë nga klubi sportiv i shkollës, për çka nuk paguhet kompensim. Shkollat nuk shpallin thirrje publike për dhënien në përdorim të objekteve për sport.

Ndryshe, sipas hulumtimit të QKC-së i cili është kryer edhe në Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Negotinë, Strumicë, Tetovë dhe Shtip, objektet për sport jepen në përdorim në mënyrë jotransparente, pjesë e madhe e këtyre objekteve janë me status të pazgjidhur, nuk përdoren mjaftueshëm nga ana e popullatës lokale për sport dhe rekreacion si dhe jepen në përdorim pa kompensim me çka nuk gjenerohen të ardhura të cilat më pas mund të investohen për mirëmbajtjen dhe modernizimin e rregullt të tyre.

Hulumtimi tregon se komunat dhe shkollat i japin në përdorim objektet për sport pa shpallur paraprakisht thirrje publike me kushte, kritere e çmime të saktësuara. Në vend të kësaj, objektet jepen në përdorim në bazë të kërkesave të dërguara nga klubet sportive, nga shoqatat e qytetarëve dhe nga qytetarë të interesuar. Kjo praktikë, siç thonë nga QKC-ja, lë hapësirë për veprim në mënyrë vullnetare dhe mundësi për përdorim të parregulluar dhe joadekuat të objekteve për sport.

“Komunat nuk menaxhojnë me një të tretën e objekteve për sport, për shkak se ato u janë dhënë në përdorim të përhershëm firmave private nga ana e Ndërmarrjes Publike për Ekonomizim me Objektet për sport në pronësi të RMV-së, mirëpo me marrëveshje paraprakisht të nënshkruara në afatgjata”, thonë nga Qendra për Komunikime Civile.

Gjetjet e tyre tregojnë se objektet për sport në mjediset lokale, nuk përdoren mjaftueshëm për aktivitete sportive.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni KËTU.