MPB nesër do të vendosë regjim të veçantë trafiku në Shkup për shkak të protestës së LSM-së

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se nesër do të vendoset regjim i veçantë trafiku në zonën qendrore të Shkupit për shkak të protestës së organizuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punës, transmeton Portalb.mk.

Protesta e 1 Majit, siç është paralajmëruar, është planifikuar të fillojë në orën 11:00 para ndërtesës së LSM-së, përkatësisht Shtëpisë së Punëtorëve, dhe do të përfundojë para Qeverisë në Bulevardin Ilinden.

Njoftimi i MPB-së liston të gjithë itinerarin e lëvizjes, përkatësisht rrugët dhe bulevardet në të cilat do të vendoset regjim i veçantë trafiku.

“Protesta është planifikuar të fillojë para ndërtesës së LSM-së në rrugën ‘Mirçe Acev’ nr. 4 me lëvizje majtas përgjatë rrugës ‘Filipi i dytë Maqedonas’, djathtas përgjatë rrugës ’11 Tetori’, drejt përgjatë rrugës ‘Dimitrije Çupovski’, djathtas përgjatë rrugës ‘Vasil Gllavinov’, drejt përgjatë bulevardit ‘VMRO’, majtas përgjatë bulevardit ‘Ilinden’ deri përpara Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në Shkup. Për këto arsye, Njësia për Siguri në Trafikun Rrugor do të marrë masa për një regjim të veçantë trafiku në rrugët e lartpërmendura në qytetin e Shkupit”, tha Ministria e Brendshme.

Ministria u bën thirrje qytetarëve të respektojnë urdhrat e lëshuara nga zyrtarët e policisë në rrugët përgjatë të cilave do të lëvizin pjesëmarrësit në protestë.

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, tha dje në një konferencë për shtyp se punëtorët duhet të dalin masivisht në rrugë dhe të shprehin qartë pakënaqësinë e tyre me pagat e ulëta, mbrojtjen e dobët të të drejtave të punëtorëve dhe qëndrimin injorant të institucioneve dhe punëdhënësve.

Fokusi i protestës, theksoi Trendafilov, do të jetë kërkesa për rritjen e pagës minimale në 600 euro, e cila, sipas Lidhjes së Sindikatave, është një minimum i domosdoshëm për një jetë dinjitoze.

Përndryshe shporta minimale sindikale u rrit me 979 denarë për një muaj dhe arriti në 68.797 denarë në prill. Megjithatë, për katër muajt e parë të vitit, vlera e shportës minimale sindikale u rrit me 3.305 denarë.