Këshilli për Etikë në Media i ndau çmimet vjetore, mirënjohje për Fisnik Xhelilin e Portalbit

Në Ditën e Lirisë së Medias (3 Majit), Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë së Veriut i ka ndarë çmimet vjetore ku gazetarit të Portalbit – Fisnik Xhelilit i ndau mirënjohje.

Vendi i parë shkoi për Mihajllo MIllosheski nga 360 Gradë për storjen Si do ta braktisë Maqedonia qymyrin pa e humbur stabilitetin energjetik?

Ndërsa vendi i dytë iu nda gazetarëve Aleksandar Metodiev dhe Suzana Micevska për video storjen Rrugët e paligjshme të mbeturinave.

Çmimin e tretë e mori Valentina Vurmo me tekstin Përveç mbeturinave tona a na helmojnë edhe mbeturinat e huaja?

Këshilli për Etikë në Media i ndau mirënjohje gazetarit të Portalbit Fisnik Xhelili për storjet: Ndotja e Lumit Drini të Zi, ndotja e ajrit në Tetovë dhe deponitë në Parkun Kombëtar Mali Sharr.

Mirënjohje morën edhe gazetarët Ivan Kuzmanovski dhe Aleksandar Manasiev.

Ndarja e çmimeve vjetore nga KEMM, foto: Portalb.mk
Ndarja e çmimeve vjetore nga KEMM, foto: Portalb.mk

Përfaqësuesi i BE-së, Shtefen Hudolin, shef i departamentit për bashkëpunim, duke i uruar gazetarët, theksoi se ata me punën e tyre ndihmojnë publikun të kuptojë struktura komplekse dhe të bëjë dallimin mes fakteve dhe trillimeve:

“Në këtë mënyrë ju kontribuoni në besim më të madh në informacion, besim në institucione dhe në mundësinë për debat publik të informuar. Me ndarjen e këtyre arritjeve ne njëkohësisht u japim mirënjohje gazetarëve që i përmbahen së vërtetës, gazetarisë së pavarur dhe etike, dhe që mundësojnë që informacionet e sakta t’u jenë të qasshme qytetarëve“, tha ai.

Nga ana e tij, koordinatori rajonal i UNESCO-s, Xhoshua Masarenti, theksoi se angazhimi i KEMM, për të tretin vit me radhë, për të inkurajuar storie cilësore gazetareske lidhur me mjedisin dhe ndryshimet klimatike është i rëndësishëm.

“Ndryshimet klimatike nuk janë vetëm çështje mjedisore. Ato janë edhe çështje e interesit publik, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit. Ato ndikojnë në shëndetin e njerëzve, mjetet e jetesës, qasjen në ujë, sigurinë ushqimore, ekonomitë lokale dhe cilësinë e jetës së të gjithëve në Maqedoninë e Veriut dhe rajon“, tha ai.

Çmimi për historitë më të mira gazetare, si dhe për fotografinë ose videon më të mirë u dhanë me mbështetjen e UNESCO-s, në kuadër të projektit „Ndërtimi i besimit te mediat në Europën Juglindore: Mbështetje për gazetarinë si e mirë publike“, i financuar nga Bashkimi Evropian.

Tema e këtij viti ishte e lidhur me mbrojtjen e mjedisit: Fakte dhe dezinformata për ndryshimet klimatike.

Konkursi ishte i hapur nga 16 shkurt deri më 15 prill.

Këtë vit, Portalb.mk ka ftuar dy çmime të rëndësishme gazetareske. Fisnik Xhelili e mori çmimin e tretë për gazetari hulumtuese ‘Nikolla Mlladenov’ të ndarë nga Instituti Maqedonas i Mediave. Ndërsa gazetari Ardit Ramadani triumfoi në konkursin vjetor të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë për storjen më të mirë për vitin 2025. Vitin e kaluar këtë çmim e fitoi Portalb me gazetarin Fisnik Xhelili.