Komunat dhe shkollat i japin në përdorim objektet për sport me procedura jotransparente, nxori në pah hulumtimi i QKC-së

Objektet për sport jepen në përdorim në mënyrë jotransparente, pjesë e madhe e këtyre objekteve janë me status të pazgjidhur, nuk përdoren mjaftueshëm nga ana e popullatës lokale për sport dhe rekreacion si dhe jepen në përdorim pa kompensim me çka nuk gjenerohen të ardhura të cilat më pas mund të investohen për mirëmbajtjen dhe modernizimin e rregullt të tyre. Këto janë gjetjet e hulumtimit të kryer nga Qendra për Komunikime Civile (QKC) i cili u krye në Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Negotinë, Strumicë, Tetovë, Çair dhe Shtip, transmeton Portalb.mk.

Hulumtimi tregon se komunat dhe shkollat i japin në përdorim objektet për sport pa shpallur paraprakisht thirrje publike me kushte, kritere e çmime të saktësuara. Në vend të kësaj, objektet jepen në përdorim në bazë të kërkesave të dërguara nga klubet sportive, nga shoqatat e qytetarëve dhe nga qytetarë të interesuar. Kjo praktikë, siç thonë nga QKC-ja, lë hapësirë për veprim në mënyrë vullnetare dhe mundësi për përdorim të parregulluar dhe joadekuat të objekteve për sport.

“Komunat nuk menaxhojnë me një të tretën e objekteve për sport, për shkak se ato u janë dhënë në përdorim të përhershëm firmave private nga ana e Ndërmarrjes Publike për Ekonomizim me Objektet për sport në pronësi të RMV-së, mirëpo me marrëveshje paraprakisht të nënshkruara në afatgjata”, thonë nga Qendra për Komunikime Civile.

Gjetjet e tyre tregojnë se objektet për sport në mjediset lokale, nuk përdoren mjaftueshëm për aktivitete sportive.

Nga 42 objektet për sport me të cilat menaxhojnë 8 komunat, vetëm dhjetë u janë dhënë në përdorim personave juridikë dhe fizik. Ndërsa, shkollat në këto komuna, kanë 124 objekte për sport, nga të cilat për përdorim jepen vetëm 46. Kjo flet për mangësi në menaxhimin me objektet sportive dhe pamundësimin e përdorimit të tyre nga një pjesë sa më e madhe e popullatës lokale dhe të gjenerojnë të ardhura të cilat më pas do të investoheshin në mirëmbajtjen dhe modernizimin e rregullt të tyre”, thuhet në hulumtim.

Gjithashtu hulumtimi tregon se objektet për sport, komunat kryesisht ua japin në përdorim klubeve sportive lokale, pa kompensim.

“Për dallim nga komunat, të gjitha shkollat, të cilat i japin në përdorim sallat dhe objektet e tyre sportive, arkëtojnë për atë shërbim. Çmimet për një orë shfrytëzim të sallave sportive shkollore lëvizin nga 200 deri 1.300 denarë”, thonë nga QKC-ja.

Përndryshe, në lidhje me pishinën në Çair dhe në Tetovë, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni KËTU.