Padi për ish-kryetarin e komunës për keqpërdorimin e detyrës zyrtare në Maqedoninë e Veriut

Policia e Maqedonisë së Veriut pas kryerjes së hetimeve paraprake, ka ngritur kallëzim për ish-kryetarin e një komune të Shkupit nën dyshimin për keqpërdorimin e pozitës zyrtare, transmeton Portalb.mk.

“Reparti i policisë kriminale ka kryer hetime paraprake për ish-kryetarin e një komune të Shkupit, për të cilin ekzistojnë dyshime se ka kryer veprën penale “keqpërdorimin i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, bazuar në nenin 353 nga Kodi Penal”, raportoi Policia.

Ai duke tejkaluar kompetencat e tij, në vitin 2021 dyshohet për keqpërdorime gjatë tenderimit të punëve për rekonstruktimin e sallave të sportit.

“Në procedurë, përkrah fushave të sportit për të cilët ishte përgjegjës, ai ka planifikuar edhe ndërtimin e sallës së sportit edhe për shkollën e mesme, edhe pse e ka ditur që shkollat e mesme në bazë të Ligjit për shkollat e mesme janë në kompetencë të qytetit të Shkupit”, raportoi Policia.

Policia vlerësoi që në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i komunës me 662 885 denarë.