SHGM shënoi 78 vjetorin duke ndarë çmimet vjetore gazetareske, mirënjohje për Fisnik Xhelilin nga Portalb

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë sonte ka ndarë çmimet vjetore. Si çdo vit u ndanë tre çmime kryesore: “Krste Petkov Misirkov” për vepër jetësore, “Jashar Erebara” për gazetari hulumtuese dhe një çmim për raportim gazetaresk për tema me rëndësi lokale dhe rajonale. Në të njëjtën kohë u ndanë katër mirënjohje për kontribut të veçantë në promovimin e gazetarisë investigative profesionale. Gazetari Xhelili ka kontribuuar me këtë shkrim, njofton Portalb.mk

Komisioni i çmimeve i përbërë nga Zhana Bozhinovska, Risto Tasev dhe Vedat Memedalia ia ndau çmimin për arritje jetësore Sonja Nikollovskës, çmimi për gazetari hulumtuese “Jashar Erebara” iu nda Mirosllava Simonovskas për shkrimet “Klinika Onkologjike në vitin 2017 e hodhi në bodrum sistemin  e monitorimit të citostatikëve që e bën të pamundur vjedhjen e dozave” dhe “Një dëshmi tronditëse për Onkologjinë në sallën e gjyqit: Nuk ishte për paratë që i dhashë farmacistit, por sepse nuk më dhanë terapi” dhe Irena Mulaçkas për seri lajmesh për skandalin me klinikën e onkologjisë në Shkup, ndërsa çmim për raportim  më të mirë gazetaresk për tema me rëndësi lokale dhe rajonale i takoi Aneta Blazhevskas për storjen “Si”Monmartri i vogël i Manastirit” e kaloi kufirin artistik dhe kaloi në politikë”.

Mirënjohjet iu dhanë kolegëve Petar Klinçarski, Fisnik Xhelili, Goran Antevski dhe kolegëve nga Laboratori i Reporterëve Hulumtues (IRL).

Çmimet vjetore të SHGM-së, Foto: SHGM
Çmimet vjetore të SHGM-së, Foto: SHGM

Fituesit e çmimeve të sivjetme falënderuan SHGM-në për çmimet duke bërë të ditur se nuk do të ndalen me kaq, do të vazhdojnë të krijojnë dhe tregojnë histori që publiku meriton t’i dëgjojë.

Kryetari i SHGM – së, Mlladen Çadikovski, në fjalimin e tij theksoi problemet me të cilat ballafaqohen gazetarët në baza ditore, si dhe nevojën për solidaritet të ndërsjellë në terren.

“Profesionalizmin e gazetarëve e shohim me çdo njoftim, lajm, hulumtim. Më vjen mirë që gjithnjë e më shumë po vihet theksi te storje investigative, sepse vetëm kështu do të dalë në sipërfaqe e vërteta. Vitin e kaluar patëm disa storje vërtet të vlefshme që u botuan dhe që lanë përshtypje te publiku. Disa prej tyre janë në mesin e të shpërblyerve. Të mos harrojmë se këto tema janë shtytës të ndryshimeve shoqërore, siç dëshmojnë edhe këto çmime të SHGM-së për më të mirët në mesin e tyre”, tha Çadikovski.

Të pranishmëve iu drejtua edhe Zhana Bozhinovska, kryetare e Komisionit për Çmime, e cila tha:

“Thonë se është shumë mosmirënjohëse të vlerësosh njerëzit e tu, prandaj me kolegët Risto dhe Vedat kishim një detyrim serioz gjatë përzgjedhjes. Kemi shqyrtuar aplikimet dhe secila prej tyre përfaqëson përkushtimin e gazetarit në krijim dhe u trajtuan një gamë e gjerë temash. Gjatë përzgjedhjes jemi përpjekur të ruajmë standardet më të larta të integritetit gazetaresk, paanshmërisë dhe qasjes profesionale ndaj temës. Sot ndajmë tre çmime kryesore dhe katër mirënjohje, por kjo nuk do të thotë se festojmë vetëm fituesit, por edhe kontributin kolektiv të të gjithë gazetarëve që bëjnë pa u lodhur punën e tyre”.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë shpreh mirënjohje të madhe për të gjithë gazetarët e interesuar për konkursin e sivjetshëm.