Për shkak të temperaturave të ulëta, KRRE zgjati sezonin e ngrohjes deri më 2 maj
Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) informoi sot se megjithëse sezoni i ngrohjes zyrtarisht përfundon më 30 prill, për shkak të temperaturave të ulëta për këtë periudhë, furnizimi me energji termike do të vazhdojë për dy ditët e ardhshme, pra më 1 dhe 2 maj, transmeton Portalb.mk.
Siç u tha nga KRRE, bazuar në Ligjin për Energjinë dhe të dhënat e marra nga Drejtoria Hidrometeorologjike (DPHM), është marrë vendimi për të vazhduar furnizimin me energji termike me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurimin e shërbimit të vazhdueshëm.
Vendimi, sipas KRRE-së, është marrë pas analizës së të dhënave pesëditore nga DPHM, të cilat tregojnë temperatura jashtëzakonisht të ulëta për këtë periudhë të vitit dhe kanë të bëjnë me kompanitë “EMV Supply”, “EMV Energy” dhe “Energy Ecolink” (ish Ngrohtorja Shkup Veri), të cilat janë të detyruara të vazhdojnë furnizimin me energji termike për dy ditët e ardhshme.
“Qëllimi është të arrihen standarde të larta në përmbushjen e shërbimit publik të furnizimit me energji termike për ngrohje”, tha Komisioni në një deklaratë.
Sipas sinoptikantëve, moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe i freskët me reshje të herëpashershme shiu. Në male priten reshje bore për shkak të depërtimit të ajrit më të ftohtë nga veriu. Do të fryjnë edhe erëra të moderuara deri të forta veriore, të cilat mund të arrijnë mbi 60 kilometra në orë.
Temperatura maksimale do të variojë nga 10 deri në 18 gradë.
Ftohje shtesë pritet në ditët në vijim, me temperaturën e mëngjesit në disa vende që do të bjerë nën zero gradë.